E Shtunë, 31 Tetor 2026

La Masia e re kërkon Messin e ri

Derisa elita evropiane ende përpiqet të gjejë një mënyrë për të ndaluar makinerinë e Barcelonës nga sukseset e saj të mëtutjeshme, gjiganti katalan tashmë ka një plan për të mbetur në krye edhe në vitet e ardhshme. Klubi nga Nou Camp ka inauguruar akademinë e re La Masias dhe shpreson të nxjerrë yjet e së ardhmes. Ajo e kaluara zbuloi atë që sot është futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi.

I gjithë stafi teknik i Barcelonës ishte i pajtimit. Djaloshi i vogël argjentinas sapo kishte kompletuar provën në klubin katalan dhe ishte njëri prej talentëve më të mëdhenj që kishin parë.

“Aftësi të shkëlqyeshme të goditjes, jashtëzakonisht i shpejte me top në këmbë, qendër të ulët të gravitetit që i mundëson të ketë balancë të mirë në lëvizje, inteligjent dhe mentalisht i mprehtë”, shkruhej në raportin e tyre.

Ishte tetori i vitit 2000 dhe 13-vjeçari i talentuar i cili fitoi të drejtën e të qenit në akademinë e të rinjve të klubit sot është dy herë fitues i çmimit të futbollistit më të mirë në botë, Lionel Messi.

Tani 24 vjeq, Messi është produkti më i famshëm i akademisë së njohur si “La Masia”. Më tepër se tri dekada pasi Masia origjinale i hapi dyert e saj për talentët e rinj, akademia po fillon një epokë të re pas inaugurimit të ‘La Masias’ së re të enjten mbrëma në një gala mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Youtube.

Kampioni i Spanjës dhe Evropës ka shpenzuar rreth 11 milionë euro në ndërtesën e re që qëndron afër fushave ku stërvitet ekipi i parë dhe fillimisht do të mirëpres rreth 80 talent të rinj nga skuadrat e ndryshme të klubit.

Lista e të diplomuarve të kaluar përfshin emra të njohur duke filluar me trajnerin aktual të ekipit Pep Guardiola i cili kaloi në Masia më 1984 si 13 vjeç pas largimit nga shtëpia e tij në fshatin Santpedor rreth 70 kilometra nga qyteti.

Ish mesfushori i Barcelonës dhe Spanjës hapi rrugë për emrat e tjerë nga ekipi aktual përfshirë kapitenët Carles Puyol dhe Xavi, Andres Iniesta i cili shënoi golin e fitores për Spanjën në Kampionatin botëror 2010, ish kapitenin e Arsenalit, Cesc Fabregas, bashkëlojtarë i Messit në ekipin e të rinjve.

Në përgjithësi, 11 anëtarë të skuadrës aktuale të Barcelonës janë produkte të Masias dhe klubi shpeshherë krahasohet me rivalin e tij kryesor Real Madridin ku portieri Iker Casillas është i vetmi i diplomuar nga akademia e të rinjve e klubit me paraqitje të vazhdueshme në formacionin bazë.

Kampioni i Premierligës angleze Manchester United, që u mposht nga Barcelona në finalet e edicioneve 2009 dhe 2011 në Ligën e Kampionëve ka gjashtë futbollistë të akademisë në ekipin e parë.

Ndërsa, Iniesta i cili erdhi në Masia më 1996 si 12 vjeq tha: “Sekreti është bërja e gjërave në mënyrën e drejtë nga fillimi e më pas përpjekja të përmirësoheni si futbollist dhe si njeri po ashtu. Ata (studentët) duhet të jenë të vetëdijshëm për mundësinë që kanë, sepse koha ecën shumë shpejt. Është vështirë të lini familjet e juaja andaj duhet të jeni mirënjohës për atë që ju ofrohet, ju them të kënaqeni me veten”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›