E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Dorëheqja? I kam të qarta detyrimet e mia

Kreu i PS-së refuzon ftesën e Berishës për bashkëpunim, ndërsa Metën e quan "nuse" të Berishës


"PS-ja do të jetë pengesë e pakapërcyeshme për Berishën dhe për nusen e tij të re që i pruri në prikë 83 mijë vota"

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, është i vendosur që të mos ngutet, por t'i marrë gjërat me radhë, edhe përsa i përket detyrimeve të tija statusore, përfshi këtu edhe analizën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në një dalje për mediat, shefi i selisë rozë i ka kthyer përgjigje zërave të paktë edhe brenda partisë, që ditët e fundit kanë kërkuar prej tij marrjen e përgjegjësisë për rezultatin e këtyre zgjedhjeve, duke lënë të kuptohet qartë, se mbetet i angazhuar që të respektojë deri në fund dokumentin themelor të organizimit dhe funksionimit të partisë, pra statutin, por duke u përqendruar së pari në betejën ligjore për të mbrojtur mandatet e deputetëve nga vjedhja e kundërshtarëve politikë. Në këtë kuptim, ai i ka cilësuar të nxituara këto deklarata, pasi siç ka vënë në dukje në përgjigjen që i dha pyetjes së gazetarëve, situata e kërkon që të gjithë socialistët të jenë të angazhuar për të mos iu krijuar mundësinë kundërshtarëve politikë që të grabisin mandatet që ia dhanë qytetarët me votë.

"Unë jam Kryetar i Partisë Socialiste, e cila nga zgjedhjet e 28 qershorit doli forca më e madhe në vend. Unë i kam të qarta detyrimet dhe radhët e punës time. Sot detyrimi dhe radha e punës kërkon që unë dhe Partia Socialiste të jemi në këtë pozicion, qartësisht të vendosur dhe të hapur përpara publikut, për të mos lejuar që ajo që ndodhi në 28 qershor, të përfundojë me grabitjen e mandateve tona dhe me asgjësimin e një të drejte që ne na i jep Ligji Zgjedhor. Të tjerët mund të nguten, por mua kjo nuk më lejohet", - tha kryetari i PS-së, Edi Rama. Ndërkohë, ai ka folur edhe mbi deklaratat që bëri një ditë më parë Kryeministri Berisha, duke i konsideruar pretendimet e tija për fitoren në zgjedhje si një presion i hapur që i bëhet Kolegjit Zgjedhor, i cili të martën do të nisë seancat për gjykimin e ankimimeve të subjekteve zgjedhore për parregullsitë e procesit zgjedhor. Për rrjedhojë, ai ka ripërsëritur qëndrimin e tij dhe të selisë rozë, se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve në rast se nuk do të respektohet e drejta për të hapur dhe numëruar kutitë e votimit në Berat, Tiranë dhe Shkodër.

"Ne do ta pranojmë rezultatin vetëm në qoftë se do të pranohet e drejta jonë ligjore për të bërë transparencën e kutive të Beratit, Tiranës e Shkodrës, por pa asnjë dyshim ne nuk do të ndalemi, edhe më pas, në kërkimin e transparencës së plotë për një proces zgjedhor që e konsiderojmë, jo vetëm jashtë standardeve, por edhe të deformuar në themelin e tij, përmes mekanizmash që duhen hetuar duke nxjerrë nga kutitë të gjithë dokumentacionin", - tha Rama në fjalën e vet. Më tej ai ka bërë të qartë se forca që ai drejton nuk do të ndalet vetëm në gjykimin e padrejtësive të bëra me votën e shqiptarëve nga Kolegji Zgjedhor, por se do të vijojë me të gjitha rrugët e mundshme ligjore dhe kushtetuese që të hetojë deri në fund atë që ai e konsideron si krimi elektoral i 28 qershorit.


"Këtë të drejtë nuk e ka KQZ-ja, nuk e ka Kolegji Zgjedhor, po padyshim e ka parlamenti dhe organet kushtetuese të hetimit, ku ne do të depozitojmë kallëzimin përkatës. Ne do të bëjmë me çdo kusht e mjet zbardhjen e krimit elektoral të 28 qershorit", - u shpreh kryesocialisti, duke vënë theksin se kjo nuk ka një rëndësi për mandatet e PS-së, por është një betejë për vlerat e demokracisë. Ai nuk ka lënë pa i kthyer përgjigje edhe ftesës së Berishës, për të bashkëpunuar në parlament për realizimin e reformave, duke i bërë të ditur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, përsa kohë ai do të tentojë të marrë mandatin qeverisës mbi mandatet e vjedhura të deputetëve.

Ai ka garantuar të gjithë ata shqiptarë që i besuan atij në këto zgjedhje se PS dhe grupi i saj parlamentar nuk mund të bëhet kurrë pjesë e bashkëpunimit me atë që ai shpesh kohët e fundit e ka cilësuar si qeveria më e turpshme e historisë së demokracisë shqiptare, duke u shprehur i sigurtë se shumë shpejt e drejta e mohuar në këtë proces zgjedhor nuk do të vonojë të triumfojë.

"Sali Berisha duhet ta harrojë çdo bashkëpunim të mundshëm me Partinë Socialiste nesër, në qoftë se sot do të qëndrojë në atë karrige me mandate të grabitura përmes uzurpimit të KQZ-së apo trysnisë ilegale mbi Kolegjin Zgjedhor. Partia Socialiste do të jetë një pengesë e pakapërcyeshme për të dhe për nusen e tij të re që i pruri në prikë 83 mijë vota të majta, duke krijuar mundësinë për koalicionin më të turpshëm në historinë e këtij vendi", - tha Rama.

PD: Bashkëpunimi parlamentar më PS-në, i detyrueshëm


E vetëdijshme për mungesën e numrave në parlamentin e ardhshëm, Partia Demokratike nuk ngurron t'i "shtrijë dorën" për bashkëpunim edhe kundërshtarëve të vërtetë politikë, Partisë Socialiste. Por kësaj here nuk bëhet për një bashkëpunim në qeverisje, por në parlament, ku natyrisht reformat e mëdha për të cilat është angazhuar qeveria e re që pritet të formatohet gjatë ditëve në vijim, kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, të cilat forcat që e mbështesin atë nuk i kanë. Pavarësisht se një kërkese të tillë të bërë publike dy ditë më parë nga vetë Kryeministri Berisha, PS iu përgjigj negativisht, dje demokratët kanë këmbëngulur se mbeten të hapur për këtë lloj bashkëpunimi me socialistët. Nëpërmjet zëdhënëses për shtyp, Erla Mëhilli, selia blu ka ripërsëritur se një fenomen i tillë është normal kur bëhet fjalë për reformat e mëdha integruese që kërkon koha.

"Bashkëpunimi ndërmjet forcave politike është një trashëgimi e çmuar dhe një investim që nuk mund të nëpërkëmbet nga askush, ku edhe vetë z.Rama ka aksionet e tij. Ky është një proces që diktohet nga interesat e vendit dhe jo nga dëshirat, inatet individuale apo rezultatet dëshpëruese të zgjedhjeve", - tha Mëhilli në deklaratën e djeshme për shtyp. Ndërkohë deklaratave të ditëve të fundit të selisë rozë, për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve, PD me anë të zëdhënëses së saj i është kundërpërgjigjur duke deklaruar "se kërcënimet, mallkimet dhe trillimet janë të pafuqishme për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve".

Madje PD-ja ka shkuar edhe më tej, duke akuzuar selinë rozë se është ajo që i ka grabitur mandatin e fundit PD-së në qarkun e Fierit. "Je ti ai që more mandatin e Fierit me vota dhe kuti të pavlefshme. Kutitë e Beratit, Shkodrës apo Tiranës nuk janë si kutitë e Fierit, z.Rama. Ato janë të numëruara, të certifikuara dhe të shpallura tashmë", - tha Mëhilli.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›