E Diel, 1 Nëntor 2026

Bisedimet Kosovë-Serbi, Cooper letër Prishtinës: Kini durim

PRISHTINË- Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper i ka kthyer përgjigje dy letrave të Prishtinës, në të cilat autoritetet kosovare shprehin pakënaqësi rreth moszbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, bën të ditur gazeta kosovare Express.

Cooper ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të kenë mirëkuptim ndaj moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Beogradit derisa të bëhet një vlerësim për performancën e palës serbe në procesin e deritashëm.

Autoritetet kosovare i kanë dërguar javën e kaluar dy letra negociatorit të BE-së ku shprehet pakënaqësi që Serbia nuk po zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Cooper e ka uruar Kosovën për zbatimin marrëveshjes në mënyrë korrekte për vulat. Po ashtu ka shprehur shqetësimin që pala tjetër, Serbia, ende nuk ka nisur me zbatim. Ai ka kërkuar që Kosova të ketë edhe pak ditë durim derisa BE ta vlerësojnë performancën e Serbisë për këtë çështje”,- ka thënë burimi i gazetës.

Injorimi i Serbisë për të përmbushur detyrimet për të cilat është zotuar në dialog mund të diskutohet në raundin e radhës të bisedimeve që pritet të mbahet më 27 dhe 28 shtator.

Përderisa delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është e gatshme për vazhdim të dialogut, negociatori serb Borislav Setefanovic ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen.

“Është e mundshme që ky raund të dështojë sërish për shkak të pengesave të Serbisë”,- kanë thënë burime të gazetës kosovare.

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper, i ka kthyer përgjigje dy letrave të autoritetet në Prishtinë, të cilët shprehen pakënaqësinë që Beogradi nuk po zbatonte marrëveshjen për vulat.

Sipas gazetes kosovare Express, Cooper mësohet t’i ketë kërkuar Prishtinës edhe pak durim derisa BE të vlerësojë performancën e Serbisë për këtë çështje.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›