Zyrtare: Ljajiç te Roma për 12 milion euro

Siç duket më në fund lojtari serb Adem Ljajiç , do të ndërrojë ambient. Ljajiç do të transferohet në kryeqytet për të luajtur me Romën në sezonin e ardhshëm.
Mësohet se në orët e fundit klubi verdhekuq ka arritur të gjejë një marrëveshje me familjen Della Vale mbi bazën e 12 milionë euro të paguara në kesh, plus bonuset e ndryshme. Me sa duket, është zbehur plotësisht hipoteza për një kalim të mundshëm të lojtarit te Milani, pasi sipas burimeve afër tij Ljajiç ka pranuar ofertën e fundit të Romës.
Marrëveshja është konkretizuar dje në mbrëmje dhe sulmuesi pritet të prezantohet sot në kryeqytet për të kryer vizitat mjekësore. Serbi do të përfitojë nga kontrata e tij e re me Romën një pagë vjetore prej 2 milionë eurosh në sezon dhe në kontratën e tij është e parashikuar një klauzolë për prishjen e saj, e cila kap shifrën e 20 milionë euro.
Ndërsa tek ekipi i Fiorentinës, ditën e djeshme është prezantuar sulmuesi Ante Rebiç. Për të siguruar shërbimet e talentit kroat, klubi vjollcë ka shpenzuar 4.5 milionë euro./indeksonline/