PD dhe “Aleanca për Qytetarin”, fituese edhe në zgjedhjet e pjesshme lokale
Në 5 nga 9 njësitë zgjedhore ku u mbajtën dje zgjedhjet e pjesshme, kandidatët e mazhorancës kanë fituar ndaj rivalëve të tyre të opozitës, duke konfirmuar mbështetjen dhe trendin e verifikuar në zgjedhjet e përgjithshme të 8 majit
Koalicioni i Partisë Demokratike “Aleanca për Qytetarin”, rezulton të jetë fituese edhe në zgjedhjet e pjesshme vendore që u mbajtën të dielën e 31 korrikut. Sipas të dhënave të bëra publike nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, mazhoranca ka arritur të marrë kryesimin në katër komuna, atë Shllak të Shkodrës, Zall Dardhë të Dibrës, Pishaj të Elbasanit si dhe në komunën Armen të Qarkut Vlorë.
E vetmja problematikë e vërejtur pas procesit të numërimit ka qenë ai në komunën Finiq, ku ndonëse rezultonte fitues me 2 vota përpara kandidati i Partisë MEGA, pjesë e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, KQZ konfirmon që komisionerët e opozitës nuk pranuan të firmosin procesverbalin.
“Në komunën e Finiqit po bëhet një riverifikim i të gjitha të dhënave, pasi të dy kandidatët të cilët janë propozuar njëri nga MEGA dhe tjetri nga Partia për të Drejtat e Njeriut, janë do të thoja në një garë me një diferencë prej 1 apo 2 votash, çka e detyron KZAZ-në të shohë me vëmendje të gjithë materialin zgjedhor deri në nxjerrjen e një rezultati. Në njërën prej tyre, në komunën Mollas zgjedhjet ishin vetëm për këshilltarë, ku koalicioni Aleanca për Qytetarin, ka marrë një mazhorancë dërrmuese”, u shpreh Olli. Por, dje gjatë orëve të vona të natës, KQZ informoi se pas verifikimit të problematikës së vërejtur në komunën Finiq, numërimi nisi rregullisht, ndërsa fitues u shpall kandidati i PBDNJ-së, me diferencë vetëm 1 votë. Rast ky tepër flagrant, ndonëse nuk bëhet e ditur nëse konkludimi i këtij procesi është brenda kuadrit ligjor, pasi raportimet e para konfirmonin fitues të Finiqit kandidatin e partisë MEGA, Ziso Lluci me 2 vota më shumë se rivali i tij, pjesë e koalicionit të majtë.
Ndërkaq, KQZ ka reaguar dhe lidhur me mos mbajtjen e zgjedhjeve në komunën Shalë të Qarkut të Shkodrës, ku edhe të dielën e 31 korrikut, atje nuk u mbajtën zgjedhjet për kryetar komune dhe këshillin e komunës. Zëdhënësi i këtij institucioni Leonard Olli e cilësoi veprimin e Komisionerëve në këtë KZAZ një krim elektoral.
“KZAZ-ja nr. 42, në një përbërje me shumicë prej komisionerëve të opozitës dhe pse u vunë në dispozicion mjete ajrore nga Ministria e Mbrojtjes, Helikopterë, të cilët dërguan bazën materiale zgjedhore si në Shllak ashtu edhe në Shalë, në këtë të fundit si rezultat i ndërhyrjes së disa individëve të papërgjegjshëm, të cilët me apo pa dashje ky është një element që do ta përcaktojë drejtësia, krijuan një situatë të rëndë, krijuan një situatë bllokuese, duke bërë të pamundur dërgimin e bazës materiale në disa qendra votimi. Policia e Qarkut të Shkodrës ka ndërhyrë dhe sot na bën me dije se ka arrestuar 5 prej individëve të cilët kanë penguar zhvillimin normal të zgjedhjeve”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli.
Të dielën e 31 korrikut afro 30 mijë banorë të nëntë komunave iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e tyre lokalë si dhe anëtarët e këshillave komunalë, për katër vitet në vijim. Sipas KQZ-së në këto zgjedhje është shënuar një pjesëmarrje e lartë që arrin në masën 53 %. Ndërkaq, pritet që pas ripërsëritjes së votimeve në komunën Shalë, KQZ-ja të mund të bëjë edhe shpalljen e rezultatit final të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Të dielën e 31 korrikut u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme për qeverisjen vendore në 9 komuna të vendit. Procesi i votimit u zhvillua qetësisht në komunat, Shllak të Shkodrës; në komunën Zall Dardhë në Dibër; në komunën Mollas në Korçë; në komunën Kolsh të Lezhës; në komunat Pishaj dhe Papër në Elbasan; në komunën Qendër Skrapar në Qarkun e Beratit si dhe në komunat Armen e Finiq të Vlorës.