Zyrtarët perëndimorë: Junta e Nigerit kërcënoi se do të vriste presidentin nëse do ketë ndërhyrjeje ushtarake

Junta e Nigerit i tha një diplomati të lartë amerikan se do të vriste presidentin e rrëzuar Mohamed Bazoum, nëse vendet fqinje do të tentonin ndonjë ndërhyrje ushtarake për të rivendosur sundimin e tij. Kjo u bë e ditur nga dy zyrtarë perëndimorë për Associated Press.
Përfaqësuesit e juntës i thanë nënsekretares amerikane të shtetit, Victoria Nuland për kërcënimin ndaj Bazoum gjatë vizitës së saj në vend këtë javë, tha një zyrtar ushtarak perëndimor, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës.
Bazoum, i cili u rrëzua më 26 korrik, thotë se po mbahet peng në rezidencën e tij.
Blloku rajonal ECOWAS tha të enjten se kishte urdhëruar vendosjen e një “force gadishmërie” për të rivendosur demokracinë në Niger pas grushtit të shtetit.
Megjithatë, zyrtarët e ECOWAS dhanë pak detaje dhe nuk arritën të përshkruanin përbërjen, vendndodhjen dhe datën e vendosur për ndonjë ndërhyrje ushtarake.
Krerët e shteteve të Afrikës Perëndimore u takuan në kryeqytetin nigerian, Abuja, për të diskutuar hapat e ardhshëm pasi junta ushtarake nigeriane kundërshtoi afatin e tyre të së dielës për të rivendosur Bazoum-in.
Por analistët thonë se bllokut mund t’i mbarojnë opsionet pasi ka mbështetje të zbehetë për një ndërhyrje ushtarake.
Nëntë nga 11 krerët e shteteve që priten të marrin pjesë ishin të pranishëm, duke përfshirë presidentët e Senegalit, Gana, Bregu i Fildishtë, Togo, Benin, Guinea-Bissau dhe Sierra Leone. Udhëheqësit jo-ECOËAS të Mauritanisë dhe Burundit gjithashtu morën pjesë në takimin me dyer të mbyllura.
“Është thelbësore që ne t’i japim përparësi negociatave diplomatike dhe dialogut si themelin e qasjes sonë,”- tha presidenti nigerian Bola Ahmed Tinubu, i cili aktualisht kryeson bllokun.
Ai tha se udhëheqësit duhet të veprojnë me një “ndjenjë urgjence”, megjithëse duket se janë tërhequr nga kërcënimi i mëparshëm i bllokut për të përdorur forcën.
Blloku ka vendosur sanksione të ashpra ekonomike.
Por ndërsa junta bëhet më e rrënjosur, opsionet për negociata po bëhen të kufizuara, tha Andreë Lebovich, një studiues në Institutin Clingendael.
“Është shumë e vështirë të thuash se çfarë mund të dalë prej saj, por fakti që afati fillestar kaloi pa ndërhyrje dhe se (junta) ka vazhduar të mbajë një linjë mjaft të qëndrueshme, tregon se ata mendojnë se mund ta përballojnë këtë presion,”- tha ai.
Pozicionet e palëve kryesore janë shumë larg njëra-tjetrës, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i cili tha se nëse dialogu do të ketë sukses, ku secila palë do të duhet të bëjë lëshime, të cilat deri tani ato kanë refuzuar ta bëjnë.
Që nga marrja e pushtetit, junta ka ndërprerë lidhjet me Francën dhe ka shfrytëzuar ankesat popullore ndaj ish sundimtarit të saj kolonial për të rritur bazën e saj mbështetëse. Ajo gjithashtu ka kërkuar ndihmë nga grupi mercenar rus Wagner, i cili vepron në një pjesë të vogël të vendeve afrikane dhe është akuzuar për kryerjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut. Apnews
/rtsh.al/