Çabej & Skëndo; Kur ishim pjesë e qytetërimit
Sprova romantike e Eqerem Çabejt, vepra që na befasoi vitin që kaloi, pra “Sonete”, ka edhe bukurshkrimin brenda, formën, estetikën - gjithçka që e bën dinjitoze një vepër të zërë vend në bibliotekë. Mbi motivacionin: botimi u dallua për kulturë të lartë botuese, për punë të kujdesshme redaktoriale, respektim të normave drejtshkrimore, si edhe minimum gabimesh shtypi - botimit “Sonete” që ka për autor gjuhëtarin, shkencëtarin, Eqerem Çabej dhe që i përket editorisë me të njëjtin emër drejtuar nga trashëgimtarja, Brikena Çabej - dje iu dha çmimi i bibliofilisë “Lumo Skëndo”. Ky çmim i themeluar prej katër vitesh vjen si nderim për themeltarin e bibliofilisë Mit’hat Frashërin (pseudonimi Lumo Skëndo, që përdori në publicistikën e tij).
Duhet shtuar se për këtë vlerësim, rastin konkret të botimit të Çabejt, janë pasur parasysh edhe vlerat intelektuale, ku gjithashtu tërheqin vëmendjen cilësitë e veçanta estetike dhe vlera të spikatura në transmetimin dinjitoz të trashëgimisë sonë kulturore.
Është Ministria e Kulturës, organizatore e këtij çmimi, që shfrytëzon mjediset e Bibliotekës Kombëtare për ta kryer ceremonialin e vlerësimit të veprimtarisë së editorisë shqiptare përgjatë një viti.
Me kryetar Aurel Palasarin, drejtor i BK-së dhe anëtarë Fahri Balliu, botues, Gjovalin Çuni, si dhe specialistin në drejtorinë e librit në MTKRS, Ermir Nika - ky çmim kishte pretendentë kryesorë për ndarjen e “Lumo Skëndos” botimet françeskane si dhe botimet “Kokona”, duke iu referuar një botimi. Para se çmimi të shkonte për botuesit, kujdesjen që specifikisht kanë pasur për autorët shqiptarë, dje, historiani Luan Malltezi ka bërë një përmbledhje, në shenjë të rehabilitimit që po i bëhet veprimtarisë akademike të Mit’hat Frashërit - për veprën e tij të botuar dhe të njohur gjerësisht nga publiku.
E bija e gjuhëtarit Eqerem Çabej, Brikena, nuk është hera e parë që ndeshet në publik me qëndrestarin e saj për ta shpëtuar nga një risk komercial veprën e të atit, nga ajo që quhet e shitshme në treg. Duke na treguar për një mbijetesë të vështirë të botimeve që ajo drejton, tregon se për herë të parë është detyruar t’i drejtohet për ndihmë Ministrisë së Kulturës, për botimin më të ri, transkriptimin dhe transliterimin e veprës së Buzukut nga Çabej. Trashëgimtarja e Çabejt na flet për një pikë takimi me majat e kulturës, duke e vlerësuar çmimin “Lumo Skëndo”, në kthimin e kohës së mbetur, aty – kur dikur kulturat evropiane përpiheshin edhe nga intelektualët në Shqipëri - dy rastet e personaliteteve e ngjallin këtë kujtesë.
Çfarë do të thotë për ju çmimi “Lumo Skëndo”?
Për mua është një institucion dhe një aktivitet shumë i rëndësishëm në kulturën shqiptare, ndonëse mund të duket pak e çuditshme që shprehem në këtë mënyrë, pasi duket sikur po merrem më shumë me formën, gjë që edhe kjo e fundit ka një rëndësi të madhe në një libër. Të vlerësosh bibliofilinë sot në Shqipëri duket sikur kërkon ndoshta pak bukurshkrim nga ana e alfabetit, por kjo është shumë e rëndësishme, pasi ne edhe duhet të rikthehemi prapa në kohë. Duhet të ringjallim kujtesën, kohën, kur kemi qenë edhe ne pjesë e botës së qytetëruar, dhe kjo është një nga ato detaje që mund të duken të vogla, por për mua kanë shumë rëndësi. Janë majat e vogla, që përbëjnë majën e madhe të kulturës. Njëkohësisht emri Lumo Skëndo, i cili ka qenë përfaqësues i kulturës evropiane dhe zëdhënës i saj në Shqipëri, për të gjithë brezin e prindërve të mi, deri në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Lumo Skëndo ishte përfaqësues dhe rrezatues i kësaj kulture, ishte personi që lidhte këta njerëz me Evropën dhe kulturën e saj me të gjithë qenien e tij.
Si do ta vlerësonit “Sonetin”, me të cilin u përfaqësua çmimi që morët, mes librave të tjerë?
Soneti është një nga format më të larta të poezisë, është një nga format më të vështira për t’u shkruar me gjithë kompleksitetin e rimave dhe ritmeve që kanë. E pikërisht kjo është arsyeja që sonetet janë pak të lëvruara edhe në botë. Nuk është e rastit që im at ka zgjedhur të shkruajë sonet, por ka dashur të vërë veten përballë një sfide të vërtetë, megjithëse ai nuk ishte krijues letrar, por në rininë e tij ka kaluar disa prova, duke përthyer disa vjersha, disa sonete siç është “Beatriçe” e Dante Aligerit. Për të kurorëzuar dashurinë e tij të jetës, me sa duket ka dashur t’i botojë kësaj gruaje diçka të vogël, në aspektin e përmasave e sasi, por që gëzon një cilësi goxha të lartë.
Aktualisht, a keni në dorë ndonjë vepër që përgatitet për botim?
Unë tani po merrem me ribotimin e Buzukut, sërish të babait tim, sepse ky është një libër shumë i rëndësishëm, pra siç dihet është libri i parë shqip. Është një faksimile, një fotokopje origjinale e librit që i përket vitit 1500. Në të njëjtën kohë po përgatis edhe transkriptimin dhe transliterimin që ka realizuar sërish babai im, Eqerem Çabej.
Kur pritet të dalë libri?
Shumë shpejt. Janë përgatitur të gjitha materialet e nevojshme, po ashtu është përgatitur edhe skanimi dhe tashmë pritet vetëm të hyjë në shtyp.
A keni vështirësi në mbajtjen e veprës së Çabejt, gjithë përgatitjen për botim, në këtë rast flasim edhe për natyrën financiare?
Botimet “Çabej” nuk është se ekzistojnë si të tilla realisht, pra si të veprës së tij. Faktikisht, unë jam detyruar ta bëjë këtë gjë, kur vura re që vitet po ikin dhe vepra e tij po mbetej e pabotuar. Vështirësi sigurisht që ka në aspektin financiar, pasi këto nuk janë vepra letrare dhe nuk tërheqin shumë publik. Janë vepra që shiten pak, por ama kërkojnë shumë punë përgatitore. Kërkojnë shumë përkushtim, kohë dhe financim.
Si e zgjidhni këtë vështirësi?
Duke sakrifikuar. Është hera e parë që për librin e Gjon Buzukut kam kërkuar një ndihmë nga Ministria e Kulturës, e cila ka vendosur të bashkëpunojë, duke e vlerësuar si një vepër më rëndësi të madhe kombëtare.