ILDKP, sot shorti i verifikimit për pasurinë e 165 zyrtarëve
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive pritet të hedhë sot shortin për verifikimin e hollësishëm të pasurisë së 165 zyrtarëve. Po sot pritet që ky institucion të publikojë listën e zyrtarëve që kanë dorëzuar me vonesë deklarimin e pasurisë. Verifikimi i hollësishëm i deklarimit të pasurive bëhet për një numër të caktuar zyrtarësh dhe përzgjedhja e tyre bëhet me short edhe nga vetë qytetarët. Ky verifikim përbën pjesën më të rëndësishme të punës së inspektoratit. Me këtë rast, ILDKP-ja do të organizojë sot një aktivitet "ILDKP me dyer të hapura". Së pari, do të hidhet shorti për përzgjedhjen e rreth 165 zyrtarëve që do të kalojnë në kontroll të plotë si faza më e rëndësishme e kontrollit që kryen ILDKP-ja. Pjesë e këtij aktiviteti do të jetë publikimi i listës së zyrtarëve që kanë dorëzuar me vonesë deklaratën e pasurisë. Prej disa vitesh, ky institucion i ngritur nga Kuvendi bën verifikimin e deklarimeve të pasurisë së zyrtarëve. Deklarimi i pasurisë është e detyrueshme, në të kundërt ligji parashikon sanksione. Pas deklarimit dhe dorëzimit të tij në inspektorat, fillon procesi i verifikimit të deklaratës dhe në rast se inspektorati konstaton se është fshehur pasuria, atëherë zyrtari ndëshkohet sipas sanksioneve që parashikon ligji. Në raportin e vitit të shkuar, dorëzuar në Kuvend, drejtuesit e inspektoratit vërenin se gjatë procesit të verifikimit punonjësit kanë hasur mjaft vështirësi, ndërsa problem mbeten llogaritë bankare jashtë shtetit. Për këtë çështje, pak kohë më parë, qeveria vendosi që inspektorët e këtij institucioni të pajisen me vizë përkatëse për të verifikuar pasuritë e fshehura të zyrtarëve shqiptarë në bankat e huaja. Detyrimin për të bërë deklarimin e pasurisë e ka Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat, nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve, kryetarët e bashkive, të njësive bashkiake dhe të komunave, drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror, prokurorët, gjyqtarët, përmbaruesit e të gjitha niveleve etj. Një tjetër kategori janë edhe drejtuesit e institucioneve të pavarura publike.