Ballkanizimi i politikës - pas Greqisë, edhe Bullgaria paralajmëron veto kundër Maqedonisë
Vendet fqinje si Greqia dhe Bullgaria vazhdojnë ta përkujtojnë Maqedoninë se pa zgjidhjen e problemeve të jashtme nuk mund të bëhen pjesë e Aleancës së NATO-s. Në këtë drejtim, Athina është më e zëshme, mirëpo kohëve të fundit edhe autoritetet e Sofjes ritheksojnë se Maqedonia duhet t’i zgjidhë kontestet me vendet fqinje. Kryeministri i Bullgarisë, Ivajlo Kalfin deklaroi se vendi i tij do të mbështesë hyrjen e Maqedonisë në NATO kur Maqedonia t'i zgjidhë "të gjitha kontestet me fqinjët. Bullgaria në kontinuitet ishte mbështetëse e politikës së dyerve të hapura dhe për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Aleancën e NATO-s. "Vendi ynë ka luajtur rol aktiv në planin aksional për pranimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, si dhe të Maqedonisë, kur ajo t'i zgjidhë të gjitha kontestet me vendet fqinj”, deklaroi Kalfin në Sofje, në takimin me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s si dhe të Shqipërisë dhe Kroacisë. Vendet fqinje dhe bashkësia ndërkombëtare, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre disa herë kanë porositur autoritet e Shkupit që të zgjidhë kontestin me Greqinë për emrin kushtetues, përndryshe vendi rrezikon procesin e eurointegrimeve. Përpos emrit, edhe shteti fqinjë Bullgaria akuzon Maqedoninë për vjedhje të vlerave historike dhe kombëtare bullgare.
...