E Diel, 1 Nëntor 2026

Zoti Nano, mirëmbrëma dhe mirë se erdhët! Mirëmbrëma, është një kënaqësi! Njëkohësisht, gjatë këtij transmetimi do të jemi në lidhje të drejtpërdrejtë edhe me valët sateli

Zoti Nano, mirëmbrëma dhe mirë se erdhët!

Mirëmbrëma, është një kënaqësi!

Njëkohësisht, gjatë këtij transmetimi do të jemi në lidhje të drejtpërdrejtë edhe me valët satelitore të RTVSH dhe valët satelitore analoge të RTVK. Me këtë rast po përshëndes pothuajse të gjithë teleshikuesit e TVSH dhe të gjithë teleshikuesit tanë në Evropë e kudo që ndodhen. Për të filluar me këtë intervistë mund t'ju them që zoti Fatos Nano është dekretuar si Kryeministër i Shqipërisë 4 herë, duke filluar që nga viti 1991. Tashmë, ai ka ardhur në krye të ekzekutivit shqiptar pas dorëheqjes të ish Kryeminsitrit Majko në fund të muajit Korrik dhe kjo është java e parë e punës e qeverisë së tij. Zoti Nano, besoj se kjo hyrje e shkurtër ishte e nevojshme për të gjithë teleshikuesit që na ndjekin sot. Është hera e parë që teleshikuesit e Kosovës dhe të viseve të tjera, ku banojnë shqiptarë, ju ndjekin si Kryeministër i vendit, megjithëse në këto 10 vjet jeni një nga politikanët që ka krijuar më shumë qeveri.

Unë do ta përshëndesja këtë eveniment, jo vetëm për Klanin dhe publikun televiziv shqiptar, por edhe për mua personalisht, që më jepet mundësia të komunikoj me shikuesit shqiptarë në trevat e tyre në rajon, pra në Kosovë dhe Maqedoni, në një kohë që ata kanë kryeministrat e tyre, kanë partitë e tyre qeverisëse, në vende që janë hapur dhe po demokratizohen, duke u integruar në Evropën e re, ashtu si Shqipëria.

Dua t'ju informoj ju dhe gjithë teleshikuesit e TV Klan, që na ndjekin në Shqipëri, se në studion e RTVK ndodhet kolegu im Sulejman Gashi, i cili është duke na ndjekur, dhe që në një moment të caktuar do t'i drejtojë direkt zotit Kryeministër disa pyetje. Zoti Gashi, mirëmbrëma!

Përshëndes zotin Fevziu, përshëndes edhe Kryeministrin Nano!

Zoti Nano, dy muaj më parë, kur ju ishit i ftuar në këtë studio, mbaj mend që ju kam thënë disa herë nëse ishit i vendosur për të kandiduar për postin e Presidentit dhe më thatë po. Tani, pas dy muajsh, jeni kthyer në rolin e Kryeministrit të Shqipërisë, gjithmonë i papritur dhe i befasishëm.

Nuk besoj se kjo e fundit ishte një e papritur e pakëndshme dhe dua të arsyetoj ekzakt aty ku e lamë, duke thënë se do të takohemi prapë në këtë studio për të reja të tjera. Mesa duket opsioni i kandidimit tim për President ishte një nga instrumentat kryesorë të mazhorancës, për të disiplinuar procesin politik të zgjedhjes së Presidentit. Për ta disiplinuar jo në mënyrë posesive, pra për ta marrë vetëm për vete, por për ta pasur edhe publiku në dritë të diellit. Është një investim i përgjegjshëm politik dhe institucional, që do të evitonte krizën potenciale të shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme, në rast se procesi do të lihej i hallakatur, me kandidatë jopërfaqësues të shumë forcave edhe jo përfaqësuese. Pra kandidimi im si kryetar i mazhorancës për President të Republikës, më lejoni të riafirmoj, ishte instrumenti kryesor që bëri të mundur, që me këtë cilësi dhe pa asnjë konflikt interesash, unë të drejtoja delegacionin e mazhorancës për negociata me opozitën, duke pasur zotin Berisha përballë, kryetarin e saj, dhe të arrinim atë zgjidhje, që tashmë është bërë funksionale, dhe besoj e ka qetësuar edhe publikun, i cili pret nga të zgjedhurit e rinj produkte.

Në vazhdim të emisionit, zoti Nano, do t'ju bëj edhe një pyetje që ka lidhje me raportet tuaja me Presidentin aktual, konsensual, zotin Moisiu, Tratativat që ju zhvilluat me zotin Berisha për këtë proces dhe më gjerë. Megjithatë, ti rikthehemi një tematike që është shumë e freskët dhe shumë aktuale. Kam parasysh që sot qeveria juaj, ju personalisht, keni shkarkuar dhe emëruar disa drejtues qendrorë, por shkarkimi më i bujshëm dhe më befasues ishte ai i djeshmi,kur, me një kërkesë tuajën, Presidenti i Republikës, ka siguruar largimin nga detyra të shefit të SHISH, zotit Klosi. Cilat kanë qenë arsyet reale që keni kërkuar largimin e Klosit, zoti Nano?

Më lejoni të them që arsyet janë transparente dhe të kuptuara, tashmë, nga publiku. Nuk lidhen vetëm me incidentet e kohëve të fundit dhe ato mund të përmblidheshin në atë çka u komunikua zyrtarisht. E kuptoj që ju doni më shumë dhe unë do të përpiqem t'ua zbërthej, në faktin se, me gjithë progresin e institucionit të Shërbimeve Informative të Shtetit, në 5 vjetët e fundit, progres që jo vetëm tranformoi imazhin e frikshëm, jo vetëm të Sigurimit të Shtetit, por edhe të SHIK-ut të para ‘97-ës, dhe që pastaj ngriti nga hiçi, hiri, pas shkatërrimit në muajt e rebelimit popullor ndaj dhunës që ushtroi edhe SHIK-u mbi qytetarët civilë, nuk u shoqërua gjatë 5 vjetëve me progresin e vetë drejtorit të SHISH-it.

Ç'domethënë?

Që do të thotë: Aftësitë e tij shfaqën më pak progres sesa vetë institucioni, sepse tashmë Shqipëria ka krijuar atë situatë ku institucionet mund të zhvillohen jo vetëm për shkak të titullarëve, por për shkak të legjislacionit të ri demokratik, të Kushtetutës sipas standarteve evropiane që kemi dhe, më lejoni të them, që në vlerësimin tim njerëzor gjithashtu, ajo që mund të quhet si prapambetje, ose influencë negative, ose deformime në veprimtarinë e institucionit të rëndësishëm të SHISH-it, mesa duket lidhet me karakterin personal të ish-drejtuesit të tij, me mungesën e ekulibrit të sjelljes së tij institucionale, private dhe politike dhe me deformimin e marrëdhënieve të tij personale me subjektet, qytetarët, personat fizikë dhe juridikë, të cilëve SHISH duhet t'u garantojë lirinë e të drejtat themelore dhe siguritë që duhet të ekzistojnë në një vend.

Kjo tezë është shumë më e avancuar sesa motivimi zyrtar që i dërguat Presidentit.

Unë nuk besoj se mund të eci më shumë se kaq, sepse nuk kam synim që të cënoj integritetin personal, familjar apo moral të ish-drejtorit të SHISH-it. Por, bëra këtë vlerësim personal, njerëzor, për të kapur më mirë disa nga deformacionet e punës së SHISH-it, të cilat, natyrisht, nuk mund t'i ezauroj vetëm unë. Tashmë është krijuar një komision i posaçëm parlamentar për hetimin e disa objekteve të veprimtarisë së SHISH-it. Dhe, është një komision bipartizan, përsëri, është një hap tjetër pozitiv në institucionalizimin e bashkëpunimit pozitë-opozitë. Nuk dua të them tani që komisioni i dytë "Ngjela", do të ketë të njëjtin fat me komisionit të parë, nuk e besoj këtë gjë, por, në veprimtarinë e SHISH-it, në periudhën që drejtoi z.Klosi, u krijua vërtetë kuadri institucional dhe ligjor i një institucioni që vepron në kushte demokratike. Por produkti bazë i tij, informacioni, në funksion të parandalimit të veprimtarive që cënojnë interesat e shtetit, të kombit dhe të qytetarëve në mjaft raste, nuk u kthye në një instrument efikas dhe ligjor, nuk u arrit që ky produkt të hynte në sistemin e përdorimit ligjor të të gjitha institucioneve dhe administratës shtetërore në këtë funksion. Me këtë rast unë nuk dua të bëj asnjë insinuatë të parakohshme, por në ngjarje të rënda të periudhës kur ka drejtuar Shërbimin Informativ Shtetëror, zoti Klosi, ai ka munguar fizikisht. Do të ishte pak të merreshim me këtë alibi, nëse nuk do të shtronim pyetjen: Nëse mungonte fizikisht, a ishte i pranishëm ndryshe dhe ku ishte? Ka munguar, pra, institucionalisht, më 12-14 shtator, arrestimin e të gjashtëve apo në ngjarjen me Boshkovskin tani në fund. Pra, ai ka munguar edhe institucionalisht edhe me informacion parandalues. Informacioni parandalues ndihmon shtetin të mbrojë gjithkënd që cënohet. Ka munguar dhe me një investim ligjor, bashkërendues me institucionet e tjera të shtetit dhe të së drejtës.

Zoti Kryeminsitër, më lejoni t'ju bëj një pyetje, e cila ka ngritur krye në disa organe të mediave. A ka lidhje shkarkimi i menjëhershëm i shefit të shërbimeve sekrete me një seri artikujsh të botuar në dy ose tre organe italiane dhe që ju kanë sulmuar direkt ju?

Jo, në mënyrë kategorike, jo. Zoti Klosi nuk është shquar për editorialist. Editorialet janë gjëra serioze. Për çudi, editorialet e "L'Espresso"-s, këtë herë në kundërshtim me vlerësimin që ka merituar kjo revistë e madhe e një grupi të madh mediatik, jo vetëm italian, por edhe ndërkombëtar, dhe "Monde Diplomatique", është pjesë e këtij konsorciumi, ishin të dobët, ishin të nivelit të z.Klosi, ndoshta, por nuk besoj se ka pasur ndonjë lidhje. Mua, personalisht, artikujt e "L'Espresso"-s këtë herë, më kujtuan kafen ekspres të gjellëtoreve të kohëve të komunizmit, të bërë me çikore.

Zoti Nano, do t'u kthehem edhe një herë argumentave, ose më shumë raportit tuaj me revistën "L'Espresso", por dua t'ju bëj edhe një pyetje tjetër. Shkarkimi i z.Klosi, a është produkt i një marrëveshjeje që ju keni pasur me shefin e opozitës, z.Berisha, gjatë kohës që bisedonit për Presidentin?

Jo! Sepse kjo marrëveshje nuk ka emra të tjerë, as për të larguar, as për të promovuar. Kjo marrëveshje është shumë parimore dhe si e tillë është shumë transparente. Ose, më saktë, z.Klosi do ta kishte thënë vetë këtë gjë, meqë flitet që ka përgjuar bisedën midis meje dhe Berishës, në minutat konfidenciale. Nuk besoj se në 4 orët kur unë, z.Berisha dhe z.Kuko, u përpoqëm të kapërcenim një pengesë njerëzore, por artificiale për vetë procesin, na ka shkuar mendja që të merremi me z.Klosi, apo me shkarkimin e ndonjë tjetri. Marrëveshja është për një proces bashkëpunimi të të gjithë spektrit politik shqiptar, mazhorancë dhe opozitë, për të kontribuar sëbashku në kapërcimin e një mangësie të institucioneve tona, e karakterit të dobët funksionues të tyre dhe e produktit që vjen prej saj, autoritetit jo të respektuar dhe jo efikas ligjor që ka një pjesë e institucioneve.

Do të vazhdojë kjo marrëveshje, zoti Nano? Mendoni që mund të shkojë më tej?

Marrëveshja është një proces dhe natyrisht duhet të vazhdojë me negociata të tjera që do të hidhen në tryezën e bisedës, analizës dhe të përpjekjeve për konsensus politik të spektrit përfaqësues shqiptar, jo çështje si ato që dëgjova sot nga ndonjë parti e opozitës, pra, zgjedhjen me konsensus të kryetarit të ri të SHIK-ut, sepse duhet respektuar ligji.

A do të ishit ju i gatshëm të konsultonit emrin e ri të shefit të SHIK-ut me opozitën?

Unë jam akoma më i kufizuar në detyrën që kam ardhur. Ju shpeshherë ma keni vënë në dukje këtë fenomen, që përse kërkoni detyra që ju disiplinojnë më shumë, kur ju natyrën e keni më të lirë dhe unë nuk mund të mos e respektoj ligjin dhe të aktivizoj vetëm zgjidhje institucionale që parashikon ligji. Ju do të thoni që ju keni dy mandate dhe, natyrisht, që unë do t'i përdor të dy mandatet në vëzhgimin e institucioneve drejtuese të mazhorancës që m'i kanë dhënë ato dhe publikut, për të përfshirë në dialogun, midis pozitës dhe opozitës, të gjithë elementët e strategjive dhe të institucioneve kombëtare që përshpejtojnë procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik, që konsolidojnë rritjen ekonomike, që zgjidhin problemet e varfërisë dhe të disniveleve sociale që ka vendi në tranzicion, që e qetësojnë publikun me më shumë produkte kundër trafikut, krimit të organizuar, korrupsionit etj. Dhe në këtë funksion dhe konsolidimi i institucioneve që prodhojnë kredibilitet, të drejtësisë, të policisë së shtetit, të gjykatave të të gjitha niveleve, natyrshëm edhe të administratës dhe të institucioneve elektorale. Dhe në qoftë se kjo do të reduktohej në pazare, apo marrëveshje që zëvendësojnë një mbiemër me një tjetër, unë besoj se nuk do të kishim bërë detyrë dhe procesi do të bllokohej për shkak të trysnisë pozitive të një publiku shumë të emancipuar pas 12 vjet demokraci, të një publiku që e njeh mirë Evropën, shpesh edhe më mirë se një pjesë e klasës politike, i cili do ta mbyste çdo lloj aventure, duke bërë që ajo të mos jetonte gjatë.

Zoti Kryeminisitër, po i kthehemi tani kompozimit të qeverisë dhe detyrave prioritare që do të keni së shpejti në detyrën tuaj të re. Ju keni qenë tre herë Kryeministër, pse duhet ta provoni edhe një herë të katërt?

E kuptoj që jam në provë dhe le të themi që sot gjeta mundësinë të korrektoj edhe një shkrim, koment të shkurtër të "The Economist" të kësaj jave, që duke folur për riardhjen time si Kryeministër të Shqipërisë, e konsideronte kthim në të kaluarën. Edhe sot përdora kontaktet e mia miqësore me redaksinë dhe këtë organ prestigjioz, dhe në një nga numrat e ardhshëm do të botohet shkrimi "E treta e vërteta, është me fat" dhe po them që unë dua që publiku të kuptojë, që kjo nuk është thjeshtë vetëm personale, është një sfidë dhe provë jo vetëm e mazhorancës, madje. Është një provë dhe sfidë e aftësisë së klasës politikës shqiptare. Po t'i referohem edhe procesit që sapo prekëm, të bashkëpunimit që po institucionalizohet me opozitën, për të kthyer në institucione të forta demokratike dhe funksionues të shtetit dhe të tregut për të kthyer në produkte të standarteve evropiane për qytetarët e këtij vendi, që ende vazhdojnë ta lënë Shqipërinë, për shanse më të mira. Po flasim për qeverisjen dhe kushtet e maturuara të shoqërisë, ekonomisë, të politikës dhe raporteve me botën moderne, realitetit global, ku jemi përfshirë, sepse, tashmë, ekonomia shqiptare zhvillohet substancialisht në sajë të sipërmarrjes shqiptare, pasi institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët më të rëndësishëm perëndimorë, veçanërisht, kanë asistuar në krijimin e kuadrit të institucioneve të rritjes dhe mbrojtjes së sipërmarrjes së lirë dhe inisiativës së ligjshme. Por ekonomia shqiptare është ende në hije. Më lejoni të korrigjoj atë që kam thënë në Kuvend për karakterin e lartë informal të ekonomisë shqiptare, pra për lëvizjen e kapitaleve jashtë kanaleve bankare, që është më shumë se 2/3. 80 % e masës së transaksioneve financiare, të kapitaleve dhe të parasë që lëviz në ekonominë shqiptare, janë jashtë bankave. Dhe ky kapital është shumë herë më i madh sesa asistenca e donatorëve dhe institucioneve të rëndësishme financiare, pa të cilat nuk mund të ketë një stabilitet zhvillimi dhe integrimi të Shqipërisë, të cilat mbështesin buxhetin apo programet sektoriale të konsolidimit të institucioneve, apo trajnimit të administratës. Dhe, prioritetet e mëdha të zhvillimit kombëtar, me të cilat ne do të paraqitemi si vend dhe shoqëri kompetitive në rajon dhe në Europën e Bashkuar, do të duhet të aktivizohen ekzakt me formalizimin e këtyre kapitaleve të sipërmarrësve vendas. Zhvillimi i resurseve të fjetura, përfshi dhe ato financiare, nuk mund të mos bashkohen me planet nacionale, jo vetëm të integrimit, por edhe të urbanizimit, të zhvillimit të turizmit dhe infrastrukturave, të konsolidimit, më në fund, të bilancit energjitik të vendit, si dhe të ofrimit të shërbimeve standarte publike për qytetarët, kudo ku ata jetojnë, duke riorientuar dhe zhvillimin territorial, sipas prirjes së lëvizjes së popullsisë drejt zonave më atraktive.

Zoti Kryeministër, do t'ju pyes pak më vonë ë konkretisht për disa nga prioritetet ose pikat kryesore të programit tuaj, por desha t'ju bëja disa pyetje që lidhem me kompozimin e qeverisë. Jeni shprehur në disa media, më pas edhe nga Zv/Kryeministri Ilir Meta, kur komentonte qeverinë u shpreh se kjo do të jetë një qeveri e përfshirjes së vlerave më të mira të të PS. Në të vërtetë duket sikur ka një kontradiktë logjike, psh, mund t'ju nënvizoj atë që ka kapur disa një analist, në këtë qeveri nuk përfshihet zonja Meksi, e cila, nga ju personalisht, është propozuar për Kryeministre e vendit në shkurt të këtij vendi, ose, në anën tjetër, ju keni thirrur, përsëri, në kabinet, në postin e ministres së Kulturës, znj, Dade, të cilën ju e keni shkarkuar nga i njëjti pozicion në kabinetin e parë, për ta zëvendësuar me zotin Rama. A ju duket se ka kontradikta në këtë drejtim?

Unë nuk mund të përpiqem ta neutralizoj këtë efekt që bën pyetja juaj, ekziston ky efekt, që sapo përmendët, duke thënë efektin e kundërt, që në këto 5 vjet kemi ndryshuar 4 Kryeministra, apo disa qeveri dhe mbi 100 ministra. Pra, momenti i formimit të një qeverie, natyrisht, ka disa koordinata dhe jo vetëm vlerat përfaqësuese të një individi, apo të çdo individi të zgjedhur, por edhe përputhjen e përfaqësimit politik me aftësitë profesionale, që kërkon prioriteti i programit të stinës, të reformës. Dhe, nga kjo pikëpamje unë nuk mund të them që ndonjë apo cilido nga ministrat e kabinetit është më i mirë se znj.Meksi, siç nuk mund të them të kundërtën, por, më lejoni të them se z. Nano vjen për herë të tretë Kryeministër, institucionalisht është e treta, si kryetar i mazhorancës, pas një zgjidhje që mazhoranca i dha politikës shqiptare në bashkëpunim me opozitën dhe me këto atribute mua më duhet të mendoj jo vetëm për përfaqësimin e socialistëve dhe të aleatëve të tyre në një kabinet ekzekutiv prej 18 vetësh, por edhe një përfaqësim të të njëjtit koefiçient vlerash dhe përgjegjësish dhe në nivelet e tjera të jetës dhe punës politike, legjislative, të kontakteve të Parlamentit me shoqërinë, me sistemin e drejtësisë, etj. Dhe, pra, unë nuk mund t'i harxhoja të gjitha sendet e vyera që ka PS në 18 vetat e kabinetit të ri qeveritar. Për fat të mirë, po më rezulton që ta mbyll përgjigjen, duke thënë: Po, është e vërtetë, kemi më shumë se 18 vlera në PS!

Zoti Kryeministër, duket se ky kabinet është ngritur dhe komentuar mbi bazën e një marrëveshjeje ose harmonie në raportin tuaj me Zv/Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, z.Meta. Sa besoni se do të zgjatë kjo marrëdhënie? A besoni se do të arrini të qeverisni sëbashku?

Nuk më lejohet të dyshoj. Unë drejtoj një qeveri që ka brenda dy nga kryeministrat e shquar, të spikatur të socialistëve në 5 vitet e fundit, Metën dhe Majkon, të cilët janë harmonizuar natyrshëm me kryetarin e partisë që drejton ekzekutivin, në funksione të spikatura dhe shumë të përputhura me programin e kësaj qeverie, dhe, të cilët, ashtu si dhe vetë shoqëria dhe politika shqiptare dhe Partia Socialiste, që ka dhënë me inisiativë pioniere shembullin e ndryshimit, kanë ndryshuar edhe ata.

Në ç'drejtim?

Në drejtimin e njohjes së vlerave të parimeve të gjithëpërfshirjes, të punës në ekip dhe të kontributeve komplementare, të cilat, ju e kuptoni, bëhen më të efektshme dhe më të disiplinuara nga pikpamja politike, kur qeverinë e drejton kryetari i partisë dhe kryetari i mazhorancës. Pra mua nuk më lejohet të dyshoj, sepse do të dyshoja te aftësitë e mia, jo vetëm për të përzgjedhur partnerë si këta dhe të 18 ministrave, por dhe për të drejtuar me shumë vlera përfaqësuese të tjera mazhorancën dhe partinë, në ekip sërish, sepse, nëqoftëse do të merrja përsipër t'i bëja vetë të gjitha këto, ju do të kishit një njeri të vdekur përballë sot.

Zoti Nano, ju keni futur një element të ri në raportin tuaj me anëtarët e kabinetit. Keni firmosur një kontratë me ministrat.Ç'është kjo kontratë, nuk besoj se ishte thjesht që ministrat të mbajnë kravatë dhe kostum, sepse këtë e kanë bërë gjithmonë.

Natyrisht jo! Kontrata është instrumenti kryesor në qeverisje, madje të kujtojmë tashmë jo në në formën pezhorative, kontratën e PD-së me elektoratin, kur fitoi zgjedhjet e manipuluara të ‘96-ës. Pra, kontrata është një instrument kryesor i politikës, në demokraci dhe veçanërisht i politikës qeverisëse, kur ministrat dhe Kryeministri, si përfaqësues institucional i qeverisjes, marrin përsipër, jo thjesht të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjin, por edhe programin, për të cilin votohet. Nga kjo pikëpamje, kontratat e nënshkruara midis Kryeministrit dhe ministrave, do të vazhdojë ky sistem instrumentash dhe marrëdhëniesh kontraktore të disiplinuara edhe në nivele të tjera. Drejtorët e rinj që janë vendosur sot, do të nënshkruajnë nesër një kontratë të nivelit të tyre me Kryeministrin dhe unë do të aktivizoj të gjitha instrumentat e marrëdhënieve kontraktore kundrejt programit dhe disiplinës së ligjit, me të gjithë titullarët, që lidhen me autoritetin e Kryeministrit, pasi ka drejtorë që nuk emërohen nga Kryeministri, dhe, për këtë arsye, nuk mund të mos nënshkruhet dhe të pasqyrohen me një dokument juridik, në vende të tjera kjo është një praktikë e njohur, detyrimet dhe të drejtat reciproke të Kryeministrit dhe të ministrave, Kryeministrit dhe të drejtorëve, sepse ka ikur koha kur mbështetja, nxitja, apo raporti mund të ishte vetëm moral, propagandistik, apo klientelist aq më pak.

Zoti Nano, çdo të ndodhë nëqoftëse një prej këtyre ministrave ose më shumë do të shkelin kushtet e kësaj kontrate?

Kontrata parashikon zgjidhjen e saj ekzakt në kushtet kur njëra nga palët e shkel.

Duke ju përfshirë dhe ju?

Po ta shkelë Kryeministri besoj se bie qeveria dhe jo vetëm një ministër.

Thonë, zoti Nano, të paktën disa nga analistët që komentuan ardhjen tuaj në krye të ekzekutivit, që ju jeni shumë i qartë në ide, keni gjithmonë ide të reja, por nuk keni aftësinë për t'i implementuar ato. E shihni këtë si një difekt tuajin apo besoni se nuk ekziston?

E përsëris që unë nuk hezitoj t'i shikoj defektet personale në sy, t'i korrigjoj ato dhe kam dhënë provat e korrigjimit dhe të difekteve, për të cilat jam dënuar padrejtësisht, madje. Mund të kem dalë hakmarrës nga burgu dhe nuk u shfaqa si i tillë. Korrigjova një difekt jo timin, por tradicional të një shoqërie në emancipim e sipër, siç jemi ne, hakmarrjen. Hakmarrja e pushtetit është shumë e hidhur dhe kësaj iu ruajta edhe për vete time. Nga kjo pikëpamje nuk mund të vlerësoj që vendimmarrja është një aftësi apo difekt personal, thjesht. Sepse, e para, unë kam marrë vendime shumë të rëndësishme gjatë gjithë jetës sime, politike, madje kam vendosur vetë të shkoj me këmbët e mia në burg, për t'u bërë dhe simbol i rezistencës ndaj degradimit represiv të regjimit gjysmëdemokratik të Berishës në atë kohë. Më vjen mirë që mund të flasim për një Berishë tjetër tani, natyrisht Sali Berishën, por edhe ai me këtë evolucion që ka pësuar qeveria shqiptare. më lejoni të them që unë kam nisur për shkak të ekipit të soliditetit, të zgjidhjes politike të kësaj qeverie, të paktit politik për stabilitet, të PS dhe të mazhorancës qeverisëse deri në 2005 dhe të procesit të bashkëpunimit politik me opozitën të marr vendime pa hezitim, këto që janë marë këto ditë janë vetëm vendimet e para, janë vendime që zhvendosin njerëz, që këto terma sipas ligjit janë ushtrim i autoritetit të titullarëve. Kryeministri emëron dhe shkarkon, qeveria emëron dhe shkarkon, apo liron, dhe nuk besoj se mund të presim ndonjë hata se çfarë do të shkarkohet, apo kur dhe në kokën e kujt. Sepse, pikërisht për dy drejtuesit e shërbimeve fiskale që u zëvendësuan sot, unë ofrova menjëherë ftesën, për shkak të përvojës dhe përgatitjes së tyre profesionale, që të integrohen në stafin e Kryeministrit. Këto janë vetëm instrumenta për vendimarrje të mëtejshme dhe për zgjidhje akoma më të mëdha, sepse ndryshimi i drejtuesve të shërbimeve fiskale u bë në funksion të programit të ri qeveritar, i cili ka në themel krijimin e një klime partneriteti dhe joarmiqësore për shkak të arbitraritetit fiskal midis shtetit, administratës, qeverisë dhe komunitetit sipërmarrës. Pra bëmë një zhvendosje të drejtuesve për t'i ruajtur dhe ata nga mungesa e kredibilitetit që ka sjellë një lloj administrimi me deformime, pavarësisht se ka realizuar të ardhurat publike, i doganave dhe i tatimeve deri më tani. Kjo vendimarrje do të vazhdojë dhe unë jam i vendosur dhe i motivuar nga mbështetja politike e mazhorancës, nga bashkëpunimi me opozitën, nga fryma e punës në ekip të qeverisë së re për të mos vonuar të gjitha hapat e konsolidimit të institucioneve, e agresionit të organizuar në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar ndaj ekonomisë hije dhe investimeve publike dhe private që do të çrrënjosin varfërinë, do të zgjerojnë dukshëm tregun e punës dhe do t'i japin shqiptarëve mundësi kontributi në zhvillimin e vendit të tyre sipas ritmit dhe standarteve të Evropës së bashkuar.

Zoti Kryeministër, ju pak më parë përmendët stafin tuaj të ngushtë, stafin personal, met ë cilin do të punoni në selinë e Kryeministrisë. A mund të thoni, cili do të jetë stafi juaj më i afërt, me të cilin do të punoni?

Nuk janë anonimë, madje ndonjëri prej tyre është kaq i njohur, sa gazetarët ose paparacët tanë, janë përpjekur t'i bëjnë ndonjë shaka fotografike, e kam fjalën për drejtorin e Kabinetit të Kryeministrit, z.Emin Barçi, dhe një mori specialistësh të tjerë me përvojë politike dhe administrative, që nga Irakli Koçllari apo Agim Isaku, deri tek Arben Isaraj apo Vaso Pilo. Pra, unë kam një staf të ngushtë prej jo më shumë se 10 vetash, kabineti i Kryeministrit, ndërsa aparati i gjerë, që mbështet qeverinë në përgatitje për vendimarrje është shumë i gjerë se kaq. Kabineti i Kryeministrit është vetëm një tru rezervë, që nuk i mbivihet trurit të qeverisë apo të qeverisjes, trurit të institucioneve dhe të administratës publike, por, natyrisht, vëzhgon, monitoron, vlerëson rezultatin dhe ndërhyn për korrektimin e prirjeve qeverisëse në prioritetet e programit dhe në raportet e harmonizuara që ai përmban.

Besoj se regjia do të na lidhë tani me studion RTVK, ku kolegu Gashi po na ndjek. Zoti Gashi, keni mundësinë t'i drejtoni pyetjet tuaja Kryeministrit Nano.
Ju faleminderit! Nga kima politike po dal pak në klimën natyrore. Në Shqipëri sivjet ka patur një invazion të kosovarëve drejt bregdetit shqiptar, siçe ka quajtur një publicist në Kosovë, ka ndodhur një revolucion turistik midis shqiptarëve. Sa mendoni që ky komunikimin i shpeshtuar, kjo rinjohje në plazh do të ringjisë fijet e shkëputura prej dekadash duke gjetur një rrafsh të ri të interesit reciprok?
Dhe një pyetje tjetër, zoti Nano, do të ishte: A do të vazhdojë të mbështesë qeveria juaj projektin e qeverisë Majko për të ndërtuar rrugën Durrës-Kukës-Prishtinë. Cili mendoni se duhet të jetë kontributi i Kosovës dhe i kosovarëve?

Faleminderit zoti Gashi! Dy pyetje shumë të mira, që më ndihmojnë të artikuloj prioritetet e programit të qeverisë dhe të shpreh motivimin politik dhe qeverisës, që sjell ky ndryshim i jashtëzakonshëm i gjendjes në Shqipëri dhe në Kosovë, në Ballkan dhe në raportet midis shqiptarëve të shpërndarë nga historia në treva jo brenda një kufiri shtetëror, në kaq pak kohë dhe në kaq pak vjet. Katër vjet më parë ishte invazioni i refugjatëve, i cili na dha mundësi të rishfaqim në sytë e gjithë botës, shpirtin e paepur dhe solidaritetin kombëtar me të cilin kemi ekzistuar në histori dhe në kaq pak kohë vjen invazioni turistik, i cili ka rishfaqur sërisht vlerat e mikpritjes. Tashmë, me sa duket, turistët duhet edhe të paguajnë, dhe po na duket Shqipëria më e vogël nga ardhja e turistëve prej Kosove dhe Maqedonie, po duken rrugët më të ngushta. Dhe me këtë dua të rishfaq motivimin që, me kontribute të përbashkëta, me investime të përbashkëta, me sipërmarrje të përbashkëta të shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, t'i zgjerojmë rrugët e komunikimit, të lëvizjes, infrastrukturat turistike, ato të shërbimeve, që duhet të ofrojnë shtetet dhe administrat publike për qytetarët dhe për turistët, duke e afruar bregdetin e Adriatikut me fushat dhe resurset e mëdha energjitike dhe minerare të Kosovës, me pasuritë e vyera të shpirtit kosovar, që tashmë po shijon rivierën e bregdetit të Jonit, apo bregdetin Adriatik të Durrësit e të Golemit, ku këto ditë është vështirë të dëgjosh një njeri që nuk flet në dialektin e bukur të Kosovës. Nga kjo pikëpamje, unë besoj se qeveria ka për detyrë dhe po programon me studime të veçanta, jo vetëm lëvizjen e lirë dhe bashkëpunimin midis njerëzve, por dhe integrimin e strukturave të rritjes ekonomike të strukturave, të resurseve natyrore që garantojnë rritjen ekonomike, të sistemeve enrgjitike, të transportit dhe komunikimit midis Shqipërisë dhe Kosovës, tash me përparësi ndaj integrimeve të tjera rajonale që sjell hapja e Shqipërisë dhe Kosovës ndaj botës moderne. Dhe, në këtë mes, rruga Durrës-Prishtinë, mbetet në vëmendjen prioritare të qeverisë, një nga infrastrukturat kryesore që do të sjellë qarkullimin e vlerave mbarëshqiptare në trupin vital të ekonomisë dhe të shoqërisë së shqiptarëve, kudo që jetojnë, por unë do të kërkoja dhe vëmendjen e publikut kosovar për të kuptuar që, rrugët e komunikimit mes nesh, nuk mund të jenë rrugë vetëm të shqiptarëve dhe për shqiptarët. Ato do të kthehen në korridore të mëdha rajonale, si pjesë e korridereve paneuropiane të lëvizjes dhe unë kam identifikuar tashmë, më shani po të doni që prapë po bëj një pjesë "të tradhëtive të mia tradicionale", kam identifikuar tani, më shumë mundësi, interesa dhe gadishmëri politike dhe institucionale, rajonale dhe ndërkombëtare për ta bërë rrugën Durrës –Prishtinë të lidhur me korridorin e Nishit dhe rrugën e Beogradit, një nga korridoret rajonale më të fuqishme, arterie të fuqishme të lëvizjes së lirë të mallrave, të kapitaleve dhe të njerëzve në Ballkan, kompetitive dhe komplemtare, pra bashkëshoqëruese të korridoreve të tjera, pra Veri-Jug dhe Lindje – Perëndim. Dhe nuk besoj, se ashtu si në rrugët e Kosovës, në institucionet e Kosovës, në tregun e Kosovës, edhe në rrugët që lidhin Shqipërinë me Kosovën, nuk do të lëvizin serbë, sllavë, apo nuk do të lëvizim bartësit dhe ndërtuesit e kësaj demokracie multietnike, që po e bën Ballkanin një realitet evropian, krejt të ndryshëm nga historia.

Zoti Gashi, besoj e ndoqët përgjigjen e Kryeministrit Nano. Ju falënderoj që ishit në lidhje me ne. aktualisht RTVK ka humbur shumë shikues, që janë pushues në Shqipëri, dhe Tv Klan fitoi shumë prej tyre sot. Shpresoj që të rilidhemi dhe këto të jenë pjesë e integrimit, që mesa duket, është shumë më i shpejtë dhe më i menjëhershëm i rrugës Durrës – Kukës – Morinë. Rikthehemi përsëri në intervistën tonë të drejtpërdrejtë. Zoti Kryeministër, një nga problemet, besoj më të rëndësishme, me të cilin do të jeni të detyruar të përballeni është problemi i energjisë. Madje, do të thoja, që ditën e parë që jeni ulur në karriken e Kryeministrit ka filluan një kufizim i energjisë prej 5 orësh në ditë. Si do të zgjidhet ky problem? Dimri është përpara, niveli i hidrocentraleve është më i ulëti i regjistruar në 10 vitet e fundit. Dua të jeni sa më konkretë në përgjigjen tuaj në këtë rast.

Nuk besoj se mund të vazhdojë të qëndrojë, të kultivohet apo të përballohet në mënyrë spekulative ankthi i errësirës përballë çdo qeverie, sepse edhe në fushën e ballancimit të konsumeve energjitike me resurset, tashmë hyjmë më të përgatitur dhe me një vizion strategjik më të qartë, më të konsoliduarr. Edhe situatë emergjente nuk ka. Ajo që duket si rifillim i ndërprerjes së furnizimit, për pak orë dhe për pak pjesë të territorit, është një pasojë e njohur e programuar për këtë stinë që lidhet me hyrjen pjesë pas pjese në remont të linjave të tranzitit dhe të furnizimit rajonal, të cilën ne e kompesuam menjëherë. Ndërhyra vetë, drejtpërdrejt, për të kompesuar, jo vetëm humbjen e pjesës së energjisë që merrnim nga termocentrali i Obiliqit në Kosovë, që ra në difekt për shkak të rrufesë, por edhe atë pjesë të konsiderueshme që merrnim nga Podgorica, linja veriore e tensionit të lartë përcjellës ka hyrë në remont, duke kontaktuar me ministrin grek të Energjisë e të Ekonomisë, numrin dy të PASOK-ut, Xoaxopulos, për të dyfishuar tranzitin, dhe shpresoj dhe për të marrë një sasi energjie borxh që do ta shlyejmë në muajt e mëpasshëm. Kjo është emergjenca, e cila po përballohet me nivelet e programuara, por edhe të vetëdisiplinuara të konsumit të baseneve. Sot jemi në nivelet 269 e pak metra të Fierzës, 270 është e planifikuar kuota e Fierzës për muajin gusht-shtator. Ka një rritje të prurjeve për shkak të shirave që na dërgoi perëndia këto ditë, nuk them se ia dërgoi mazhorancës. Kur rrebeshi është progres, lë edhe ndonjë pasojë, natyrisht, duhet të investojmë edhe drenazhimin e pasojave, përfshi edhe Tiranën, kanalet. Tirana ka një autoritet të pavarur dhe të sukseshëm tashmë, kryetarin e Bashkisë Rama, që duhet të pushojë disa ditë, apo jo!
Unë besoj se, tashmë, janë identifikuar programe dhe aktorë të fuqishëm, vendas dhe ndërkombëtarë, që do të na çojnë në periudhën afatmesme në ekuilibrimin e ballancës energjitike.

Sa është periudha afatmesme?

Periudha afatmesme është e lidhur me programin e kësaj qeverie, me të 35 muajt, me të cilët u votëbesuam në Kuvend, dhe ajo ka të bëjë me disa komponentë. E para është ndërhyrja e shpejtë, duke filluar që nga java e parë e tetorit. Në një periudhë, që mbyllet brenda 9 muajsh, pra deri në mesin e vitit të ardhshëm, në ballancimin e sistemit energjitik vendas me termocentrale të lëvizshme, të vendosur mbi anije, në det, të shpërndarë në mënyrë të studiuar për të ndërhyrë në pikat nevralgjike të sistemit dhe për të ballancuar në një dinamikë rritjeje, pikun e konsumit përballë prodhimit.

Është një kosto e përballueshme, zoti Kryeministër?

Do të prodhohet dhe blihet kjo energji me kosto më të ulët sesa prodhimi lokal, dhe, ajo që e bën të besueshme këtë gjë, ne jemi në nivelet e para të bashkëpunimit, është që ky program dhe investim do të mbështetet nga kompania më e madhe e energjitikës në botë, nga "General Elektrik" nga SHBA, me gjithë infrastrukturën rajonale që ajo ka, natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Shqipërisë dhe me Ministrinë e Energjitikës, e drejtuar nga z. Doda. E dyta janë komponetët e ndërtimit në periudhën afatmesme e tutje të disa burimeve termoenergjitike në vend, siç është termocentrali që Banka Botërore ka nisur të identifikojë financime dhe ka programuar fillimin e ndërtimeve në afatin e mesëm 3 vjeçar.

Sa parashikohet ky financim, sa kërkohet për një termocentral të tillë?

Më lejoni të mos gënjej tani për shifra dhe besoj se ne po fillojmë sot një cikël kontaktesh me vlrat e qeverisë së re, dhe le t'ia lejmë z. Doda ca asete ekskluzive. Pra, do të thosha që ky ishte për investime në shtimin e burimeve energjitike. E dyta është investimi në menaxhimin e sistemit.

Ka përmirësime ndërkohë…

Jo thjesht administrimi i faturave dhe ulja drejt mënjanimit të humbjeve në rrjet apo të vjedhjeve të energjisë. Është fjala për menaxhimin makro të sistemit, si dhe për futjen në privatizim të nënsistemeve,të konsumit, të shpërndarjes dhe më pas të prodhimit. Qysh tani janë gati një numër hidrocentralesh të vegjël lokalë, që do të jepen me koncension për përdorues dhe prodhues privatë vendas apo të huaj dhe, në total, ne mund të ndërhyjmë në periudhën 12 mujore me një investim shtesë në burimet energjitike prej 230 megavat. E treta, ne do të punojmë me shumë përparësi dhe ritëm për të integruar sistemin energjitik shqiptar me atë Kosovës dhe me rrjetin e kompesimeve të energjive të ndryshme në rajon, termo apo hidro, dhe le të mos buzëqeshë ndonjë përfaqësues i opozitës, kam respekt për përfaqësuesit profesionistë të opozitës. Në debatin parlamentar, kur u votëbesua qeveria, u lejuan edhe shaka. Kur llogaritim edhe dy miliardë kilovatorë në vit energji potenciale për shkak të kushteve klimatike dhe gjeografike që ka Shqipëria nga energjia diellore dhe ajo e erës.

Mullinjtë e erës z. Nano?

Po, si mulliri i Zhyljenit në Durrës, për shembull, ose, le të lemë Zhyljenin, fshatarin durrsak mënjanë, dhe le të flasim për mullinjtë hollandezë të energjisë. Shqipëria ka kushte atmosferike që nuk besoj se ne do të lejonim në mënyrë kaq naive të mendonte cilindo, publiku, një pjesë e tij, apo media, se në Shqipëri vetëm duhet të prodhojë qeveria energji, apo vetëm energjitë e mëdha duhet të mbulojnë të gjitha nevojat e konsumit. Pra, ne do të përfshijmë në këtë program, tashmë të strukturuar, të gjitha burimet alternative dhe sistemet e integrimit të energjitikës kombëtare me rajonin dhe me gjerë.

Zoti Kryeministër, pa vënë në dyshim vlerat e ministrit Doda, që ju nënvizuat disa herë. Ky, do të jetë një dimër i errët, apo jo?

Natyrisht që do të jetë më i errët se vera sepse fluksi i ndriçimit të diellit pakësohet, por nuk do të ketë asnjë traumë dhe asnjë kthim mbrapa në furnizimin e popullisë me norma të disiplinuara dhe me disiplinën e likujdimit të energjisë, gjithnjë e më nxitëse, duke i dhënë përparësitë e duhura dhe motorrit të sipërmarrjes, furnizimit të bizneseve, të cilët natyrisht do të duhet të diferencohen edhe nga pikëpamja e çmimit. Liberalizimi i çmimit dhe privatizimit i sektorëve të shpërndarjes do të sjellë nivele të ndryshme çmimesh në treg, sepse nuk mund të integrohesh në botën moderne apo në tregun global vetëm me sistemet e import-eksportit, edhe të energjisë, por duhet të integrohesh edhe me institucionet dhe sistemet e konsumit, të menaxhimit, por edhe me çmimet.

Zoti Kryeministër, para se të hyj në bllokun e dy tre pyetjeve të fundit, që janë diçka më ndryshe, duhet t'ju bëj edhe një pyetje, që lidhet me programin e qeverisë suaj, apo, më saktë, është një pyetje që ka ngjallur mjaft debat në media, por edhe më gjerë, në forum të tjera. Është hedhur ideja për një amnistie fiskale dhe të shpejtë, ose të menjëhershme në Shqipëri. Sipas jush, a është kjo e realizueshme dhe cilat mund të jenë pasojat?

Unë nuk besoj se mjafton ky term apo ky sensibilitet për të dhënë, kapur, përshkruar gjithë sensin e paketës së reformës financiare dhe bankare, që ka programi i qeverisë që unë kryesoj. Synimi i kësaj reforme, po e përjashtoj që në fillim, nuk është amnistia për para të qelbura, për kapitale të krijuara me veprimtari të paligjshme, me trafiqe, me abuzim posti shtetëror apo politik, apo me lidhje të kriminalizuara me qendra të tjera të prodhimit të parave të fëlliqura në rajon dhe në botë. Synimi i kësaj reforme është të sulmojë me mjete ligjore, me programe standarte, me institucione të fuqishme tregu, me institucione financiare dhe bankare, në bashkëpunim të ngushtë, më të shumtë se deri më sot, në një partneritet akoma më efikas se deri më sot me BB dhe FMN, me komunitetin bankar privat dhe publik në Shqipëri dhe në rajon, natyrisht në kuadrin e procesin të përafrimit dhe të nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE, karakterin informal të ekonomisë shqiptare, sektorët që në 4/5 e vlerave që qarkullojnë vazhdojnë të lëvizin në hije. Pra, kjo reformë ka tre komponentë, sepse, duke forcuar penalitetet fiskale, për të luftuar evazionin fiskal, duke kuruar dizinsentivat ose mungesën e stimujve që sjell legjislacioni apo administrimi i atributeve të legjislacionit fiskal ekonomik në marrëdhëniet midis administratës dhe bizneseve, sipërmarrjes, në përvojën e 4 - 5 viteve të fundit, ne do të bëjmë të mundur që bizneset të nxiten për të sjellë banka, në institucione legale të tregut monetar dhe të transaksioneve kapitale, gjithashtu, asetet e vërteta, të cilat, sot, duke qëndruar në hije, sjellin ekonomi të hijes edhe në tregun e punës, pra një numër të madh punonjësisht të pasiguruar, sjellin mungesë likuiditeti në bankat më të mëdha kombëtare, apo sjellin kufizim shumë të ndjeshëm të mundësive të bankave për të kredituar bizneset, dhe lëvizin në duar të pasigurta, lëvizin në biznese të paqarta, të cilat nuk të lejojnë të kalkulosh prespektivën e investimit dhe të shlyerjes dhe të kapitalit që investohet, apo lëvizin edhe në kanalet e trafiqeve, të korrupsionit, të rryshfeteve, të trysnisë së jashtëzakonshme që ushtron ekonomia informale, mbi administratën, mbi institucionet, mbi gjyqësorin, mbi policinë, mbi politikën po të doni. Pra, ky është komponenti i parë, nëpërmjet kurimit të dizinsentivave, forcimit të disiplinës fiskale, dhe krijimit të një klime atraktive në marrëdhëniet e administratës dhe të qeverisë me biznesin, ne duam që nga 27 firma që duhet të marrë një biznes i ri për t'u hapur të kalojmë në 5-6 firma administrative, të bëhet e mundur që numri dhe fluksi i subjekteve dhe i kapitaleve që deklarohen dhe regjistrohen, të rritet dukshëm, me synim që për këtë fluks dhe për këta subjekete të krijohet dhe strutkturohet me negociata dhe dialog transparent një partneritet i programuar afatgjatë i biznesit me qeverinë për prioritetet dhe programet prioritare të zhvillimit kombëtar të integrimit, që nga infrastruktura deri te shërbimet dhe turizmi, që nga privatizimi i aseteve më të mëdha, ende në duart e publikut, pra të sektorit publik, deri te partneriteti me grupet e mëdha financiare dhe sipërmarrëse të huaja që po afrohen në Shqipëri për shkak të klimës më të qetë dhe të sigurt krijuar, që lidhet me politikën dhe me funksionimin e institucioneve. Pra, subjektet që do të pranojnë të bashkëpunojnë me shtetin sipas ligjit, jo bartësit e parave të qelbura dhe të pasurive të krijuara në mënyrë të paligjshme, do të favorizohen duke iu dhënë edhe koncensione në zonat me prespektivë të sigurtë zhvillimi, siç janë zonat bregdetare, zhvillimi i turizmit në to, si edhe pjesëmarrja në modernizimin, ekonomizimin dhe privatizimin e sektorëve të rëndësishëm, siç janë telekomunikacionet moderne, siç janë bankat ende në duart e sektorit publik dhe të tjera facilitete dhe epërsi, që do të vijnë nga bashkëpunimin me kapitalin e madh privat të huaj sepse edhe investimet direkte po shtohen.

Zoti Kryeministër, do të kaloj tani, sikurse e thashë, te pyetjet e fundit, që janë diçka më politike, ose që kanë lidhje edhe me ju. Pak ditë më parë, një nga ministrat e kabinetit të zotit Gjeoregjevski, Boshkovski, vizitoi Prespën, një fshat minoritar, jo edhe aq, në kufi me Maqedoninë dhe bëri disa deklarata, të cilat janë komentuar në mënyrë negative nga shtypi shqiptar dhe janë pritur shumë ashpër, pothuajse nga të gjitha qarqet politike në vend. Ju, si e komentoni këtë vizitë dhe cila është përgjegjësia e qeverisë në këtë drejtim?

Unë nuk besoj se qeveria duhet të emocionohet, si një pjesë e medias, sepse më rezulton që qytetari Boshkovski, politikisht unë e kam cilësuar "skifter" para pak kohësh…

Qytetar i shoqëruar nga roje të armatosura…

…qytetari Boshkovski, ministri Boshkovski, ka hyrë sipas të gjitha rregullave në territorin e Shqipërisë, duke dorëzuar armët e eskortës së tij personale në pikën kufitare, pra në duart e policisë sonë së kufirit, duke paguar taksën e tranzitit të kufirit, për pjesën tjetër, se ai, me pasaportë diplomatike ka të njëjtin privilegj si ne, politikanët shqiptarë, apo qeveritarët, dhe, përpara tij, përsëri si qytetarë të lirë, kishin kaluar 70 shtetas maqedonë sllavë, të cilët u mblodhën në takimin që ai organizoi në Liqenas. Dhe, e gjitha kjo rezulton në një, si tha edhe një nga ministrat që unë dërgova atje, zoti Blushi, në një teatër politik.

Turizëm politik.

Apo turizëm politik, sepse në Maqedoni po afrohen zgjedhjet pas pak javësh.

Në mes të shtatorit.

Dhe unë nuk do t'ia uroja Boshkovskit fitoren, do t'ia uroja Arbën Xhaferrit, përshembull, por Boshkovski ka kaluar në teatrin e turizmit politik absurd, sepse ka bërë një miting elektoral në Liqenas, kur banorët e Liqenasit nuk besoj se do të do të lejoheshin nga institucionet elektorale në Mqedoni të manipuloheshin zgjedhjet dhe të shkonin të votonin për Boshkovskin matanë. Nga kjo pikëpamje, unë besoj se fenomene si Boshkovski janë ca rudimente të së kaluarës së marrëdhënieve të përjashtimit etnik në Maqedoni, në Ballkan në tërësi. Qytetarët shqiptarë, edhe ata me kombësi maqedonase në Liqenas, ku gjithashtu ne jemi në mazhorancë, janë shumë më të zhveshur se zoti Boshkovski nga këto emocione dhe, ekzakt në funksion dhe të klimës që krijoi ky incident, qeveria menjëherë dërgoi në zonë ministrin e Pushtetit Lokal dhe Decentralizimit për të identifikuar nevoja prioritare, që i bënë edhe disa prej qytetarëve të intervistuar nga media të kërkonin më shumë vëmendje, por jo nga shteti maqedonas. Dhe nuk besoj se mund të zgjatet më shumë diskutimi për një incident që ka rrezik t'i kushtojë nga pikëpamja elektorale zotit Boshkovski.

Zoti Kryeministër, sikurse e thamë edhe në fillim të emisionit, një e përjavshme prestigjioze italiane ka hedhur disa akuza ndaj jush, flas për të përjavshmen "L'Espresso", akuza, të cilave ju u jeni përgjigjur me një padi që keni bërë në gjykatën e Romës, mediat e kanë komentuar gjerë e gjatë këtë. Por, unë doja t'ju pyesja më hollësisht. Sipas shtypit, ju keni bërë një padi, me të cilën kërkon dëmshpërblim. Mbi ç'bazë është ngritur kjo padi dhe çfarë dëmshpërblimi keni kërkuar nga revista në fjalë?

Nuk jemi akoma kaq larg, domethënë në formalizimin e shumave, sepse nuk janë dëmtuar xhepat apo pasuria ime, aq më pak fondet publike që administron qeveria. Por, meqenëse edhe gjykatat italiane në gusht pushojnë, unë kam hyrë në kontaktet zyrtare me disa, 2-3 studio, s'kam zgjedhur ende, të mëdha legale avokatie në vendin fqinjë, në Itali, për të vazhduar procesin sapo të rihapen gjykatat. Ndërsa sot, u paraqit në redaksinë e "L'Espresso" dhe "Unita", ambasadori ynë në Itali, Pëllumb Xhufi, me një kërkesë legale, formale dhe etike, dhe me një tekst, që revista dhe gazeta detyrohen ta botojnë duke përgënjeshtruar ose duke saktësuar informacionin e rremë që kishin botuar. Nuk më takon të shqetësohem më shumë se kaq. Unë po bëj detyrën për të mbrojtur integritetin e qeverisë dhe të politikës shqiptare, mbi të cilën është hedhur shpesh baltë, në mënyrë sporadike, nuk është se "L'Espresso" apo "Unita" janë armiqtë e politikës apo qeverisë shqiptare, nga segmente, pjesëza, organe të ndryshme të shtypit italian. Nuk besoj se me këtë incident të radhës mund të kualifikonim zyrtarisht apo politikisht këtë apo një pjesë më të madhe se kaq të medias italiane si kultivuese të racizmit ksenofobist. Më lejoni të them batutën e kafes ekspres me çikore, e thashë për të saktësuar se asnjë nga elementët e atij që sillet si informacion në shkrimin e "L'Espresso"-s nuk ekziston.

Gazetarët thonë se i referohen shërbimeve sekrete, informacioneve të shërbimeve sekrete.

Ky është një spekullim i madh dhe unë me avokatët e mij do ta provojnë në çështjen penale ose civile që do të pasojë, sepse në njohuritë e mia modeste, (ju më numëruat sa herë kam qenë Kryeministër,) edhe nga kontaktet që kam me shërbime të specializuara, edhe italiane, më rezulton që jo, sepse ato nuk drejtohen nga zoti Klosi, kuptohet, po sepse është shkelje e ligjit që ato të shesin te paparacët informacionet e shërbimit sekret. Informacioni i shërbimeve sekrete edhe në Shqipëri është një informacion i klasifikuar dhe që administrohet si sekret shtetëror dhe nuk besoj se që Papajani nga Vlora do të ketë ndonjë të madhe që paska marrë ndonjë gjë ekskluzive atje, sepse paska korruptuar shërbimin sekret italian, përpara se malavita të më korruptojë mua. Dhe nga kjo pikëpamje është një spekullim i madh, sepse, edhe në rastet kur shërbimi sekret identifikon informacione për veprimtari kriminale, ato konsumohen nga drejtësia, nga prokuroria dhe gjykatat në mënyrë specifike. Edhe ju, edhe media ka pasqyruar raste të tilla, kur janë administruar nga prokuroritë dhe gjykatat, prandaj dhe gjithë kjo histori, më lejoni ta quaj në mënyrë pozitive, mesa duket qenka pjesë e matricës së integrimit, sepse edhe qytetarët apo politikanët shqiptarë mund të përdorin gjykatat italiane për shpifje të pabaza.

Ose për tu dëmshpërblyer.

Dëmshpërblimin, natyrisht, nuk do të marr ndonjë vendim qeverie, por besoj se nuk do ta përdor të gjithin për vete.

Zoti Kryeministër, dhe pyetja e fundit. Tashmë që keni ardhur në krye të ekzekutivit dhe ju takojnë një sërë privilegjesh si Kryeministër i vendit. Do të zhvendoseni nga apartamenti, ku banoni, në vilën qeveritare?

Tani është koha e më shumë se një shtëpie, apo jo, jo për të gjithë. Dhe mezi e përfundova. Kjo prova, siç e quajtëm në fillim, këtë radhë më kapi në përfundim të apartamentit të ri, dhe e dashuroj shumë atë apartament, e kam bërë me një pjesë të investimit tim afektiv, shpirtëror, njerëzor dhe nuk do ta braktis. Këto ditë kanë hapur një kafe me të gjitha rregullat, me lejen e Bashkisë, te shkallët e hyrjes së pallatit ku banoj unë, dhe atje ka filluar të bëhet kafja më e frekuentuar, në lagje të paktën, sepse është vendi më i sigurtë ku mund të takosh Kryeministrin. Por nuk besoj se Kryeministri nuk duhet të lëvizë dhe të sigurojë herëpashere kushte më të sigurta pune dhe jetese, siç presupozon ligji për personalitetet shtetërore, siç presupozon ligji, madje, edhe për ish-kryeministra, ish-presidentë, të cilët kanë një mbrojtje të veçantë, por jo në rezidenca.

Por që nuk kanë të drejtë të marrin zyra, përshembull.

E trajtuam këtë çështje edhe me zotin Moisiu, dhe besoj se ju nuk do të harroni të ma bëni pyetjen e marrëdhënieve me të, e kam me humor shoqëror këtë të fundit, dhe zoti Moisiu e kishte trajtuar me shumë njerëzillëk këtë edhe me paraardhësin e tij Meidani, të njëjtën çështje. Unë gjeta dhe anullova një urdhër të nënshkruar orët e fundit nga paraardhësi im Majko për t'i kaluar zotit Meidani zyrat që përdori përkohësisht zoti Moisiu në muajin nga zgjedhja deri në bërjen e betimit, dhe u detyrova ta anulloj sepse nuk ishte i mbështetur në ligj. Dhe, më në fund i dhamë këtë karar me z. Moisiu, karari nuk është shkelje e ligjit, por është ai moral, ajo filozofi, që vjen nga anekdoda e vjetër jo vetëm shqiptare e plakut që po mbillte në pleqërinë e thellë një ulli dhe një i ri që kaloi i thotë: "Ti do vdesësh, pse e mbjell?" Dhe plaku tha: "Mbollën të tjerët hëngra unë, tani të mbjell unë të hanë të tjerët". Këto vakume në ligj nuk mund të plotësohen për shkak të mbiemrave.

Kjo barcaletë nuk duhet të jetë e vlefshme për zotin Moisiu, zoti Nano.

Dhe nuk besoj se zoti Moisiu është kaq plak sa të mos mundim ta korrigjojmë me institucionet ligjore këtë vakuum që ekziston. Por, çdo ligj nuk ka fuqi prapavepruese, më lejoni t'jua rikujtoj.

Atëhere, zoti Kryeministër, ju falënderoj që ishit sot i pranishëm në studion e Tv Klan. Ju falënderoj jo vetëm në emër të teleshikuesve tanë, por edhe atyre të valëve të territorit të TVSH dhe të RTVK. Shpresoj që të kaloni sa më mirë dhe sa më me efikasitet në apartamentin dhe zyrën tuaj të re, meqënëse po hyni në dy ambiente të reja njëkohësisht.

Ju falënderoj për këtë mundësi që më dhatë, për të risjellë një kontakt ndryshe nga të derisotmit, ndryshe madje edhe nga intervistat kryeministrore të '97 – '98, nga ju.

Që kanë qenë shumë më formale, natyrisht.

Por, ajo që më duhet të gëzoj dhe të shijoj, modestisht për këtë muaj, është të punoj me gjithë qeverinë kur të gjithë të tjerët kanë ikur me pushime. Më lejoni të them që nuk ka komoditet më të madh, jo sepse qeveria është jashtë vëmendjes së njerëzve, por sepse ne po përgatitemi për kontakte shumë frytdhënëse me Kuvendin dhe institucionet e tjera sapo të fillojë sesioni i ri legjislativ.

Zoti Kryeministër, faleminderit!

Ju lutem!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›