E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarë të BE-së anulojnë vizitën në Ukrainë për shkak të Timoshenkos

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian anuluan planet për të marrë pjesë në aktivitete në Ukrainë si protestë ndaj dënimit me burgim dhe trajtimit të ish- kryeministres Julia Timoshenko. Zonja Tymoshenko u dënua me shtatë vjet burg vitin e kaluar dhe është tani në gjykim nën akuzat për evazion fiskal.

Presidenti i Komisionit të Bashkimit Evropian, Jose Manuel Barroso njoftoi sot se ai do të ndjekë shembullin e Komisioneres së BE-së për Drejtësinë Viviane Reding, e cila tha se ajo nuk do të jetë e pranishme në ceremonialin e futbollit Euro 2012 në qershor.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar gjithashtu se ajo mund të bojkotojë të gjitha ndeshjet e Euro 2012-s në Ukrainë dhe pret që ministrat e saj të bëjnë të njëjtën gjë.

Ky turne, kampionati më i rëndësishëm i Europës në futboll për ekipet kombëtare, po organizohet së bashku nga Polonia dhe Ukraina nga 8 qershor deri më 1 korrik.

Po sot, Presidenti çek Vaclav Klaus anuloi vizitën në takimin e nivelit të lartë të Europës Qendrore të planifikuar për më 11 dhe 12 maj në Jaltë.

Zoti Klaus është presidenti i dytë që refuzon të shkojë në Ukrainë për takimin, pas presidentit gjerman Joachim Gauck.

Zonja Yulia Tymoshenko u dënua me shtatë vjet burg vitin e kaluar nën akuzat për shpërdorim të detyrës lidhur me një marrëveshje të vitit 2009 për importin e gazit me Rusinë. Ajo është tani në gjykim nën akuzat për evazion fiskal që mund ta zgjasin burgimin e saj në 12 vjet. Zonja Timoshenko i mohon akuzat dhe thotë se ato janë pjesë e një fushate të Presidentit Viktor Janukoviç për të eliminuar rivalen e tij më të fortë politike.

Ajo ka qenë në grevë urie për më shumë se një javë, pas pohimeve se ishte rrahur nga rojet e burgut. Disa mjekë gjermanë e diagnostikuan zonjën Timoshenko javën e kaluar me probleme të shpinës që ata thonë se nuk mund të trajtohen në Ukrainë, por qeveria e Kievit ka refuzuar kërkesat që ajo të lejohet të largohet. /voa/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›