E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK kërkon debat për krimet e pasluftës

Nga Express më 26 prill 2011 në ora 13:52

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paraqitur në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës një kërkesë për debat parlamentar, në lidhje me krimet që janë bërë në Kosovë në periudhën e pasluftës. Megjithatë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi bëri të ditur se kërkesa e PDK-së nuk është miratuar pasi ka qenë e paqartë dhe kërkoi nga kjo parti qartësimin e kërkesës për ta rikthyer në Kryesi.

Në letrën e PDK-së kërkohet që Kuvendi i Kosovës të distancohet nga ato krime. Adem Grabovci, kryetar i Grupit parlamentar të PDK-së tha se kërkesa e kësaj partie është bërë për shkak se krimet të cilat janë bërë pas luftës duhet të zbardhen dhe të dihen kush janë autorët, raporton Telegrafi.

Grabovci tha se kërkesa e Grupit parlamentar të PDK-së nuk është kundër reagim ndaj kërkesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për hetim ndaj SHIK-ut. Ai tha se jo vetëm në Dukagjin, por në krejt Kosovën duhet të dihen autorët e krimeve.

Mirëpo, partitë politike opozitare e shohin ndryshe kërkesën e PDK-së.

Ardian Gjini, shef i Grupit parlamentar të AAK-së tha se AAK nuk mund të distancohet nga diçka që nuk ka bërë, mirëpo ata që i kanë bërë këto krime, siç tha Gjini mund të dalin dhe të distancohen.

Ndërkohë, Ismet Beqiri, shef i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se Kuvendi nuk është ai institucion që zbardh rastet.

Sipas tij janë gjykatat ato që e bëjnë një gjë të tillë. Megjithatë, Beqiri tha se një ndër subjektet që është goditur më së shumti nga këto raste është LDK-ja.

Kërkesën e PDK-së, Beqiri e konsideron marketing të kësaj partie dhe jo diçka më shumë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›