Zyrtarisht pa trajner! Ndahen rrugët mes FSHF-së dhe Kuzhes
Josip Kuzhe nuk do të jetë më trajneri i Shqipërisë! Lajmi që kishte kohë që qarkullonte ka marrë formë zyrtare dje pasdite, kur presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe trajneri kroat vendosën që me vendim të përbashkët të ndërprisnin kontratën që skadonte në 31 dhjetor të këtij viti. Shkak për këtë prishje të kontratës janë bërë dy miqësoret e muajit nëntor, të cilat Federata Shqiptare e Futbollit mendon që t’ia dhurojë trajnerit të ri, për të krijuar bazat e formacionit kuqezi për eliminatoret e Kupës së Botës Brazil 2014, të cilat do të startojnë pas 11 muajsh. Josip Kuzhe u emërua trajner i Shqipërisë më 20 maj të vitit 2009, duke mbyllur detyrën e një tjetër trajneri të shkarkuar nga Duka, holandezit Ari Han. Në krye të kuqezinjve ai arriti disa rekorde: fitoren më të thellë në miqësoren ndaj Qipros 6-1 si dhe renditjen më të mirë historike në ranklistën e FIFA-s me vendin e 50-të, duke thyer rekordin e mëparshëm të patriotit të tij Oto Bariç.
885 ditë në krye të Shqipërisë
Kuzhe u emërua në krye të kuqezinjve më 20 janar të vitit 2009. Edhe në atë kohë Shqipëria kishte shkarkuar një trajner, holandezin Ari Han, por Kuzhe pati fatin që të kishte në dispozicion dy ndeshje zyrtare, pa llogaritur miqësoret e vitit të ndërmjetëm deri në startin e edicionit eliminator të Euro 2012. Pretendimet ishin të shumta dhe vetë kroati e pranoi pas ndeshjes me Rumanisë se kishte besuar se mund ta kualifikonte Shqipërinë në europian. Megjithatë, po më datë 20, por kësaj radhe të muajit tetor, Kuzhe zyrtarisht largohet nga posti i tij, post që e mbajti për plot 885 ditë.
22 ndeshje në total për të
Josip Kuzhe e udhëhoqi Shqipërinë për 23 ndeshje radhazi, ku 12 prej tyre ishin ndeshje zyrtare dhe 11 miqësore. Ai arriti në total një bilanc prej 8 fitoresh, 7 barazimesh dhe 8 humbjesh, për një golavarazh me 24 gola të shënuar dhe 29 të pësuar. Nga këto ndeshje, në sfidat zyrtare janë regjistruar vetë, 2 fitore, 4 barazime dhe 6 humbje. Kuzhe e nisi aventurën e tij me kuqezinjtë në ndeshjen e parafundit eliminatore të vlefshme për Kupën e Botës 2012, Shqipëri-Danimarkë 1-1 dhe e mbylli me një tjetër barazim 1-1, atë të 10 ditëve më parë kundër Rumanisë në “Qemal Stafa”
Rekordet e kroatit
Pavarësisht se pjesën më të madhe të rekordeve Kuzhe i ka arritur në ndeshje miqësore, ato janë vërtet për t’u vlerësuar. Kështu, nën drejtimin e tij Shqipëria arriti fitoren më të thellë në histori, atë ndaj Qipros me rezultatin 6-1. Gjithashtu, kuqezinjtë qëndruan të pamposhtur për 10 ndeshje me radhë mes sfidave zyrtare dhe miqësore. Tjetër rekord për Kuzhen, është edhe vendi i 50-të historik në renditjen e FIFA-s, vend që u arrit në renditjen e muajit prill të këtij viti dhe që u ruajt edhe në muajin maj. Humbjen më të thellë Kuzhe e shënoi në disfatën nordike, ku Shqipëria u mposht 4-1 nga Suedia e Zllatan Ibrahimoviçit.
Hemorragjia cerebrale
Në fund të muajit shtator të vitit të shkuar, trajneri Kuzhe pëson një hemorragji cerebrale dhe u shtrua urgjentisht në spital. Që në atë kohë u fol se FSHF do të caktonte një trajner të ri, por federata vendosi që t’i besojë kroatit. Kuzhe u rikthyer në krye të Shqipërisë gati dy muaj më vonë, në përballjen miqësore Shqipëri-Maqedoni 0-0 dhe nuk e drejtoi skuadrën në barazimin shtëpiak (1-1) kundër Bosnjës dhe në humbjen (2-0) kundër Bjellorusisë.
23 ndeshjet kuqezi
të Josip Kuzhes
Zyrtare
9 shtator 2009
Shqipëri – Danimarkë 1-1
14 tetor 2009
Suedi – Shqipëri 4-1
3 shtator 2010
Rumani – Shqipëri 1-1
7 shtator 2010
Shqipëri – Luksemburg 1-0
8 tetor 2010
Shqipëri – Bosnje 1-1
12 tetor 2010
Bjellorusi – Shqipëri 2-0
26 mars 2011
Shqipëri – Bjellorusi 1-0
7 qershor 2011
Bosnje – Shqipëri 2-0
2 shtator 2011
Shqipëri – Francë 1-2
6 shtator 2011
Luksemburg – Shqipëri 2-1
7 tetor 2011
Francë – Shqipëri 3-0
11 tetor 2011
Shqipëri – Rumani 1-1
Miqësore
10 qershor 2009
Shqipëri – Gjeorgji 1-1
12 gusht 2009
Shqipëri – Qipro 6-1
17 nëntor 2009
Estoni – Shqipëri 0-0
3 mars 2010
Shqipëri – Irlandë V 1-0
25 maj 2010
Mali i Zi – Shqipëri 0-1
2 qershor 2010
Shqipëri – Andorrë 1-0
11 gusht 2010
Shqipëri – Uzbekistan 1-0
17 nëntor 2010
Shqipëri – Maqedoni 0-0
9 shkurt 2011
Shqipëri – Slloveni 1-2
20 qershor 2011
Argjentinë – Shqipëri 4-0
10 gusht 2011
Shqipëri – Mali i Zi 3-2