E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuta e RFGJ-së, një histori suksesi



Nga Felix Steiner DW

Kushtetuta gjermane mbushi 60 vjet. Rrethanat e themelimit të shtetit ishin nën ndikimin e përfundimit të Luftës II Botërore. Ligji themeltar ofroi kuadrin për fillimin e ri. RFGJ-ja është sot një demokraci e qëndrueshme dhe funksionale; një anëtar i respektuar i bashkësisë ndërkombëtare; një fqinj, prej të cilit askush nuk ka pse të ketë frikë; një vend me një mirëqenie të pashembullt historikisht, që ndërkohë është për shumë shtete të tjera shembull.

23 maji i vitit 1949 nuk ishte për gjermanët një ditë gëzimi

Të gjitha këto as që mund të parashikoheshin para 60 vjetësh. Në vitin 1949, themelimi i RFGJ-së u krye në një vend të pushtuar me këmbënguljen dhe lejen e amerikanëve, britanikëve dhe të francezëve. Një shtet gjermano-perëndimor i pjesshëm dhe për këtë i pranuar prej politikanëve gjermanë vetëm si diçka provizore. 23 maji i vitit 1949 nuk ishte për gjermanët një ditë gëzimi. Në atë kohë ata kishin halle krejt të tjera: mungesa e strehimit në qytetet e bombarduara, shtatë milionë gjermanë të dëbuar prej territoreve të dikurshme gjermane në Lindje që ishin në kërkim të një strehe të re, mungesa e vendeve të punës, më tepër se një milion burra gjermanë që konsideroheshin të humbur apo që vazhdonin të ishin robër lufte. Po ashtu, në vitin 1949, për shkak të krimeve të pashembullta të nacionalsocialistëve, Gjermania ishte edhe vendi më i përbuzur i bashkësisë ndërkombëtare.

Kancelarë të shkëlqyeshëm

Çfarë e bëri të mundur këtë transformim, këtë sukses të themelimit të shtetit përpara 60 vjetësh? Në Perëndim ishin dy gjëra: RFGJ-ja u drejtua prej kancelarësh të shkëlqyeshëm. Në mënyrë të veçantë duhen përmendur Konrad Adenauer, Willy Brandt dhe Helmut Kohl. Adenauer, skeptik kundrejt popullit të vet, e inkuadroi vendin në bashkësinë perëndimore duke penguar kështu çdo rrugë tjetër "të veçantë" dhe fatale të gjermanëve, që e kishin çuar Evropën në dy luftëra botërore. Brandt, i cili u zgjati dorën e pajtimit fqinjëve lindorë përtej perdes së hekurt të ideologjisë. Dhe Helmut Kohl, i cili e formësoi bashkimin e Gjermanisë në mënyrë të tillë, që askund nuk u krijua ndonjë frikë prej një Gjermanie të forcuar rishtazi.

Sukses ekonomik i RFGJ-së

Shkaku i dytë është pa dyshim suksesi ekonomik i RFGJ-së. Me rritjen e mirëqenies nga vitet ‘50 u rrit me shpejtësi edhe besimi i gjermanëve në vlerat e demokracisë liberale. Partitë radikale - pavarësisht të majta apo të djathta - që prej atëherë nuk kanë pasur sukses në asnjë nga zgjedhjet parlamentare. Dhe edhe i vetmi votim i lirë në historinë e RDGJ-së për zgjedhjen e Parlamentit në pranverë të vitit 1990 nuk ishte vetëm votë për lirinë, por në radhë të parë votë për t'i hapur rrugë mirëqenies sipas modelit gjermano-perëndimor.

Këto bëjnë të qartë se edhe në vitin jubilar nuk po tregohet vetëkënaqësi. Një demokraci e qëndrueshme është një vlerë në vetvete, që i kapërcen edhe rastet e krizave ekonomike. Por në rast se çdo vit shtohet numri i gjermanëve, për të cilët siguria sociale dhe një ndjenjë e papërcaktuar nga afër "drejtësie" shoqërore janë më të rëndësishme se liria, kjo duhet të na alarmojë, sepse "drejtësinë" e kishin shkruar vazhdimisht në flamujt e tyre edhe sistemet totalitare, por liri ka vetëm në demokraci. Për këtë liria nuk është një gjendje e pandryshueshme, por diçka që në një demokraci të gjallë duhet siguruar rishtazi dhe për të cilën duhet luftuar çdo ditë, nga qytetaret dhe qytetarët që janë bartës të kësaj demokracie dhe angazhohen në të. Për këtë, ligji themelor gjerman krijon edhe 60 vjet pas shpalljes një kornizë të mrekullueshme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›