Muça: Etika të hetojë Shkumbini-Skënderbeu
Tekniku i Flamurtarit: Ndeshje e pazakontë, në Peqin e vështirë të fitosh.
“Shihni me kujdes kur të luhet edhe Kastrioti-Skënderbeu”
Trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, e ka konsideruar si të pazakontë përballjen e peqinasve ndaj Skënderbeut të Korçës, luajtur pasditen e së shtunës dhe ka pohuar se ajo ndeshje mund të merret në hetim nga Komisioni i Etikës. Një deklaratë të tillë tekniku tiranas e ka dhënë gjatë një emisioni sportiv mbrëmjen e së dielës. Madje, ai ka shtuar edhe më tej teksa ka paralajmëruar se një tjetër sfidë e të njëjtit nivel, me anomali të theksuara, mund të jetë edhe ajo që do luhet pas katër javësh mes Kastriotit dhe Skënderbeut, e programuar për t’u zhvilluar në Krujë në fund të këtij muaji. “Unë nuk them se Skënderbeu nuk mund të fitonte në Peqin. Absolutisht jo, pasi korçarët kanë një skuadër me lojtarë cilësorë, por mënyra sesi u luajt ajo ndeshje nuk më la përshtypje të mira. Unë jam trajner dhe gjithnjë kur kam shkuar në Peqin kam hasur vështirësi të mëdha për të marrë pikë në atë fushë për shumë arsye, duke filluar që nga ambienti, tifozët e zjarrtë, por edhe skuadra, e cila motivohet jashtëzakonisht shumë kur përballë ka një skuadër kampione. Sipas meje, ajo ndeshje mund edhe të jetë pjesë e një hetimi nga ana e Komisionit të Etikës. Madje po ju them edhe diçka tjetër dhe ju siguroj se do vij sërish dhe të flas pasi të luhet ndeshja Kastrioti-Skënderbeu. Shikojeni me kujdes edhe atë takim, dhe pastaj flasim”, ka theksuar Muça, i cili duhet thënë se vitin e kaluar pati drejtuar ekipin korçar deri në mesin e sezonit. Më pas ai u shkarkua nga presidenti Agim Zeqo, duke u zëvendësuar nga Shpëtim Duro. Më tej, Muça ka folur edhe për gjendjen e skuadrës së tij dhe momentin jo shumë të mirë që po kalon, përderisa Flamurtari nuk po merr rezultatet e kërkuara. Sipas teknikut, një shkak lidhet me terrenin shumë të keq në stadiumin e Vlorës, i cili nuk të jep mundësi që të shprehesh si duhet. “Fusha, e kam fjalën terreni, është totalisht e rrënuar. Aty luan edhe Vlora (ekip i Kategorisë së Parë) dhe më besoni është në atë gjendje se nuk mund të luhet futboll. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet që ne nuk kemi marrë dot rezultate në fushën tonë. Shikoni ndeshjen me Teutën. Jam i sigurt që askujt nuk i ka pëlqyer ajo ndeshje. Shikoni atë me Laçin gjithashtu. Mendoj se më së shumti na ka penalizuar terreni, i cili na është thënë se do rikonstruktohet totalisht në fund të këtij sezoni, në muajin maj. Mund t’ju them se me drejtuesit kam një marrëdhënie normale pune, ashtu sikundër kam pasur me cilindo punëdhënës më përpara”, ka pohuar Muça.
FSHF, asnjë reagim për sfidën në Peqin
Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon të mos japë asnjë koment zyrtar lidhur me atë që ndodhi në Peqin në ndeshjen e fundit të Skënderbeut. Edhe dje “Panorama Sport” ka kërkuar zyrtarisht ndonjë reagim të drejtuesve të FSHF-së, por askush prej tyre nuk ka pranuar të flasë lidhur me “teatrin” në fushën e Peqinit. Kujtojmë se edhe sezonin e shkuar federata ka mbajtur një qëndrim injorues ndaj tolerimeve në kampionatin shqiptar, madje edhe kur kishte deklarata të forta nga ana e drejtuesve të klubeve të ndryshme, si Flamurtari apo edhe Vllaznia.Policia del garant: S’do ketë incidente
Drejtues të Policisë së Vlorës bëjnë me dije për “Panorama Sport” se Skënderbeu ka kërkuar zyrtarisht nëpërmjet një kërkese të nisur me faks se kërkon nga Policia e Vlorës siguri maksimale si për futbollistët, ashtu edhe për tifozët. Policia konfirmon se do të marrë masa të përforcuara për këtë ndeshje, duke garantuar siguri maksimale dhe një mbarëvajtje të rregullt e të qetë të këtij takimi, larg incidenteve. Policia e Vlorës u bënë thirrje edhe sportdashësve vlonjatë të tregohen gjakftohtë, por nga ana tjetër, edhe presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka garantuar të gjitha kushtet për zhvillimin normal të këtij takimi.
LEONARD KARAJ