E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi kalon provën e konsensusit, Ruçi kundër, 10 socialistë abstenojnë

Ruçi: “Votova kundër, jo se jam kundër vendimit të Grupit. Nëse mazhoranca nuk ndal veprimet e saj në këshillat e qarqeve, klima politike do të përkeqësohet”

Mazhoranca dhe opozita kanë kaluar provën e parë të vërtetë të funksionimit të paktit të tyre, të arritur para disa ditësh me ndërmjetësimin edhe të faktorit ndërkombëtar. Kuvendi ka miratuar me konsensusin e të dyja palëve dy ligje me 3/5, Kodin Hekurudhor dhe Kodin Detar, si dhe ka ngritur Komisionin e Reformës Zgjedhore. Jo vetëm kaq, pasi të gjitha ligjet e tjera të kaluara dje, pra edhe ata që miratohen me shumicë të thjeshtë votash, janë votuar edhe nga deputetët e opozitës. Megjithatë, situata në zgjedhjet e strukturave vendore në Fier ka bërë që një pjesë e mirë e deputetëve të opozitës të mos votojnë pro kodeve, ashtu siç ishte rënë dakord, por abstenuan dhe, në rastin më të keq, Gramoz Ruçi votoi kundër në rastin e Kodit Detar. Veprim ky që në radhë të parë ka cenuar marrëveshjen me mazhorancën dhe së dyti përbën një shkelje të vendimit të grupit socialist, i cili kishte rënë dakord që të votonte pro.

Kodi Hekurudhor

Ashtu siç edhe kaloi në komisionet parlamentare, edhe dje në seancë dy kodet e përfshira në rendin e ditës nuk kanë ngrënë debat. Fill pas shqyrtimit të të dy projektligjeve të tjera, Kuvendi ka kaluar në proces votimi dhe i pari në radhë nga ligjet që kërkojnë 3/5 e votave ka qenë Kodi Hekurudhor. Por zhvillimet e fundit në kompozimin dhe zgjedhjen e krerëve të këshillave të qarqeve ka sjellë disa të papritura të vogla në sallën e Parlamentit. Pavarësisht se ai ka marrë 124 vota pro, ndaj tij dy deputetët socialistë Erion Braçe dhe Dashamir Peza kanë abstenuar.

Kodi Detar

Më pas seanca ka kaluar në votimin e Kodit Detar, por ndryshe nga nisma e mëparshme, ai ka marrë më pak vota pro. Vetëm 116, ndërkohë që ka marrë dhe 1 votë kundër, atë të kryetarit të grupit socialist, Gramoz Ruçi, dhe 10 abstenime dhe më konkretisht Ilir Gjoni, Dash Peza, Erion Braçe, Skënder Hasa, Armando Subashi, Ermonela Felaj, Arben Isaraj, Ervin Koçi, Pirro Lutaj dhe Valentina Leskaj. Por vota kundër e kreut të grupit socialist më shumë ka qenë një pretekst për të marrë fjalën dhe për të sqaruar edhe një herë mazhorancën se, në rast se nuk heq dorë nga ajo që ai e konsideroi si vjedhje e mandateve të këshilltarëve të majtë në qarqet Fier dhe Gjirokastër, atëherë marrëveshja rrezikohet plotësisht. “Votova kundër, jo se jam kundër vendimit të Grupit. Votova kundër për të bërë një sqarim politik. Jam këtu për t’i thënë personalisht Kryeministrit se opozita shqiptare do t’i qëndrojë marrëveshjes, por në qoftë se mazhoranca nuk ndal veprimet e saj, këto veprime banditeske, këto vendime antiligjore, antikushtetuese dhe në kundërshtim me shtetin e së drejtës, jo vetëm që klima politike nuk do të përmirësohet, por ajo do të përkeqësohet”, - tha Ruçi. Ndërkohë që votimin e pikave të marrëveshjes në sallë e ka ndjekur edhe përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë, Etore Sequi.

Deputetët që votuan kundër

dhe abstenuan për Kodin Detar

Kundër

Gramoz Ruçi

Abstenim

Ilir Gjoni

Dashamir Peza

Erion Braçe

Skënder Hasa

Armando Subashi

Ermonela Felaj

Arben Isaraj

Ervin Koçi

Pirro Lutaj

Valentina Leskaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›