Çarja e parë e PD-së, urdhri i Berishës për të dalë nga qeveria e Bufit
Çarja e parë e PD në dhjetorin e vitit 1991, largimi i Neritan Cekës dhe distancimi i ministrave të PD nga qeveria e stabilitetit e drejtuar nga Ylli Bufi. Lufta për pushtet brenda PD, e pasqyruar në mbledhjet e kryesisë së kësaj partie 20 vjet më parë, kur u krijuan dy grupe kundërshtare pro largimit të ministrave nga qeveria e stabilitetit dhe kundër këtij largimi. Ngjarja pasqyrohet në librin Deformimi i Partisë Demokratike me autor, Blerim Çelën, një prej protagonistëve të dhjetorit 90, dhe të mbledhjes për të cilën bëhet fjalë
Nga Luljeta Progni
Tërheqja e PD-së nga qeveria e stabilitetit në 4 dhjetor të vitit 1991 është momenti i parë që shënon ndarjen e PD-së në grupe kundërshtare, e cila finalizohet me largimin nga PD të nënkryetarit të kësaj partie, Neritan Ceka. Kishte pak muaj që ishte miratuar në Kuvend qeveria e stabilitetit, e përbërë nga ministra të PS-së dhe PD-së, bashkëpunim i nevojshëm për të kapërcyer situatën kaotike në të cilën ndodhej asokohe Shqipëria. Kishte një vit që ishte përmbysur sistemi komunist dhe Shqipëria po përpiqej të hynte në rrugën e evropianizimit. Pjesëmarrja e PD-së në qeverinë e stabilitetit ishte një prej përpjekjeve për ti dhënë vendit qetësinë e duhur. Vendimi për largimin e ministrave të PD-së nga qeveria e stabilitetit solli një situatë të re në radhët e PD-së, e cila kishte një vit që ishte themeluar. Kryetari i kësaj partie bashkë me mbështetësit kishin shprehur mendimin për tërheqjen e PD nga qeveria, ndërsa një grup tjetër brenda PD-së ishin kundër këtij vendimi. Në mbledhjen e kryesisë së PD-së në datën 6 dhjetor 1991, Sali Berisha po përpiqej të argumentonte largimin e ministrave të PD-së nga qeveria e stabilitetit, ndërsa Gramoz Pashko, një prej anëtarëve të kabinetit të Qeverisë së Stabilitetit, e drejtuar nga Ylli Bufi, kërkonte që të mos merrej një vendim për tërheqjen nga qeveria derisa ai të kthehej nga jashtë, pasi kjo do të sillte kaos në Shqipëri, por edhe në radhët e PD-së. Ngjarja pasqyrohet në librin Deformimi i Partisë Demokratike me autor, Blerim Çelën, një prej protagonistëve të dhjetorit 90, dhe të mbledhjes për të cilën bëhet fjalë.
Aty pasqyrohet edhe debati i Neritan Cekës më Berishën dhe të tjerë, lidhur me vendimin për largimin ose jo të ministrave të PD-së nga qeveria e stabilitetit. Në deklaratën e tij pas largimit, Neritan Ceka shprehet ndër të tjera se: Pa marrë asnjë kontakt me ministrat dhe kryeministrin, pa marrë parasysh protestën time si nënkryetarit të PD-së, Sali Berisha imponoi vendimin për tërheqjen e ministrave nga qeveria e stabilitetit.
Në librin e Çelës pasqyrohen deklaratat e Berishës dhe të drejtuesve të tjerë të PD-së për ngjarjen si dhe për largimin e Cekës. Më poshtë botohen pjesë nga libri i Blerim Çelës për këtë ngjarje si dhe deklarata e Neritan Cekës pas vendimit të tij për largimin nga Partia Demokratike. Ndërsa në debatet brenda forumeve drejtuese të PD duket qartë se përçarja ka filluar herët, bashkë me luftën për pushtet. Gjithashtu vihet re dominanca e Berishës në vendimmarrjen e PD-së.
Pjesë nga libri i Blerim Çelës
Të nesërmen në datë 6.12.1991 u bë mbledhja e kryesisë së PD në orën 17:00. Mbledhjen e hapi Sali Berisha: Deklarata e Ylli Bufit ishte shumë e papjekur. Sot jemi marrë vetëm me problemin e bukës dhe kemi ndihmuar Tomorr Malasin (kryetari i komitetit ekzekutiv pluralist për Tiranën) për stabilizimin e gjendjes. Ne së bashku me PR propozuam një qeveri pune me intelektual të pavarur të z.Alia. Qeveria me eksponentë të PS nuk do të mbështet nga PD. Nëse populli i thotë po ministrave tanë deputet ne i lëmë në qeveri. Deklaratat e Gramozit (i cili ishte jashtë shteti) nuk qe reale, se ne po krijojmë kaos e anarki dhe ai paska kërkuar PD të mos merrte vendime pa kthimin e tij. Sapo të kthehem ka deklaruar ai, do të rikthej vendimin e PD pasi aty ka përçarje.
Blerim Çela: Mendoj që kjo mbledhje të mos vazhdojë sepse dua që këtu të jenë të pranishëm edhe Genc Ruli me Preç Zogajn, që tu them dy fjalë në sy, pse ata e lanë doktorin (z.Berisha) në mbledhjen e qeverisë. Nuk i kërkoj ministrat e tjerë sepse ata nuk janë as anëtarë të PD, por Preçi me Gencin janë anëtar të kryesisë së PD dhe duhet ti dilnin në krah doktorit.
Neritan Ceka: Çke ti me Gencin e Preçin?
Blerim Çela: Nuk po flet njeri me ty, ti shih punën tënde.
Neritan Ceka: Ik more se me injorantë si Blerim Çela, Bashkim Kopliku e Rushën Golemi nuk rrihet më në këtë parti.
Pas kësaj thënie që nuk e nderon aspak ndaj nesh, por edhe ndaj grupit që nuk i mbështeti asnjëherë në disa iniciativa doli me vërtik jashtë. Prapa e ndoqi i ndjeri Ali Spahia duke i thënë mos more për hatër të zotit, kthehu, ai nuk u kthye më. Doktori nuk lëvizi nga vendi, por u pamë në sy pa kryer asnjë veprim. Pas kësaj zoti Ceka shkoi në zyrën e presidentit Alia ku bëri një deklaratë kundër PD-së, pa asnjë argument, por që solli hidhërim të thellë te gjithë anëtarët e PD-së. Në orën që do të bëhej deklarata ishte i ftuar edhe zoti Berisha, i cili nuk dinte asgjë se çfarë ishte kurdisur në zyrën e Ramiz Alisë. Kishte thirrur TV, që të filmonte Neritanin që akuzonte duke pasur përballë Sali Berishën. Sapo hyri brenda Sali Berisha e kuptoi kurthin dhe u largua menjëherë nga zyra. Këtë pamje e kemi parë atë natë në televizion, thuhet në librin e Blerim Çelës.
Po cila ishte arsyeja që cilido prej anëtarëve të forumeve të PD apo anëtar i thjeshtë i saj, të kishte probleme me partinë, që duhej të ankohej ose ta bënte të ditur presidentit. A është ky një detaj që dëshmon se partitë dhe individët në dhjetorin 90 drejtoheshin plotësisht nga sekretari i parë i KQ të PPSH. Ky debat hapet shpesh në faqet e mediave në debatet publike, por askush prej protagonisteve të 90 nuk pranon që kishte një dominim të Alisë mbi partitë, mbi zhvillimet politike në Shqipërinë e fillimit të pluralizmit politik. Njësoj si më parë, Alia dukej se drejtonte lëvizjet e secilit, ndoshta duhet parë kështu për faktin se ska si të kuptohet pse një nënkryetar i PD, parti që vepronte prej një viti në pluralizëm politik, shkoi dhe e paraqiti dorëheqjen tek presidenti Alia dhe për më tepër kryetari i PD shkoi për ta dëgjuar tekstin atje në zyrën e presidentit. Sot të gjithë e mohojnë dominancën e Alisë, madje edhe vetë ky i fundit.
Në vazhdim të librit të Çelës flitet për një tjetër mbledhje kryesie e datës 8 dhjetor 1991, kur u mblodh dhe grupi parlamentar i PD për të diskutuar dorëheqjen e Cekës si dhe për të shqyrtuar qëndrimin e Gramoz Pashkos kundër largimit të ministrave të PD nga qeveria e stabilitetit. Në këtë mbledhje deputetët denoncuan qëndrimin e Cekës, duke e cilësuar tradhtar. Një ndër diskutantët e kësaj mbledhje ishte edhe Genc Ruli, i cili ishte ministër në qeverinë e stabilitetit.
Genc Ruli u shpreh se: Të bëjmë analiza jo për të vënë në kryq njerëz, por për të mos u përsëritur më. Mënyra e shtrimit të problemit duhej të ishte më transparente, ne duhej të bindeshim me tru për daljen nga qeveria dhe jo me urdhër si ushtar. Ka shtete që kanë rezerva për daljen tonë nga qeveria. Nuk kam dashur të bëhej deklarata e Neritanit e as e Gramozit. Neritani e ka bërë për një sedër personale të tepruar, prandaj nuk duhet trajtuar me ashpërsi.
Blerim Çela: E kam thënë dhe e përsëris se dalja nga qeveria ishte një vendim i drejtë. U bënë disa muaj që i kërkojmë transparencë dhe sinqeritet PS në rrugën e reformave speciale ekonomike dhe politike për ta çuar përpara demokracinë në Shqipëri. Ata nuk kanë marrë në konsideratë p