E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton buxhetin shtesë për vitin 2007

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi buxhetin suplementar për vitin 2007, prej rreth 28 miliard lekësh ose 300 milion usd. Ky buxhet do të mundësojë rritjen e rrogave, për kategori të caktuara, si dhe rritjen e dytë të pensioneve të ulëta, në shkallë vendi.

Kryeministri informoi se bazuar në buxhetin shtesë do të realizohet shpërblimi mbi pagën, i punonjësve dhe ekspertëve sipas titujve shkencorë. Në këtë mënyrë do të shpërblehen punonjësit me titullin profesor me 300 mijë lekë mbi pagën, specialistët e doktoruar jashtë shtetit dhe asistent profesorët,me 250 mijë lekë, punonjësit me titullin doktor shkencash me 200 mijë lekë, ekspertët që kanë kryer master pasuniversitar jashtë shtetit me 180 mijë lekë, si dhe të gjithë ata që e kanë kryer masterin në vend me 100 mijë lekë.

Kryeministri theksoi se vëmendja e treguar për shpërblimin sipas titujve shkencor shënon një risi dhe një përpjekje për ta bërë administratën më tërheqëse për forcat e kualifikuara.

Kryeministri Berisha gjithashtu u shpreh se fondet e buxhetit shtesë do të përdoren për të mbështetur ndërtimin e veprave të rëndësishme infrastrukturore. Kështu këto fonde do të përdoren për financimin e pjesës dërrmuese të autostradës Durrës-Morinë por gjithashtu edhe për dy akse të tjera të tjera rrugore, autostradën Korçë- Qafë-Pllocë dhe aksin Bllacë –Bulqizë, prej 17 kilometrash të Rrugës së Arbrit.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha, ndër të tjera u shpreh:

"Kjo mbledhje i kushtohet tërësisht buxhetit suplementar. Është viti i dytë në historinë e këtij vendi që qeveria ia del të paraqesë buxhet të dytë në qershor jashtë të gjitha parashikimeve të institucionevce ndërkombëtare, FMN-së dhe institucioneve të tjera. Buxheti suplementar ka një avantazh shumë të madh sepse bën të mundur rritjen e rrogave, rritjen e dytë të pensioneve dhe në këtë kontekst duhet të theksuar se pa këtë buxhet një rritje e tillë e rrogave do të ishte e pamundur.

Sërish këtë vit qeveria rrit rrogat e arsimtarëve me 22 për qind, rrogat e mjekëve me 20 për qind , të infermierëve me 22 apo 23 për qind, si dhe rritje të pagave nga 8-18 për qind, të punonjësve të tjerë buxhetorë, duke mos u ndalur në grupe të caktuara që shkojnë deri në 74 për qind, por këto janë grupe të vogla. Në këtë mënyrë realizojmë rritjen e dytë më të madhe të pagave. Ko rritje është më e madhe se sa e vjetshmja sepse në vlerë, ajo bëhet mbi bazën e rritjes së vjetshme, duke kompensuar në këtë mënyrë taksën e sheshtë dhe duke bërë një hap të madh në investimin në burimet njerëzore.

Në këtë kontekst vendosëm, që bazuar në këtë buxhet të shpërblehen me 300 mijë lekë mbi pagën, punonjësit me titullin profesor, me 250 mijë lekë, specialistët e doktoruar jashtë shtetit dhe asistent profesorët, me 200 mijë leke me titullin doktor të shkencave, me 180 mijë lekë të gjithë ekspertët që kanë kryer master pasuniversitar jashtë jashtë shtetit, si dhe me 100 mijë lekë, të gjithë ata që e kanë kryer masterin në vend. Në këtë mënyrë vendosim për herë të pare bonuset e domosdoshme për gradat e titujt shkencor, si një risi dhe si përpjekje për ta bërë administratën më tërheqëse për forcat e kualifikuara.

Krijohet një lloj ekuivalence në traitimet që bëhen në universitete për titujt dhe gradat shkencore dhe këtë e konsiderojmë shumë të rëndësishme. Efektet financiare të rritjes së rrogave dhe pensioneve janë të mëdha, por do të përballohen plotësisht nga ky buxhet. Gjithashtu do të bëhet rritja e dytë e pensioneve. Rritjen e parë të madhe të pensioneve ne e filluam në fillim të vitit. Në rritjen e parë vendosëm pensionin minimal 50 mijë lekë në fshat nga 34 mijë që ishte në mesataren e tij. Me rritjen që i bëjmë prej 10 për qind pensioneve të fshatit ato pësojnë një rritje prej 26 për qind në këtë vit, ndërsa pensionet minimale të qytetit me rritjen e dytë prej 5 për qind do të shënojnë një rritje prej 20 për qind. Rritja u referohet pensioneve të ulëta. Nga kjo rritje përfitojnë rreth 400 mijë pensionistë shqiptarë nga 517 mijë që janë në skemën e pensioneve. Kjo është një rritje shumë e ndjeshme, një rritje prej 20 për qind në qytet dhe 26 për qind në fshat dhe mendoj se është bërë një hap shumë i rëndësishëm, në drejtimin e duhur.
Fondet e buxhetit suplementar do të përdoren për financimin e autostradës Durrës-Morinë, pjesa dërrmuese e investimit, por do të përdoren edhe për dy akse të tjera të tjera rrugore, autostradën Korçë, Qafë-Pllocë dhe aksin Bllacë –Bulqizë, prej 17 kilometrash, Rruga e Arbrit. Ka një seri destinacionesh të tjera shumë të rëndësishme në ministritë e linjës, ku jam i bindur se ju do të kishit dëshirë të plotësonit listën e dëshirave tuaja, por pjesa dërrmuese e buxhetit i mbetet biznesit sepse janë ulur në mënyrë drastike taksat, do ulen edhe më tej. Është e mundur në skemën e pensioneve, që të ketë sërish një ulje në kontributin e sigurimeve shoqërore, megjithatë kjo është në diskutim dhe nuk është vendosur ende, sepse është një skemë në shqyrtim e sipër. Duhet me këtë rast të falenderoj të gjithë ata që bënë të mundur buxhetin suplementar.

5 miliard të këtij buxheti kalojnë për të mbulur deficitin e madh që krijohet nga importi i energjisë me çmimet 2 herë me të larta se vitin e kaluar. Jo vetëm në sasitë më të mëdha, për shkaqet që tani çdo shqiptar i ka të qarta, por dhe çmimet janë realisht dy herë më të mëdha dhe në këtë kontekst ne duhet të ndihmojmë KESH-in për të përballuar deficitin , megjithëse ka përmirësuar treguesit. Kjo sipërmarrje ka bërë një përmirësim të qartë të treguesve të saj, por sërish çmimi me të cilin shet dhe çmimi me të cilin importon janë jo pak larg njeri-tjetrit.
Ky është pak a shumë në vija të përgjithshme, kurse në detaje do të nisim diskutimin bashkërisht, për të dëgjuar edhe vërejtjet tuaja, megjithëse ato janë shqyrtuar nga ministria e financave me shumë vëmendje."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›