E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çashku hap Festivalin e Filmit për të Drejtat e Njeriut

Nga ceremonia e hapjes së Festivalit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut

Filmat japin një dritë për jetën e gjithsecilit…
Thuajuni edhe të tjerëve. Me këto fjalë drejtori ekzekutiv i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, Kujtim Çashku, ftoi publikun të ndjekë edicionin e gjashtë të kësaj ngjarjeje, jo vetëm në fushën e kinemasë. Në praninë e shumë të ftuarve, në ambientet e Akademisë së Filmit Marubi u çel mbrëmë edicioni i radhës i festivalit, që këtë vit u dedikohet problemeve që tronditin botën, si trafiqet e paligjshme, korrupsioni, terrorizmi etj. Çashku nuk mund të mos vinte në pah rëndësinë që kanë mesazhet që këta filma përcjellin dhe të falënderonte të gjitha ata që e mundësuan organizimin e tij. Në një ditë si kjo, të shumtë ishin ata që dëshironin të ndanin dy fjalë me të pranishmit. Prof. Theodore S.Orlin, President nderi i IHRFFA, do të ndante ca eksperienca personale: Ky festival është mrekullia se si nga një kafe mes miqsh mund të realizohet diçka. Kur pashë këtë shkollë, para 6 vitesh i thashë Çashkut se duhet patjetër të organizonte një festival, në mënyrë që brezat e rinj të mësonin më shumë mbi të drejtat e njeriut. Dhe ja ku jemi në edicionin e tij të gjashtë. I pranishëm në ceremoninë e hapjes ishte dhe Eugen Wollfarth, kreu i OSBE-së në Shqipëri. Një vit më parë thashë disa fjalë në hapjen e këtij festivali. Një vit më pas, ka ende shumë gjëra për të thënë për të drejtat e njeriut. Ai iu referua filozofëve Kant dhe Ruso, të cilët u dhanë ca mësime të mira sunduesve të kohës mbi të drejtat e njeriut. Sot shumica e shoqërive janë demokratike, por ende të drejtat e njeriut duhet të monitorohen, duhet pasur shumë kujdes. Dhe kjo do filluar që nga familja, lagjja, nga respekti i njeriut për njeriun dhe jo nga qeveritë, tha Wollfarth. Ndërsa për përfaqësuesin e delegacionit europian në Shqipëri, Clive Rumbold, festivali nuk do të ndryshojë legjislacione, apo do ngrejë grupe pune, por do të ndikojë në ndryshimin e mendjeve, mentaliteteve dhe qëndrimeve të shoqërisë sonë mbi fenomene të ndryshme. Përshëndetën gjithashtu zv/ambasadorja e Britanisë së Madhe, Elizabeth Evans, zv/ministrja e Integrimit, Grida Duma dhe kryetari i bordit të festivalit dhe njëkohësisht drejtues i UNICEF-it në Shqipëri, Detlef Palm. Gjatë ditëve të festivalit do të shfaqen 35 filma artistikë e dokumentarë nga vende të ndryshme të botës.

Hapja me Khodorkovsky-n
Edicioni i gjashtë i Festivalit të të Drejtave të Njeriut u hap me filmin Khodorkovsky. Një realizim kinematografik gjermano-francez mbi transformimin e Mikhail Khodorkovsky-it, nga socialist në kapitalist dhe pastaj martir në një burg të Siberisë. Një luftë titanësh mes tij dhe presidentit Putin. Ky i fundit e paralajmëron, por Khodorkovsky kthehet në Rusi, duke e ditur se do të burgoset sapo të kthehet. Programi i ditës së sotshme do të vazhdojë me shfaqjen e dokumentarit të shkurtër spanjoll Një ditë në Smara, dokumentarit suedez Dashuri në distancë, filmit shqiptar Amnistia, dokumentarit Hëna është një vend i mrekullueshëm etj.

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›