E Diel, 1 Nëntor 2026

Zoti Topi, presidenca nuk është si bar “Ashiku”, vendtakimi yt me Ramën…

02-08-2011 / Gazeta 55

Kryetari i shtetit s’po arrin të kuptojë edhe në përfundim të mandatit se me presidencën s’mund të sillesh si në një punishte private apo si në klube ku arrihen edhe pazare jomorale. Me votën e 8 majit si dhe me mbajtjen peng të Ligjit për Parlamentin e ri, Bamir Topi po konfirmon se mendon veç për pazaret me Edi Ramën, duke u shndërruar në një kuadrovik të regjur të PS-së së Rexhepit, Namikut e Servetit

Skadimi i afatit të dekretimit të ligjit për prishjen e Piramidës është çështje ditësh. Presidenti Bamir Topi, me shumë gjasa, për deri sa po konsumon afatin ligjor, duket është duke u menduar për mos dekretimin e tij. (Mos)dekretimi apo jo, i një ligji nga Presidenti, është e drejtë e tij “ekskluzive”.
Një ligj më shumë, një ligj më pak i (mos)dekretuar nga Presidenti, në “komunitetin” e numrave, nuk është asgjë... Sepse..., sepse..., bie fjala, vetëm pak ditë më parë, Presidenti dekretoi nëntë ligje, dhe “për të prishur syrin  keq”, i takon që të dhjetin të mos e dekretojë.
Por, kjo “logjikë” ka vend, vetëm kur flitet për ligjet si numra...
Ndërsa kur flitet, për impaktin, sensibilitetin, ndjeshmërinë dhe zhurmnajën që shkaktojnë ligje të caktuara, “logjika” merr një tjetër rrjedhë... Sepse..., sepse.., Presidenti, për kohën që mban këtë post, mund “të kalojë nëpër duar” 100 apo 1000 ligje, mund të dekretojë 98 apo 998 prej tyre, në dukje shumë, por ama mos dekretimi i ligjit të Lustracionit, rreth një vit më parë dhe mos dekretimi “i mbetur në tentativë” i ligjit për prishjen e Piramidës, janë shumë më shumë se 98, apo 998 ligjet që Presidenti mund të dekretojë. Raportet në këtë rast përmbysen dhe logjika e numrave bie poshtë, sepse këto dy ligje, njëri i mos dekretuar dhe tjetri në pritje të mos dekretimit të mundshëm, zhvlerësojnë pretendimet e Presidentit se ai vjen, apo i përket shtresës të së persekutuarve..., dhe për pasojë pse të mos i lejojmë vetes, ta “klasifikojmë atë (Presidentin), në listën e shoqatës së “Vullnetarëve të Enverit”. Përfshirja e mundshme e Presidentit në këtë listë të mundshme, nuk do të thotë se ai është thjesht dhe vetëm një numër. E thënë ndryshe, “logjika” e numrave sërish “nuk i bën vend vetes”, as në këtë rast..., por ama kjo nuk do të thotë, që emri i Presidentit Bamir Topi në këtë listë, të mos i bëjë nder asaj (listës)...
Një nder kaq i madh, ndaj hartuesve e promovuesve të listës së “vullnetarëve të Enverit” që çirren e gërthasin për mos prishjen e Piramidës, sigurisht që nuk bëhet “falas” nga një person (President), që pretendon se i përket shtresës së peresekutuarve. Për deri sa nuk bëhet “falas”, atëherë, bëhet me një “çmim të lartë”...
Kjo është shumë më shumë e pranueshme, sepse..., sepse..., në tri vitet e fundit Presidenti ka demonstruar se mund të sillet në presidencë si në afera private, si në punishte private, si në marrëveshjet private që bëhen lart e poshtë e sikurse media thotë se të gjitha këto, Bamir Topi i ka konsumuar edhe me Edi Ramën te bar “Ashiku”...
Në këtë kontekst, të aferave, punishteve apo marrëveshjeve  private, është më se e pranueshme ekzistenca e rikonfirmuar e binomit Bamir Topi – Edi Rama. Aq e rikonfirmuar është kjo ekzistencë, sa i pari (Bamir Topi), për llogari të të dytit (Edi Ramës), çfarë nuk ka bërë... Më saktë, ka bërë mos dekretimin e ligjit të Lustracionit për nder të Edi Ramës..., jo vetëm për lidhjet afektive të tij (Edi Ramës) me të prekurit nga ky ligj... Gjithashtu, po përgatitet të bëjë mos dekretimin e ligjit për prishjen e Piramidës, për nder të Edi Ramës..., jo vetëm për lidhjet afektive të tij (Edi Ramës) me këtë simbol... Këtu ka vend për aludim edhe për lidhje afektive të Bamir Topit me këtë “objekt kulture, që duhet të mbrohet nga shteti”, për kohën ku në shkallët e jashtme të këtij “objekti kulture, që duhet të mbrohet nga shteti”, shërbeheshin qofte zgare dhe salcë kosi...
Në kontekstin e aferave, punishteve apo marrëveshjeve private, është më se e pranueshme ekzistenca e rikonfirmuar e binomit Bamir Topi – Edi Rama edhe për sa i përket kontributit reciprok, për të faktorizuar njëri-tjetrin në politikë. Larg shërbimeve të secilit, për njëri-tjetrin, shërbime që datojnë që kur Bamir Topit i duhej një garanci për mos daljen e PS-së me një kandidat të sajin për President në vitin 2007, ndërsa kemi arritur në vitin 2011, ujërat kanë rrjedhur vrullshëm, kanë marrë përpara edhe 21 janarin, datën e “ngjarjeve në Bulevard”, edhe 8 majin, datë në të cilën, “gabimisht”  u mësua se Presidenti Bamir Topi jo gabimisht kishte votuar për Edi Ramën..., për të arritur te pengmarrja e reformës elektorale nga Edi Rama, nën kushtëzimin e “ndryshimeve kushtetuese”..., me bekimin  Bamir Topit.
Gjithë këto shërbime, (të paktën të Bamir Topit për Edi Ramën), pa qenë nevoja ti vëmë në kandar, në se Bamir Topi është shpërblyer për secilin shërbim, janë aq shumë, sa atij (Bamir Topit), ti gjendet edhe një vend në një tjetër listë, në atë të kuadrovikëve të lartë të PS-së... Qenia e tij (Bamir Topit) në këtë listë, nuk është asgjë më shumë se renditja e tij (Bamir Topit) në një skalion me Rexhepin, Namikun..., Servetin, etj...., etj...
Pse, a nuk do të kishte bërë edhe Namiku (Dokle) të njëjtët mos dekretime të të njëjtëve ligje, në se do të kishte fituar garën për President përballë Ramiz Alisë në vitin 1991...?
Por, Rexhepi (Meidani), a nuk do të kishte bërë të njëjtët mos dekretime ligjesh, në rast se “do ti kalonin nëpër duar”, për kohën që ai ishte President...?
Pse të mos e bëjë të njëjtën gjë edhe Bamir Topi, i cili është përfaqësuesi më “aktiv” i kësaj liste..., për momentin...?!

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›