"Lufta e Ftohtë e re mund të jetë pak më e ftohtë"
Kam shkëputur për këtë rubrikë të nderuar disa fjali nga një artikull i Morton Abramovitz, ish-ndihmëssekretar i Shtetit: "Rusia e Putinit, e cila i kushton pak kujdes sundimit të ligjit, i ka mbuluar përpjekjet e saj diplomatike me petkun e të drejtës ndërkombëtare, veçanërisht me rezolutën 1244, e cila i dha fund luftës në Kosovë. Tash nevojitet ofenzivë e gjatë diplomatike për t'i kundërshtuar argumentet e Rusisë, si dhe bota të përkujtohet se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Rezoluta 1244 nuk thekson se Kosova duhet të mbetet nën sovranitetin serb, siç insistojnë Rusia dhe Serbia, dhe as qëe përjashton pavarësinë. Me të vërtetë, çdo lexim i arsyeshëm i rezolutës, lë të kuptohet se pavarësia do t'i kënaqte synimet e këtij dokumenti dhe qëllimet e mbikëqyrjes së vazhdueshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë në tetë vitet e fundit... Mënyra se si do të reagojë Rusia ndaj mbështetjes së Perëndimit për pavarësinë e ardhshme të Kosovës, do të jetë test që do të tregojë se sa ka përparuar ajo që nga koha e Luftës së Ftohtë. Përmes menaxhimit të kujdesshëm të procesit të pavarësimit të Kosovës dhe vëmendjes, për t'i shfrytëzuar rastet për t'i përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë, Perëndimi mund t'i zbutë pasojat më të rënda të këtij konfrontimi.Por, pavarësisht nga kjo, Lufta e Ftohtë e re mund të jetë pak më e ftohtë…