E Diel, 1 Nëntor 2026

Çahen tubacionet, qytetarët frikë për ndotjen e ujit

01/06/2009  Defekti në lagjen “30-vjetori”. Uji vjen me mbetje të ngurta

DSHP: Bëmë analizat, nuk rezultoi i ndotur dhe me rrezik

BERAT- Shirat e ditëve të fundit dhe shumë herë temperaturat e nxehta rrezikojnë shfaqjen e sëmundjeve epidemike nga uji i pijshëm tek qytetarët e Beratit. Rasti më i fundit është në lagjen “30-vjetori”, ku çarja e një tubacioni ka krijuar turbullim të ujit të pijshëm. Banorët me kampione uji në duar kanë rendur tek Drejtoria e Shëndetit Publik që ndodhet po në këtë lagje, për të bërë analizat e ujit që konsumojnë çdo ditë. Pasi kanë marrë përgjigje se uji nuk përbën rrezik qytetarët vazhdojnë të përdorin këtë ujë, por ende nuk janë të qetë, pasi në fund të enëve ata vërejnë mbetje të ngurta. Ky shqetësim i qytetarëve është shfaqur dhe në lagje të tjera të qytetit ku faji ka qenë për shkak të tubacionit të ujit të pijshëm. Sipas shefes së higjienës në Drejtorinë e Shëndetësisë, Sadie Isufaj, bëhet e ditur se nga kjo drejtori çdo ditë kryhen kontrolle në 37 pika fundore, ndërsa një herë në javë ky kontroll bëhet i plotë që nga burimi i Bogovës që furnizon rrethin e Beratit dhe deri në sistemin e shtrirjes të tubacionit ku shpërndahet sasia e ujit të pijshëm. Sipas Isufajt, në përgjithësi Berati nuk ka pasur probleme që të rrezikojnë jetën e qytetarëve, por ajo që mund të rrezikoj është rrjeti i tubacionit që duhet të ndërrohet. Shefja e higjienës citon se defektet në linjat e brendshme na bën që të jemi në gatishmëri sa herë që bie shi për faktin se uji ka ndotje dhe në kërkojnë nga Ndërmarrja e Ujësjellësit që në këto raste të rritet sasia e klorit në ujë. “Nga 0.6 deri në 0.8 miligram për litër që është masa normale, në ditët me shi sasia dyfishohet dhe kjo është një masë që mund të ezauroj rrezikun për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme tek qytetarët”, pohon Isufaj. Nga analizat bakteriologjike dhe fiziko-kimike janë konstatuar mbetje të ngurta, por ne theksojmë se nuk kemi siguri që nuk do të shfaqen sëmundje infektive pasi rrjeti çon në ndotje të ujit, citon një punonjëse në repartin e laboratorit. Në shumë rrugica të qytetit të Beratit ka pasur defekte të herëpashershme të dala nga qarkullimi i makinave me tonazh të rëndë që kalojnë mbi kalldrëm, bën të ditur Drejtori i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve Fatmir Shehu. Sipas tij, rastet e evidentuara janë mbuluar me riparime të defekteve, por për mungesë fondesh nuk mund të bëhet rikonstruksion i plotë i tubacionit të ujësjellësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›