E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarë të UNMIK-ut punojnë edhe në strukturat paralele

PRISHTINË - Sipas gazetës kosovare “Koha Ditore”, të paktën 8 zyrtarë të UNMIK-ut, që operojnë në veri të Mitrovicës, punojnë edhe në komunën paralele të Serbisë.
“Dragan Spasojeviç, drejtor i Urbanizmit në Administratën e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës (UAM), ka të njëjtën pozitë edhe në komunën ilegale të Serbisë. Edhe Borivoje Gjuriç, merr dy paga dhe ka dy pozita të ngjashme në të dy mekanizmat. Në të dyja ai është drejtor për financa dhe ekonomi. Po njëlloj vepron edhe drejtori tjetër, Momçilo Baroviç”.- shkruhet në gazetë.

Të dhënat për zyrtarët që paguhen edhe nga buxheti i Kosovës nëpërmjet UAM-it, edhe nga buxheti i Serbisë nëpërmjet komunës paralele, i di edhe Qeveria e Kosovës dhe ICO-ja.
Në një dokument të hartuar nga ICO-ja dhe Qeveria, ku planifikohet mbyllja e administratës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës që financohet nga Qeveria e Kosovës, puna e dyfishtë e këtyre zyrtarëve përmendet si një nga arsyet se pse duhet mbyllur UAM-in.

Administrata e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës ka një staf prej 163 personash në dhjetë departamente. Udhëheqësit e tetë prej këtyre departamenteve punojnë edhe në komunën paralele serbe, e cila, sipas Rezolutës 1244, është ilegale.

Përveç tre drejtorëve, që kanë pozita të njëjta, pesë drejtorë tjerë të UAM-it kanë punë të dyta në komunën paralele.
Millosh Milidragoviç, Katas Shqekiç, Zoran Bratiç, Bilana Petroviç, Zoran Smikiç, janë drejtorët që marrin paga edhe nga buxheti i Kosovës edhe nga ai i Serbisë. Në dokumentin e publikuar ditë më parë nga “Koha Ditore”, konstatohet se “80 për qind e UAM-it është e njëjtë me komunën paralele të Serbisë”.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›