Kriza financiare do ta godasë futbollin

Arsene Wenger pranon se forma e dobët e Arsenalit kontribuoi me numrin më të vogël të shikuesve në ndeshjen e tyre në shtëpi kundër Boltonit të shtunën.
Por, strategu i gjigantit londinez ka paralajmëruar se problemet globale financiare mund të sjellin numër edhe më të vogël të shikuesve në mbarë ligën.
“Së pari kishim rezultate dëshpëruese në kohën e fundit dhe fakti i dytë është se jemi duke shkuar drejt një krize të madhe financiare. Stadiumet do të jenë më pak të mbushura dhe tashmë e kemi vërejtur këtë”, tha Wenger.
Ulëse të zbrazëta ishin të vërejtura gjatë fitores së Arsenalit 3-0 në Emirates Stadium, që erdhi falë dy golave nga Robin van Persie dhe të tretit nga Alex Song.
“Ne do të goditemi edhe më fuqishëm dhe mendoj se edhe futbolli do t’i vuajë pasojat. Ju mund të shikoni të gjitha klubet në Angli, ku ulëset mbushen gjithnjë e më pak. Ne mund të jemi rast specifik sepse kemi pasur rezultate dëshpëruese, por edhe klube tjera kanë të njëjtin problem”, përfundoi francezi.