Publikohen dokumentet sekrete të Osama bin Ladenit

Shtetet e Bashkuara planifikojnë që të publikojnë së shpejti dokumentet e sekuestruara nga kompleksi ku fshihej Osama bin Laden.
Këshilltari kundër terrorizmit i Shtëpisë së Bardhë, Xhon Brenan tha se disa prej dokumenteve të deklasifikuara do të postohen në internet gjatë kësaj jave nga Qendra për Luftimin e Terrorizmit të Akademisë Ushtarake.
Dokumentet i mblodhën komandot e marinës në kompleksin e bin Ladenit në Abotabad të Pakistanit, gjatë sulmit të 2 majit të vitit të kaluar, në të cilin u vra Bin Ladeni.
Brenan tha se dokumentet tregojnë se si Bin Laden kërkoi nga drejtuesit e lëvizjes së tij që të iknin në rajonet fisnore të Pakistanit dhe të kërkojnë strehim në zonat e lira që nuk prekeshin nga "fotografitë e avionëve dhe bombardimet."
Brenan ka thënë se “Me pak fjalë, Al-Kaida po humbte keq. Dhe Bin Laden e dinte atë”.