E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërnjoftimet elektronike, shiten mbi 1 milion kuponë

01/06/2009  Në gjithë rrjetin e Postës

Rreth 1 milion e 100 mijë kuponë për letërnjoftimet elektronike janë shitur deri më tani vetëm në rrjetin e Postës Shqiptare. Burime zyrtare të këtij institucioni theksuan dje se ky proces ka angazhuar të gjitha strukturat e shërbimit postar në këtë proces. Në të gjithë Shqipërinë shiten kuponë, duke përfshirë rrjetin prej 551 zyra postare, të cilat mbulojnë të 470 njësitë e aplikimeve. “ Zbatimi i VKM 419, dt. 30.04.2009 për shitjen e kuponëve me vlerën 200 lekë po ecën gjithashtu me ritme të shpejta. Strukturat e Postës Shqiptare kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në funksion të këtij procesi gjatë gjithë ditëve të javës duke e vlerësuar maksimalisht si një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm, përfshirë edhe ditët e pushimit dhe të festave duke punuar me orare të zgjatura deri në orët e vona të mbrëmjes derisa t’i shërbehet edhe qytetarit të fundit që ndodhet në zyrën postare”, - theksuan burimet zyrtare të Postës. Sipas tyre, është drejt përfundimit procesi i rimbursimit të pensionistëve. “Deri tani ky proces ka përfunduar në masën 98 për qind në filialet e Postës Shqiptare Tiranë, Lezhë, Kukës, Korçë e Mat, ndërkohë që në gjithë Shqipërinë janë rimbursuar mbi 80 për qind e tyre. Posta Shqiptare bën kompensimin e pensionistëve, ndërsa kategoritë e tjera që përfitojnë nga skema e kompensimit paguhen në institucionet përkatëse si bashki, komuna, rektorate”, - theksuan burimet. Posta Shqiptare u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë të ndihmojë procesin e pajisjes së shtetasve me kuponë, duke i ftuar qytetarët të aplikojnë për marrjen e letërnjoftimit elektronik. Nga ana tjetër qytetarët mund të drejtohet për çdo sqarim në numrin pa pagesë të telefonit 08004141 ose në numrin 0(4) 2258828.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›