E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtari i DASH, Moore takon Ramën: Të garantohet procesi zgjedhor në Shqipëri

TIRANË- Jonathan Moore, Drejtori për Europën Qëndrore dhe jugore në Departamentin e Shtetit ka nisur që sot në mëngjes takimet në Tiranë. 

Që në orën 08:30 zyrtari i lartë amerikan ka nisur në selinë rozë një takim me kreun e PS-së Edi Rama, ndërsa më pas do takohet me kreun e LSI-së, Ilir Meta.

Situata parazgjedhore dhe çështja e KQZ-së pritet të jetë pjesë edhe e bisedimeve të Drejtorit për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, i cili parashikohet të rikthehet në Tiranë. 

Moore rikthehet në Tiranë pas afro një muaji nga vizita e tij e fundit, e cila përkoi pikërisht me lëvizjet në Komisionin Qendror.

Socialistët pretendojnë se ndërhyrja sipas tyre e dhunshme e shumicës me zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, mund të riparohet vetëm me një riformatim të Komisionit Zgjedhor. Por demokratët e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë, duke akuzuar opozitën se me lënien bosh të vendeve në KQZ kërkon të njollosë procesin zgjedhor. 

RAMA: SHBA KONTRIBUT PËR ZGJEDHE TË NDERSHME E TË LIRA
Ora 13:20- Zyrta e shtypit të Partisë Socialiste zbardh takimin e kreut të PS Edi Rama me Drejtorin për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të SHBA, z.Jonathan Moore. 

Sipas zyrës së shtypit të PS, gjatë takimit, “Rama falenderoi të dërguarin e Departamentit të Shtetit për vizitën e tij në Tiranë brenda një kohe të shkurtër duke e vlerësuar atë si një shenjë konkrete të interesimit të SHBA dhe mbështetjes që ata i japin Shqipërisë dhe popullit shqiptar në këtë moment vendimtar për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri. Ai falenderoi SHBA për kontributin e tyre të vazhdueshëm dhe konkret që japin për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri duke vënë në dukje rolin e pazëvendësueshëm që SHBA luajnë në forcimin e demokracisë në vendin tonë”. 

Më tej theksohet se “Gjatë takimit u shkëmbyen mendime lidhur me rolin, gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të pavarura të administrimit të zgjedhjeve përfshi Komisionin Qendror të zgjedhjeve dhe problematikën më të cilën ndeshet ai. Zoti Rama ndër të tjera vuri në dukje se Partia Socialiste si promotore e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është e gatshme të votojë për kuadrin ligjor të nevojshëm për këtë qëllim” 

Ndërsa shtohet se, “Zoti Moore rikonfirmoi angazhimin e vazhdueshëm të SHBA si përmes ambasadës në Tiranë ashtu edhe kontributit konkret njerëzor dhe financiar për zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje më standardet ndërkombëtare dhe në respekt të ligjit. Ai vuri në dukje se SHBA do të ndjekin nga afër të gjithë procesin si para ashtu edhe pas zgjedhjeve duke bërë thirrje dhe shprehur besimin se të gjithë palët do të mbajnë parasysh interesat më të mira të popullit shqiptar, të respektojnë ligjin dhe të njohin rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se procesi zgjedhor është i një rëndësie të veçantë”.

TAKIMI ME RAMEN, MOOR: SYNOJME BESIMIN E SHQIPTAREVE TEK ZGJEDHJET
Ora 09:40- Ka zgjatur rreth një orë takimi i zyrtarit të Lartë të DASH, Jonathan Moore me kreun e PS-së Edi Rama, në selinë rozë. Në këtë takim Moor shoqërohej nga ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu. 

Në pëfundim të takimit ai ka deklaruar se pritet të përmbyllë vizitën e tij nesër pasdite dhe se do të ketë takime me krerët më të lartë të shtetit. Moor tha se pas Ramës do takohet me kryeministrin Berisha e kreun e LSI-së, Ilir Meta.

“Ky ishte takimi im i parë në kuadër të vizitës dhe do të kem takime të tjera sot dhe nesër. Pata kënaqësinë të takoj zotin Rama, dhe do të takohem edhe me kryeministrin Berisha dhe zotin Meta. Dhe në fund të vizitës, nesër pasdite do të kem më shumë për të thënë. Ky është vetëm fillimi i vizitës,” tha Moore.

I pyetur nëse shpresonte në një marrëveshje për KQZ, Moore tha: “Sigurisht që ne do të na pëlqente të shikonim, siç e kemi thënë shpesh dhe siç e ka bërë të qartë edhe ambasadori ynë këtu Alexandër Arvizu, dhe të sigurohemi që shqiptarët të kenë besim te proçesi dhe institucionet zgjedhore dhe tek rezultati i zgjedhjeve të 23 Qershorit, që janë shumë afër. Por më shumë do të flas në fund të vizitës sime,” tha zyrtari i DASH.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Selami takon Moore: KQZ, na takon ta zgjidhim mbi bazën e ligjit tonë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›