FIFA,shuplakë Kosovës

— Futbolli kosovar do të vazhdojë edhe më tutje të mbetet i izoluar. Kështu ka vendosur Komiteti Ekzekutiv i FIFA’s në mbledhjen e mbajtur të premten në qytetin zviceran, Zurich.
Ky organ të premten e ka shqyrtuar kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare me përfaqësuese dhe klube kosovare.
Mirëpo, kërkesa e palës kosovare është refuzuar nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, edhe pse më herët udhëheqësit e futbollit kosovar ishin optimistë se kërkesa e tyre do të aprovohej.
Lajmi është konfirmuar në uebfaqen zyrtare të FIFA-s, përkatësisht në raportin me vendimet që ka marrë Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate. Aty thuhet se me rekomandimin e UEFA-s, FIFA është dashur ta refuzojë kërkesën e kosovarëve.
“Federata e Futbollit e Kosovës (FFK): Pas marrjes së qëndrimit nga UEFA për këtë çështje, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s konfirmoi se kërkesa e FFK-së për të luajtur ndeshje miqësore ndërkombëtare nuk mund të miratohetâ€, thuhet në raportin e publikuar në fifa.com.
Gazeta Express ka provuar të kontaktojë me kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrri dhe me nënkryetarin Agim Ademi, të cilët ishin në Zvicër që të lobojnë për këtë çështje, por kjo ka qenë e pamundur. Gjithashtu telefonin nuk e ka hapur as sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.
Këtë refuzim duket se nuk e kanë pritur udhëheqësit e futbollit në vendin tonë, pasi ata besonin se kërkesa e tyre do të aprovohej nga ana e Komitetit Ekzekutiv i FIFA-s. Madje, ata qysh më herët veç ishin hedhur në aksion për ta gjetur një skuadër kundërshtare, për ta zhvilluar një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Kosovës.
Duhet theksuar se reprezentacioni kosovar vazhdon të mbetet mjaft pasiv, pasi ndeshjen e fundit miqësore – ndër të rralla që i luan – e ka zhvilluar në muajin mars në Prishtinë, ndaj skuadrës shqiptare nga Maqedonia, Renovës.
Hiq më mirë punët nuk i kanë as klubet kosovare. Se deri kurë do të zgjatë izolimi shumëvjeçar i futbollit kosovar, vetëm Zoti e di.