E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, qeveria: Kombësia, jo kriter për pranimin në kopshte

ATHINE- "Garantojmë të drejtën e aksesit të gjithë banorëve në shërbimet që ofrohen pa asnjë dallim, pavarësisht kombësisë, besimit fetar, seksit, gjuhës apo grupit social të cilit i përkasin", sqaroi ministri i brendshëm Haris Kastanidis, në një letër dërguar parlamentit, në përgjigje të pyetjes së deputetëve të LAOS-it Athanasios Plevris dhe Adonis Georgiadis, lidhur me pranimin e fëmijëve të emigrantëve në kopshtet e bashkisë së Athinës.

Deputetët e LAOS-it, theksuan ndër të tjera në letrën drejtuar ministrit se ka një superpërqëndrim të fëmijëve të emigrantëve në kopshtet e bashkisë së Athinës, gjë që sjell si rezultat "uljen e nivelit të mjedisit shkollor dhe margjinalizimin e shumë fëmijëve grekë që nuk gjejnë vend në kopshtet e bashkisë".

Sipas të dhënave nga bashkia që u paraqitën në parlament, më shumë se 1/5 e fëmijve në kopshtet e Athinës, janë me prindër emigrantë të huaj.

Konkretisht, nga 5 251 fëmijë të regjistruar, 1 063 janë fëmijë emigrantësh. Siç sqaron drejtori i edukimit parashkollor në bashki, "përzgjedhja e fëmijëve bëhet në bazë të kushteve që përcaktohen nga rregullorja e brendshme, ndërsa kombësia nuk përbën
kriter përzgjedhjeje".
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›