Çani, gol në fitoren e Polonia Varshavës
Edgar Çani ka hapur serinë e golave në ndeshjen e mbrëmjes të Polonia Varshavës kundër Jagielonia Bialistok, të fituar nga vendësit 4-1. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi në minutën e 36-të të pjesës së parë, pas një asisti të dhënë nga sulmuesi gjeorgjian, Vladimir Dvalishvili. Më pas, miqtë barazuan me anë të Makuszevski në minutën e 59-të, por Vszolek (74′), Brziski (83′) dhe Teodorczi (90′) shënuan edhe tre gola duke i dhënë kështu fitoren Polonia Varshavës. Skuadra e Çanit, me këtë fitore ngjitet në vendin e 4-t në tabelën e renditjes, me 37 pikë, po aq sa edhe Rush Çorzov (ka golavarazh më të mirë). Ndërkohë që kampionati kryesohet nga Legia Varshavë, me 42 pikë, e ndjekur nga Sl?sk Vroclav me 39 pikë. Sakaq, kujtojmë se ky ishte goli i dhjetë i Edgar Çanit në kampionatin polak, shënjestër kjo e cila e ngjit sulmuesin e ekipit tonë përfaqësues në treshen e podiumit të golashënuesve më të mirë ku kryeson letonezi Rudnevs, me 18 gola dhe Biton, po me 10 gola saç ka edhe Çani.