E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon miqësorja, Spanja zgjedh ekipin maqedonas

Miqësorja e shumëpërfolur nga ana e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit ndaj Spanjës nuk do të luhet. Lajmi është bërë i ditur dje nga FSHF-ja, duke qenë se në drejtim të këtij institucioni kishte ardhur një përgjigje negative lidhur me programimin e një ndeshjeje mes Shqipërisë dhe Spanjës, e cila do të luhej më 30 maj në Xhenevë të Zvicrës. Në fakt, sipas informacioneve, kampionët e botës të drejtuar nga Visente Del Boske do luajnë ndaj Serbisë më 26 maj dhe më datë 30 maj kanë zgjedhur një mes Maqedonisë dhe Iranit. Për momentin është anashkaluar totalisht Shqipëria e De Biazit dhe spanjollët po shikojnë se cila mes dy kombëtareve të mësipërme do t’u bënte punë para Kampionatit Europian të këtij viti. Sipas gjasave, më shumë mundësi për momentin ka Kombëtarja e Maqedonisë, edhe pse asgjë nuk është e sigurt. Kujtojmë se vetëm para dy javësh presidenti i FSHF-së, Duka, pas kthimit nga miqësorja me Gjeorgjinë, pati deklaruar se mund të luajmë me Spanjën. Madje, ishte vetë Duka që pohoi edhe stadiumin se ku do luhej ndeshja në Xhenevë, por fakt është se kampionët e botës në fuqi kanë preferuar një skuadër tjetër dhe jo Kombëtaren që drejton aktualisht italiani Xhani De Biazi. Ndërkohë, opsion për Shqipërinë mbetet gjithsesi Italia, edhe kjo një nga skuadrat elitare që do kërkojë të zhvillojë të paktën dy miqësore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›