E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv/Ministri Poni: Procesi i aplikimit për kartat e identitetit në ritmet e dëshiruara

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, ka hedhur poshtë akuzat e kreut të partisë Socialiste Edi Rama në lidhje me ecurinë e procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të reja të identitetit. 

Zëvendësministri Poni priti dje në mesditë në një takim përfaqësuesit e misionit të OSBE-ODIHR-it, të kryesuar nga kreu i Departamentit të Zgjedhjeve Gerald Mitchell, ardhur në vendin tonë për t’u njohur me ecurinë e përgatitjeve të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 Qershorit 2009. Ai paraqiti në mënyrë të detajuar punën e kryer për krijimin e Regjistrit Elektronik Kombëtar të Gjendjes Civile, shpjegoi soliditetin dhe cilësinë e këtij regjistri në paraqitjen e të dhënave, lehtësirat e shkëmbimit të informacionit on-line dhe njëherësh sigurinë e të dhënave të këtij regjistri. Në këtë kuadër  Poni evidentoi faktin se për herë të parë falë këtij regjistri elektronike, lista paraprake e zgjedhësve është paraqitur katër muaj para ditës së zgjedhjeve, on-line në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e po kështu u është dërguar të gjitha njësive vendore. 

“Deri më 28 Maj 2009 kur do të gjenerohet lista përfundimtare e zgjedhësve ka kohë të mjaftueshme që zgjedhësit të gjejnë emrin në lista dhe adresën e qendrës së votimit dhe nëse është e nevojshme të kryhen të gjitha korrigjimet përkatëse, u shpreh zëvendësministri i Brendshëm. Gjithashtu ai saktësoi se procesi i përgatitjes së regjistrit elektronik është asistuar nga OSBE dhe Statistic Norëay dhe veçanërisht Ministria e Brendshme e Austrisë nga është marrë edhe softëare-i. 

Për sa i takon procesit të paisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime elektronike , Poni informoi përfaqësuesit e OSBE-ODIHR-it se mbi ecurinë e deritanishme duke theksuar se Ministria e Brendshme është e impenjuar që procesi të ecë normalisht dhe sipas parashikimeve, por ndërkohë është i nevojshëm edhe angazhimi i të gjithë faktorëve politikë që të mbështesin procesin. 

“Procesi i aplikimit është në ritmet e dëshiruara. Kështu ditën e djeshme kanë aplikuar afro 13 mijë persona dhe besoj se brenda Marsit do të shkojë në 15 mijë persona. Po kështu Qendra e Personalizimit të të Dhënave po prodhon afro 16 mijë karta në ditë. Kapacitetet janë të mjaftueshme dhe duke krijuar dita-ditës uniformitetin e procesit presim të rritet njëherazi edhe shpejtësia e tij”, theksoi zëvendësministri i Brendshëm. Së fundmi Poni i njohu përfaqësuesit e misionit edhe me dokumentet e reja të identitetit, letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike, duke shpjeguar elementët e shumtë të sigurisë dhe cilësinë e tyre të lartë, praktikisht ndër dokumentet më të mira të identitetit në hapësirën e Bashkimit Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›