E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analizat , DSHP: Ujërat e liqenit, drejt përmirësimit



Analizat e kryera së fundmi nga Drejtoria e Shëndetit Publik tregojnë për përmirësim të situatës së ujit në Liqenin Artificial të Tiranës. "Kemi stabilitet në mbetjen e thatë, në pH, aciditetin e liqenit, në përmbajtjen e nitrateve, që është shumë e rëndësishme, ndërsa përmbajtja e amoniakateve që ishte më e lartë, ka rënë tashmë, duke u stabilizuar në një shifër shumë të pranueshme për liqenin", - tha drejtori i DSHP-së, Gjergji Ndoja. Sipas tij, 3 kanë qenë faktorët që ndikuan në përmirësimin e parametrave të ujit. Ndër ta, faktori i parë është rrjedhja, që vetë pastron liqenin; së dyti, lënda ndotëse (kryesisht bojëra) nën efektin e ujit dhe diellit është dekompozuar dhe së treti, është pastrimi i bërë nga punëtorët. Ai vlerëson faktin se jo vetëm që nuk ka pasur ngordhje të gjallesave, por ditët e fundit ato paraqiten më të dukshme dhe aktive. Gjallesat e kanë kaluar pragun më të vështirë që ishte data 12-13 maj, ndërsa tani nuk rrezikohen më. Drejtoria e Shëndetit Publik është ndër institucionet e para që u mor me çështjen e ndotjes së liqenit të Tiranës si me inspektimet e specialistëve, kontrollin fizik të gjendjes, por dhe me marrjen e masave dhe kryerjen e analizave. Kjo drejtori do të vijojë kryerjen e analizave një herë në dy ditë, për ta pasur nën monitorim të vazhdueshëm ecurinë e parametrave të ujit të liqenit. Ndotja e liqenit të Tiranës mendohet të ketë ndodhur rreth datës 10 maj, ndërsa era e rëndë dhe ngjyra karakteristike jeshile u diktua nga banorët dy ditë më pas, të cilët iu drejtuan organeve kompetente shëndetësore dhe bashkisë për të marrë masat e duhura.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›