Teodosije inaugurohet në Prizren
Në Kishën e “Shën Gjergjit” në Prizren, ka përfunduar inaugurimi i Peshkopit të Kishës Ortodokse Serbe për Rashkë dhe Prizren, Teodosije.
Liturgjinë e shugurimit e ka mbajtur patriarku serb, Irinej. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe ministrat në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq dhe Ivica Daçiq.
Për sigurinë gjatë mbajtjes së ceremonisë, janë përkujdesur ushtarë të forcës së KFOR-it, por edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Ceremonia është përcjellë edhe nga përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës, të dërguarit e Kishës Ortodokse ruse e greke, ata të Kishës Katolike, anëtarë të korit diplomatik dhe përfaqësues së organizatave ndërkombëtare të angazhuara në Kosovë.
Në ceremoni ka marrë pjesë edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë konfirmuar se u kanë dhënë leje qëndrimi ministrave serbë dhe përfaqësuesve tjerë nga ky vend, por me kusht që ata t’i përmbahen agjendës dhe të qëndrojnë në Prizren për ceremoninë fetare dhe të mos e shfrytëzojnë atë për deklarata e thirrje politike.
Edhe pse ceremonia u zhvillua në Prizren, kryetari i komunës, Ramadan Muja, u tha mediave lokale se ai nuk është ftuar të marrë pjesë në ceremoni.
Muja, gjithashtu, u bëri thirrje edhe qytetarëve që, siç tha ai, të mos bien pre e ndonjë provokimi që do t’i jepte kësaj ceremonie fetare ndonjë karakter politik. /rel/