E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbetet përgjysmë rruga, të izoluar 6 mijë banorë

01/06/2009  Ura Vajgurore, nuk lëvrohen fondet për rikonstruksionin. Të penalizuar dhe 10 biznese

URË-VAJGURORE- Plot 6 mijë banorë dhe punëtorët e 10 bizneseve të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit në qytezën e Urës Vajgurore përballen me kushtet skandaloze të një rruge krejtësisht të shkatërruar për t’u lidhur me pjesën tjetër të qytetit.

Rruga

Segmenti rrugor nga shkolla e mesme deri në kryqëzimin Pashalli Konisbaltë vazhdon të jetë në gjendje të mjerë gjithë gropa në të gjithë gjatësinë, ndonëse për rikonstruksionin e tij u akordua një fond prej 32 milionë e 600 mijë lekëve të reja. Për vitin 2008 nëpërmjet Ministrisë së Pushtetit Vendor kësaj bashkie ju akordua kjo shumë nga granti konkurrues për rikonstruksionin e këtij segmenti, investim i cili ishte ëndërruar prej vitesh për banorët. Për këtë vit nga kjo ministri u akordua shuma prej 4 milionë lekësh të reja, çka bëri që firma sipërmarrëse pas procedurës së tenderimit të nisë menjëherë punët. Po, ndërsa punimet sipas projektit parashikoheshin të përfundonin për 12 muaj nga data e nisjes së tyre rruga jo vetëm që nuk ka përfunduar së ndërtuari, por punimet janë lënë në mes. Shkak është bërë mos lëvrimi i pjesës tjetër të fondit. Për vitin 2009 bashkisë së këtij qyteti nuk i është akorduar pjesa tjetër e fondit për rikonstruksionin e segmentit sipas parashikimeve. Kryetari i Bashkisë së Urës Vajgurore, Syrja Ormënaj, është shprehur rreth këtij problemi se i është drejtuar tre herë Ministrisë së Brendshme me shkresa për lëvrimin e fondit, por ende nuk ka marrë asgjë përgjigje. Në këto kushte ky aks që lidh banorët me pjesën tjetër të qytetit dhe me fshatin Sinjë vazhdon të ngelet pa u rikonstruktuar. Sipas projektit, kjo rrugë parashikohet të rehabilitohet në gjithë gjatësinë e saj, të ndriçohet e të pajiset me trotuare, gjë e cila tashmë ka mbetur pezull për shkak të moslëvrimit të pjesës tjetër të fondit. Ndërkohë më të prekur nga ky ngërç janë banorët e zonës, punonjësit dhe biznesmenët, të cilët kanë ngritur aktivitetet e tyre në këtë pjesë të qytetit. Shumica e tyre shprehen se qeverisja vendore si dhe ajo qendrore duhet të merren vesh me njëra-tjetrën për t’u dhënë një zgjidhje pasi e përditshmja e tyre është vështirësuar mjaft. Çdo ditë u duhet të kalojnë në një rrugë të shkatërruar plot pluhur e baltë e gropa. Banorë të zonës janë shprehur të indinjuar se do të ngrihen protesta deri sa çështja të marrë zgjidhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›