E Diel, 1 Nëntor 2026

Zvarriten punimet në Plepa-Golem, nuk respektohen afatet

Shtrimi me asfalt i segmentit Plepa-Golem, duhej të përfundonte këtë fundjavë, të paktën kështu na u tha nga Drejtoria e Rrugëve 10 ditë më parë, por siç shihet ka ende shumë punë për t’u bërë. 10 ditë pas prononcimit të zv/Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, jemi rikthyer sërish në segmentin Plepa-Golem. Në këtë pjesë të rrugës konstatojnë se gjatë kësaj periudhe pothuajse nuk është punuar fare, siç edhe tregojnë pamjet. Piku i sezonit veror 2009 e gjeti përsëri rrugën Plepa-Golem të papërfunduar duke shkatuar trafik dhe stres për drejtuesit e automjeteve, në një nga zonat turistike më të frekuentura.
Nisur në fillim të këtij viti në bazë të kontratës punimet për zgjerimin e këtij segmenti, duhej të përfundonin në 30 qershor. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, thuhet se problemet me shpronësimin janë shkaktarët për vonesat e shkaktuara. Por një tjetër e vërtetë është se këtu nuk punohet me tre turne, në kundërshtim nga urdhri i kryeministrit që u kërkon kompanive të ndërtimit të punojnë pa ndalesë në veprat publike me qëllim përfundimin e tyre sa më parë.
Megjithëse në hyrje dhe dalje të ketij segmenti 5 kilometra të gjatë është hedhur një shtresë asfalti, me ritmet që po ecet aktualisht përfundimi i punimeve duket ende larg.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›