Zyrtare/850 milionë euro, vlera e privatizimit të Albpetrolit
Përcaktimi i pikëzimit të 3 konkurrentëve për privatizimin e Albpetrolit ka shndërruar në formale fazën pasardhëse, atë të shpalljes formale të fituesit. Me 97,7 pikë, kompania amerikane që ka ofruar 850 milionë euro është fituese e konkurrimit. Shifra financiare pritet të jetë një ndihmë e madhe për ekuilibrat buxhetorë të vendit, por edhe për planin ambicioz të investimeve, që do ta shndërrojë Shqipërinë në një shtet të zhvilluar
Kryetari i Komisionit të vlerësimit të ofertave për privatizimin e Albpetrol, Sokol Dervishaj ka sqaruar për mediat ecurinë e këtij procesi, ku në garë mbeten 3 kompani Voltro Silkiroad Equite Ltd, Consorcium Vin Bussines dhe Bankers Petrolium dhe nga 6 që ishin më parë. Sipas Dervishajt të tria këto kompani plotësojnë kriteret për të vijuar garën, ndërsa theksoi se Vetro Energy ka bërë një punë shumë serioze dhe ka marrë pikët maksimale 97.7 pikë, ndërsa “Consorcium Vin Bussines” 44.39 pikë dhe “Bankers Petrolium” 30.33 pikë.
Në cilësinë e kryetarit të komisionit të vlerësimit të ofertave për privatizimin e “Albeptrol” bëri një analizë publike për ofertat e bëra. Sipas tij, “Vetro Energy” ka marrë të gjitha në konsideratë dhe i ka bërë të qartë atë që do të bëjë në lidhje me nxjerrjen e naftës apo gazit. Një nga kriteret kryesore, është tregu i mundshëm i naftës dhe i gazit, projektet e rëndësishëm siç është TAP.
Sipas Dervishajt kompania “Vetro Energy” është edhe ajo kompani që plotësuar kriterin kryesor të çmimit, prej 75 për qind. Ai informoi gjatë fjalës së tij, se tashmë garancia e Vetros është bërë në Bankën Amerikane dhe nga momenti i shpalljes si fitues do të bëjë ngrirjen e 20 për qind të kontratës në një nga 50 bankat më të rëndësishme botërore, Kompania “Vetro Energy” ka ofruar 850 milionë euro. Ndërkaq Dervishaj informoi se janë skualifikuar nga gara kompanitë “Ecolog International”, “Gazprom” dhe “Amber Shine”, të cilat nuk plotësonin kriteret.
Sipas tij, Ekolog nuk kishte as ofertë, as garanci dhe u vendos që të skualifikohet, ndërsa Gazprom, i cili ofroi 55 milionë dollarë nuk ishte në përputhje me kriteret e vendosura dhe nuk kishte as garancinë bankare, kurse “Amber Shine” ka pranuar skualifikimin nga gara, pasi nuk plotëson kriteret për një kapacitet asetesh prej 100 milionë euro, nuk ka garancinë e ofertës.
Tashmë raporti i komisionit të vlerësimit me renditjen përfundimtare, që kryesohet nga Kompania “Vetro energy” do t’i dërgohet këshillit të ministrave për miratim dhe më pas Parlamentit shqiptar për ratifikimin përfundimtar.