E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvogëlohen grabitjet në Banjë të Pejës

Nga Express më 26 prill 2011 në ora 20:30

Shtimi i patrullave policore ka zvogëluar në masë të madhe ankthin e banorëve të Banjës së Pejës, ku thyerjet dhe grabitjet e shtëpive të tyre ishin bërë pothuajse rutinë ditore.

Edhe pse kërkesat e banorëve të këtij fshati ishin që të ngritet një nënstacion policor në këtë lokalitet, kjo kërkesë ishte refuzuar nga ana e Policisë së Kosovës me arsyetimin për mungesë fondesh.

Por, falë shtimit të patrullave të Policisë së Kosovës edhe gjatë natës thyerjes dhe grabitjes së shtëpive tashmë iu ka ndalur pak hovi. Banorët e këtij vendi
turistik akoma kanë drojë se shtëpia e tyre do të jetë cak i hajnave duke mos i lejuar që të bëjnë as gjumin e qetë ngase sipas tyre edhe jeta e tyre ishte e rrezikuar.

Ismet Bajraj, banor i Banjës, thotë se prej se ka filluar patrullimi i policisë gjatë natës grabitjet janë zvogëluar, mirëpo akoma nuk janë
ndalur tërësisht.

“Këtu nuk ka pasur mundësi të kalojë një natë e të mos dëgjojmë për thyerje dhe plaçkitje të shtëpive. Cak kryesor i hajnave ishin shtëpitë e pronarëve që jetojnë jashtë, por nuk kanë munguar as rastet tjera, ku ka pasur raste që vjedhjet janë kryer e të gjithë njerëzit kanë qenë në shtëpi”, ka thënë Bajraj, duke shtuar se banorët shpesh kanë organizuar roje natën për të mbrojtur pasurinë.

“Ne shpesh kemi kaluar edhe net pa gjumë, duke bërë rojë nga droja e hajnave. Falënderojmë policinë e shtetit tonë që po na mbron dhe po ruajnë edhe natën, e tash po ndjejmë nga pak siguri në shtëpitë tonë”, shprehet ai. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›