E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyra e rehatisë

Janë shtatë veta që punojnë në Zyrën për informim të Kuvendit të Kosovës. Të punësuarit e kësaj zyre, janë më të shumtët në numër, sesa që ka secili institucion tjetër në vend. Këtyre shtatë zyrtarëve, duhet shtuar edhe një tjetër. Ai është Ismet Hajrullahu, këshilltar për Informim, i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Edhe pse Hajrullahu është staf politik, Krasniqi e ka angazhuar atë që të ketë komunikim me media.

Edhe pse deputetët janë të zgjedhur direktë nga qytetarët, në këtë zyrë, ka të punësuar të cilët mbajnë poste për komunikim me qytetarët. Sherif Konjufca, drejtor i Zyrës për informim, mendon se kjo zyrë nuk ka shumë, përkundrazi, ka pak të punësuar. “Është mirë të ketë edhe më shumë të punësuar”, thotë Konjufca për Express. Ai shpejt e bën krahasimin. “Për sektor të botimit ne kemi vetëm një person, e ata të Kuvendit të Shqipërisë kanë tetë veta”, thotë Konjufca. Sipas tij, Zyra për Informim ka nevoja shumë të mëdha.

Ismet Krasniqi, sekretar i përhershëm i Kuvendit të Kosovës, thotë se duke pasur parasysh vëllimin në rritje të punëve dhe ndarjen në tri njësi të Zyrës për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, është shtuar numri punonjësve të kësaj zyre. “Siç e dini, punonjësit e Zyrës për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, pos seancave plenare dhe takimeve protokollare të drejtuesve të Kuvendit, i përcjellin rregullisht punët e 16 komisioneve parlamentare”, thotë Krasniqi për Express.

Sipas tij, ata i njoftojnë mediet për aktivitetet e pritshme në Kuvend, u dërgojnë informacione për aktivitetet e mbajtura të Kuvendit, në ndërtesën e tij, në lokalitete të ndryshme të Kosovës dhe gjatë vizitave në botën e jashtme. “Zyra mirëmban ueb-faqen e Kuvendit në internet (shqip dhe serbisht), në të cilën pos informatave ditore dhe kalendarit të ngjarjeve, publikohen transkriptet e seancave plenare, procesverbalet e mbledhjes së Kryesisë dhe të mbledhjeve të komisioneve parlamentare etj, publikon revistën mujore “Kuvendi” në shqip, serbisht dhe turqisht, si dhe përgatit për botim publikime të tjera”, shpjegon sekretari i përhershëm i Kuvendit të Kosovës.

“Sa për krahasim me të tjerët, po theksojmë se derisa në kuadër të Zyrës aktualisht punon vetëm një punonjës për botime, në Parlamentin e Shqipërisë në sektorin e botimeve punojnë tetë veta”, thotë Krasniqi. Sa i përket detyrës së zyrtarit për kontakt me qytetarët, sekretari Krasniqi shpjegon se ai u përgjigjet letrave të qytetarëve.

“Ai i pret dhe i shoqëron mysafirët që e vizitojnë Kuvendin e Kosovës dhe u jep atyre informacionet e nevojshme për përbërjen dhe punën e Kuvendit të Kosovës, organizon ekspozita të ndryshme në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, por edhe ekspozita të ndryshme në lokalitete të Kosovës lidhur me punën e Kuvendit të Kosovës”, thotë Ismet Krasniqi, i bindur se bazuar në këto fakte, në të ardhmen do të duhen më shumë punonjës në Zyrën për Media dhe Marrëdhënie me Publikun.

Zyrtarë të Institutit Demokratik të Kosovës, të cilët monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës, thonë se në këtë institucion, shikojnë më shumë mungesë në sektorët e tjerë. “Ka mungesë të kapaciteteve administrative si asistenca profesionale”, thotë Besnik Ramadanaj, zëdhënës i KDI-së. Sipas tij, në këtë rast bëhet fjalë për mungesë ekspertësh në përpilimin e ligjeve, vlerësimin e tyre pas miratimit etj. “Sa i përket Zyrës për Informim, nuk kemi pasur kontakte me ta”, thotë Ramadanaj për Express. Ai sqaron se KDI-ja ka qasje të mjaftueshme në tërë sektorët e Kuvendit të Kosovës.

Zyra për informim
Sherif Konjufca- drejtor i Zyrës për informim
Luljeta Tahiri
Musli Krasniqi
Edona Fetahu
Xhelal Ilaz
Ismet Mahmuti
Shefqet Rexhepi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›