Mes Shqipërisë dhe Greqisë shpërthen LUFTA e autobusëve
Ajo që dihet me saktësi deri më tani është se shumë linja autobusësh të kompanive shqiptarë, që udhëtojnë Shqipëri- Greqi e në kthim, u ndaluan nga qeveria greke për të hyrë në Greqi. Më pas vendimi u hodh poshtë nga Gjykata Administrative e Athinës, duke dhënë 10 ditë kohë për qeverinë që të hartojë një urdhër të rregullt ligjor.
Por sot në mëngjes më shumë se 60 autobusë grekë kanë pushtuar Kakavijën, duke bllokuar për mëse pesë orë qarkullimin e duke krijuar kaos.
Mediat shqiptare raportojnë se bëhet fjalë për një kompani të vetme greke, KTEL, e cila ka bllokuar kufirin në shenjë proteste. Madje disa drejtues të kompanive shqiptare thonë se kjo kompani synon të vendosë monopolin e transportit. Sipas TCH, kjo shoqëri pretendon se linjat e autobusëve shqiptarë janë të palicencuara dhe pa standarde.
Por mediat greke thonë se nuk është një kompani e vetme që ka protestuar, por pronarët e autobusëve interurbanë të katër prefekturave greke janë mbledhur në kufi për të protestuar. Greek Reporter shkruan se ata ankohen sepse autobusët shqiptarë që hyjnë në Greqi nuk paguajnë taksa, ndërkohë që grekët paguajnë taksa.
Pronarët grekë të autobusëve janë shprehur të revoltuar me mospërkrahjen e qeverisë greke në këtë drejtim, ndërkohë që po ashtu pronarët e kompanive shqiptare janë të revoltuar pse qeveria shqiptare nuk po reagon në mbrojtje të tyre. Ata thonë se janë të licencuar dhe kanë autobusë të rregullt.
Një luftë ka shpërthyer në këtë mënyrë mes kompanive të autobusëve në dy vendet, ndërkohë që e sigurt është se shteti grek do të ndërhyjë, siç bëri më parë. Nga pala shqiptare nuk ka ende asnjë sqarim zyrtar.
Rruga Shqipëri- Greqi e kthim është mjaft fitimprurëse për shkak se shumë emigrantë shqiptarë jetojnë në Greqi.
