A mund të na jepet Edi Rama në fizionominë e një personi jokonfliktual?
Është e natyrshme se në afrim të zgjedhjeve të këtij viti, gazetarët ftohen për intervista të shkurtra për të dhënë opinionet për procesin zgjedhor në vijim. Dje opinionisti Nazarko u shfaq për të dhënë mendimet e tij për këtë temë. Ai ka një cilësi, që duhet përmendur: flet në mënyrë të qetë, pa pasion. Është një virtyt që e bën të dëgjueshëm, por jo të pakontestueshëm. Ai u duk qartësisht se ishte në favor të Edvin Ramës dhe kritik ndaj PD-së, por dhe ndaj LSI-së.
Është e vërtetë se E. Rama flet tani në mënyrë më të përmbajtur. Por kjo nuk do të thotë se ai është koherent. Është e vërtetë se ai nuk nxjerr në mënyrë të përditshme Erion Braçen, që të ulërijë oreçast kundër qeverisjes, duke nxirë gjithçka është bërë, që nga korriku i ’2005-s, gjer tani. Ky nihilizëm ka mbërritur gjer në zëvendësimin e organeve të drejtësisë, duke përcaktuar fajësi të hamendësuara ndaj qeverisjes. Për këtë nuk mund të thuhet se ai që bën prokurorin, kur çështja është në proces, të mos ketë viston e E. Ramës (ndonëse kryetari i PS-së nuk është parlamentar dhe fjala e tij nuk është dëgjuar në sallën e parlamentit ai, megjithatë, ka pasur rastin që të flasë, - në emër të një politike të re mjegullore, në të gjitha krahinat dhe në të tëra këndet e tyre, - me atë gjuhë vrazhdësie dhe denigrimi, me një ton autokratik, madje, duke përdorur edhe një fjalor të papajtueshëm me nocionet fillestare të etikës. Erion Braçe, që përmendëm, nuk ka bërë veçse përsëritjen zëçjerrëse të “argumenteve” të të zot!
A thua se këtë taktikë, të mbuluar keqazi, nuk e ka vënë re z. Nazarko? Madje edhe në shfrytëzimin e një zie, si pasojë e një fatkeqësie aksidentale, për të bërë politikë jashtë momentit të përzishëm, për më tepër në kundërshtim me banorët e Gërdecit, z. Rama doli nga ajo kornizë të cilën e shpërfaq z. Nazarko. Jashtë vëmendjes së këtij opinionisti ka dalë edhe shfrytëzimi i moshave jovotuese, për shkak të të qenurit të mitur, të vajzave me xhufka, që po politizohen, në një mënyrë të jashtëkohshme, do të thoshim, për t’i indoktrinuar këto çupka që duhet të jenë jashtë politikës. Nga njëra anë flitet me frazeologji si “përtej së majtës e së djathtës” dhe, nga ana tjetër, të djathtët që bien pré e këtyre lloj propagandave të pabesueshme, u dashka të dëgjojnë mësymje fajësish dhe siluresh kundërqeveritare. Çështja është në proces. Por Rama nuk pret vendimin përfundimtar të prokurorisë, por jep vetë verdikte partiake. Me një nihilizëm të shfrenuar, madje. Kjo qenka “pa dallime partiake”?
Doemos kryesocialisti nuk mund të quhet i përmbajtur dhe shmangës polemikash, që nuk iu përgjigj kryetares së parlamentit për marrëdhëniet e tij korruptive me Delijorgjin, i paditur për çështjen Gërdeci. Dhe kjo i përgjigjet asaj thënies “lum sabërlliu (ai që bën durim) kur s’ka ç’bën”. Kështu kryetarja e parlamentit iu kundërvu Valentina Leskajt kur kjo e politizoi, sipas qëndrimit të njohur e hipokrit majtist, çështjen e Gërdecit në parlament. Pra, në korrelacionin alfa dhe beta, që shpesh bëhet shkas për një polemikë të parakohshme dhe acaruese, është vazhdimisht e majta në rol të alfës. Domethënë është ajo që hedh gurin e parë. Veçse: po hodhe, do të presësh. Çështja e të ndierit Trebicka u bë djegëse, tronditëse, madje sugjestionuese, për të nxjerrë subjektivisht një atentator (krejtësisht të sajuar, të shpikur, në një pamundësi konkrete moszbulimi në një fushë të hapur e të dukshme tejetej në një terren të zbuluar anembanë). Aktekspertiza amerikane i dha një verdikt të prerë çështjes së ngritur në mënyrë false nga e majta, në kufijtë e një cunami.
Pra, jo çdo hipotezë e ngritur me paragjykime se “kështu më intereson”, është tezë. Opozita nuk ka qenë asnjëherë konstruktive, në këtë kuptim. Qysh në të nesërmen e tre korrikut të 2005-s. Për të mbrojtur korrupsionin e saj, që u bë shkas për rënien e tetëvjeçarit, bash për korrupsionin galopant, që nuk u mohua dot as nga kryetari i tanishëm i PS-së, i cili me këtë artifis, vuri në dorë skeptrin e kryetarit në një bashkësi këpëdarësh militantë. Premtoi se do të bëhej element bashkëpunimi brenda llojit. Realizoi përçarjen dhe pakënaqësitë në PS, gjer në konfliktet e skajshme me PSI-në. Natyra e tij autokratike nuk mund të kishte tjetër përfundim. Kjo natyrë u shpreh qartë në këshillin bashkiak për fondet e bashkisë, të padetajuara. Vërejtjet në këtë këshill për mungesën e specifikimit të harxhimeve, me fodullëk nuk u morën në shqyrtim nga kryetari. Projektbuxheti bashkiak ishte hapur një platformë që i hapte horizont abuzimeve financiare alla-Rama. Doemos që, si pasojë, do të pësonte dy herë radhazi dështim. Madje mori përsipër që, për herë të tretë, të bënte atë që s’e kishte në kompetencë: të numëronte vetë votat, (sipas kritereve të njohura staliniste) kur këtë detyrë e kishte kryetari i këshillit. Kjo nuk mund të ketë cilësim tjetër veç falës: arbitraritet! A nuk të duket, z. Nazarko, se ka dhënë, qy tani, një shembull të keq votimi hileqar?
Dhe tani na del një Jusuf dhe na ankohet se ka ndeshur në vështirësi për kartat elektronike, se në regjistrin e gjendjes civile është shënuar Isuf! Tani do të duhet të bëjë qortimin. Por kjo u takon rektifikimeve të regjistrave të cilat, në kohën e qeverisjes së mëparshme, nuk pati asnjë vullnet për qortime e për saktësi! Njëri nga argumentet se ç’votime u bënë në atë kohë!
Tani kuptohet më mirë falsiteti i asaj që quhet politikë e re. A mund të quhet politikë e re ajo e PS-së që, në rastin e korrupsionit, të hapen njëqind dosje ndaj administratës qeveritare, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, kurse dosjet e ish-qeveritarëve vazhdojnë ende të trashin pluhurin e harresës? Ky është kontributi i opozitës kundër korrupsionit? Ja përse kryeprokurorin Sollaku koha e blasfemoi si të njëanshëm, qoftë edhe për mosveprimin e tij të qëllimshëm. (Në të vërtetë ai i mbajti nën sqetull të korruptuarit e qeverisjes së mëparshme!). U deshën përpjekje të jashtëzakonshme për të zhdukur krimin e organizuar, për të shpartalluar banda të fuqishme në krahina të tëra kur, në qeverisjen e mëparshme, këto bënin ligjin, në bashkëpunim me qeveritarë të fuqishëm. Këtyre të fundit ende nuk u ka hyrë gjembi në këmbë. As këtë fakt nuk e vënë në dukje, në dobi të qeverisjes së tanishme, opozitarët tanë tendenciozë, që nuk bëjnë dot krahasime të rendit të tyre, me rendin e sotëm.
E kemi parë E. Ramën edhe në intervista me gazetarët, kolegët e z. Nazarko. Këta janë fyer në mënyrë të hapur. Janë akuzuar se nuk dinë të bëjnë pyetje. Janë përfolur si inkompetentë. Janë ndërprerë, duke i dhënë vetes të drejtën që të flasë në mënyrë aq të zgjatur, me përsëritje e ripërsëritje, sa një intervistues e falënderoi ironikisht, në mbarim të bisedës televizive, se nuk mundi dot të bënte as gjysmën e pyetjeve, në program! Program i cili, përfundoi me nerva të ngritura dhe me sy të zgurdulluar të Edvinit, krejtësisht i paaftë për të përballuar mendimin ndryshe. . . Nëse e keni harruar, mund të pyesni zotin Ç. Peka që, në rastin konkret, drejtonte programin.
Kurse në intervistën e fundit me z: Berisha, ishit edhe ju i pranishëm. A nuk e bëni dot krahasimin? Debati jo vetëm që ishte i qetë, por pati edhe nota humori. Askujt kryetari i PD-së nuk i preu fjalën. Përfundimi qe i përzemërt, mund të themi. Ju, z. Nazarko, mëtoni, tani, të kundërtën e një të vërtete faktike. Urtë e butë, sipas natyrës suaj, por me mendime që nuk përkojnë me atë që vërehet edhe nga shikuesit e dëgjuesit objektivë.
Objektiviteti do të kërkonte që t’i përgjigjeshit këtyre pyetjeve: Ajo që ndodhi në 25 marsin e vitit 2008, a kishte garanci se nuk do të mund të ndodhte para 2005-s? Madje pati shpërthime të tilla, në Qafë-Shtamë e gjetiu, veçse në përpjesëtime më të vogla. Por nuk po flasim, tani, për shpërthime të vogla apo të mëdha. Po flasim për dukurinë. A mund të ndodhte? Së dyti, tepër e rëndësishme: Është një fatkeqësi apo e qëllimtë? Nëse shqyrtojmë këtë të dytën, siç mëton propaganda e majtë shqiptare, ajo forcë politike, - e majtë apo e djathtë qoftë në pushtet, - nga një ngjarje e tillë do të kishte përfitime politike apo dëm politik? Pra, mund të shtrohet problemi për kujdes të madh apo të vogël, qoftë edhe për pakujdesí, apo për ngjarje të qëllimtë, siç gumëzhin e majta jonë?
Duket se vetë banorët e Gërdecit i kuptuan më logjikisht probleme të tilla dhe kërkuan ditë përkujtimore, në nderim të viktimave, e jo propagandë zgjedhore duke shfrytëzuar një fatkeqësí. A i takon një kryetari partie që të vejë shtëpi më shtëpi në Gërdec dhe të kërkojë pjesëmarrje në një miting të politizuar? Edhe një pyetje, Nazarkos: A ju duket hipokrite ajo parulla “Mos të harrojmë?!”. E bëjnë ata që i harruan viktimat e 9 janarit. Por nuk i harrojnë të afërmit, prindërit, motrat e vëllezërit. Nuk i harron demokracia. Dhe këtu nuk është çështje fatkeqësie, vetëm. Del edhe problemi: A mund të shpëtoheshin të gjithë, ose pjesa më e madhe? Pra, a jeni të mendimit se kemi një dallim thelbësor me Gërdecin, që u tor aq shumë nga e majta? Gërdecarët, sot, kanë një qytezë që ndryshon për mirë, me shtëpi moderne, në krahasim me të mëparshmen. Apo s’i keni parë nëpër fotot? A kemi , pra, një vullnet politik të padyshueshëm? Kurse shoqata për të humburit në detin Jon argumenton se viktimat e këtij deti janë lënë në harresë! Dhe mezi u arrit që të hapet dosja e këtij krimi! Prandaj nuk duhet të bëni prognoza si ato të Zogby-t, të diskredituar në mënyrë skandaloze në mjaft “parashikime” të përçartura dhe të vënë në shërbim të Edi Ramës!