E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy 13-vjeçarë denoncohen në polici për abuzim seksual ndaj 11-vjeçarit

SHKRUAN: Irena Vreto 12-08-2011 12:20

Devoll- Rikthehen abuzimet seksuale me të mitur. Një 11-vjecar bie pre e ngacmimeve të dy 13-vjeçarëve. Ngjarjet e rënda me sfond seksual te të miturit, duket se janë kthyer në një fenomen që kërkon vëmendjen e psikologëve në rrethin e Devollit. Vetëm gjatë paradites të së enjtes prindërit e një djali vetëm 11- vjeç kanë trokitur në dyert e policisë për ndërhyrjen e kësaj të fundit, ndaj një akti të rëndë me fëmijën e tyre të mitur. Nga burimet e policisë lokale mësohet se familjarët e një 11-vjeçari kanë denoncuar në polici 2 djem 13-vjeçarë, duke i akuzuar se kanë ngacmuar seksualisht fëmijën e tyre. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Poloskë të rrethit të Devollit një ditë më parë, ndërsa denoncimi është bërë në komisariatin e policisë së Devollit, në qytetin e Bilishtit gjatë mëngjesit të së enjtes. Familjarët dëshmuan në polici se dy djemtë kanë marrë me një motor fëmijën dhe e kanë dërguar në periferi të fshatit të lartpërmendur, ku dhe kanë kryer aktet e ngacmimeve seksuale me të. Fëmija i shokuar pas asaj që ka përjetuar, i tmerruar ka kërkuar ndihmë te prindërit e tij kur është kthyer në shtëpi. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë, mësohet se fëmija i është nënshtruar analizave mjekësore për të vërtetuar deklaratat e tij. Ndërkaq dy 13-vjeçarët banorë të të njëjtit fshat me djalin 11-vjeçar janë marrë në pyetje nga policia, por për shkak të moshës së tyre të mitur nuk mund të ndalohen. Ngjarje të tilla duket se në këtë rreth për fat të keq po përsëriten shpesh. Afro një muaj më parë, po në Devoll, në fshatin Bitinckë u denoncua përdhunimi i një fëmije 12-vjeçar. Policia arrestoi dy adoleshentë, 16 dhe 19 vjeç, të dyshuar si autorë të ngjarjes, njëri prej të cilëve vazhdon të jetë në gjendje arresti në burg, kurse tjetri ka fituar lirinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›