E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti President, unë ende besoj te Ju!

Alfred Viçishta/ qytetar, Gjermani

I nderuar Zotni President! Zgjedhjet mbaruan dhe të gjithë votuam. Tani është koha që ju të veproni. Ju pranuat të bëheni simboli i kombit, komandanti i shqiptarëve, por po tregoheni i pafuqishëm për të vepruar. Më 22 Korrik Ju festoni vitin tuaj të parë në detyrë, por gjithsesi mua më intereson roli juaj tani, në këtë periudhë delikate, deri në dorëzimin e pushtetit, forcës politike që shqiptarët votuan më 23 Qershor dhe i dhanë mandatin për të qeverisur për 4 vitet e ardhshme. Berisha është egërsuar dhe duket se ai dhe familja e tij po transferojnë me aeroplan privat ato çka i vodhën shqiptarëve këto 8 vjet. Rrugëve të Shqipërisë kanë dalë përsëri maskat dhe kanë filluar gjuetinë si në vitin e mbrapshtë 1997. Viktimat e para janë familjet e shqiptarëve që vijnë nga jashtë për pushime në bregdetin e tokës amtare. Policia është e zënë me fushatën e Bashës dhe Olldashit, që se kanë kuptuar akoma se zgjedhjet për të qeverisur Shqipërinë kanë mbaruar dhe se Edi Rama ka fituar. Ata të dy, miqtë tuaj, që duan të kryesojnë opozitën e ardhshme, Luli dhe Sokoli, nuk mund të luajnë njëkohësisht rolin e Saliut duke sharë Edi Ramën. Njëri duhet të bëjë rolin e Berishës dhe tjetri të marrë përsipër rrolin e Ramës, sepse përndryshe do të kemi një estradë amatoreske, ku njëri është aktori dhe tjetri sufleri i tij. Zotni President, ju tani keni shansin e madh historik të tregoni se nuk jeni një Marionetë, një kukull me telekomandim. Ju duhet të jeni garant i Kushtetutës dhe i rendit, i Mbikëqyrësit të kalimit paqësor dhe pa trazira të pushtetit nga ata që e humbën, tek ata që e merituan me votë. Unë akoma besoj tek Ju. Unë besoj se ju jeni në gjendje të veproni në përmbushje vetëm të Kushtetutës dhe të qenit simbol i unitetit kombëtar, pavarësisht sesi u zgjodhët në atë detyrë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›