Kamuflon dështimin

Propozimi i Qeverisë së Serbisë, që në raundin e ri të dialogut në Bruksel të bisedohet edhe për pikat doganore në Jarinje dhe Bërnjak, nuk është përfshirë në agjendë, me gjithë “kërcënimet” e negociatorit serb Borislav Stefanovic.
Serbia ka propozuar diskutimin për këtë temë më 16 qershor përmes një letre të nënshkruar nga kryeministri Mirko Stefanovic, por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Brukseli.
Që kjo të jetësohet nuk ndihmuan as takimet e presidentit serb Boris Tadic me kryediplomaten e BE’së, Catherine Ashton dhe Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, javën e kaluar në New York.
Për të shpëtuar fytyrën nga ky dështim, shefi i delegacionit serb Borislav Stefanovic tani thotë se për doganat në veri nuk do të bisedojë me delegacionin e Kosovës, por vetëm me përfaqësues ndërkombëtarë, duke aluduar në ndërmjetësin Robert Cooper dhe ekipin e tij, si dhe përfaqësuesin amerikan në dialog, diplomatin Philip Reeker.
Ai shpreson që të hapë çështjen e propozimit serb në takimet jozyrtare, që mbahen para çdo raundi bisedimesh mes përfaqësuesve evropianë dhe amerikanë me të dyja delegacionet veç e veç.
Shefi i delegacionit serb, Borislav Stefanovic ka thënë për mediet serbe se ai do të ketë dy lloj bisedimesh në Bruksel. Njërin me delegacionin e Kosovës, e tjetrin me përfaqësues ndërkombëtarë, me të cilët do të bisedojë për propozimin serb që në doganat në veri të mos ketë doganierë të Kosovës.
“Kjo do të thotë se njëkohësisht do t’i kemi dy bisedime – një për vendkalimet administrative e tjetrin me delegacionin e Prishtinës rreth energjisë elektrike, telekomit dhe iniciativave rajonale”, ka thënë ai për agjencinë Beta.
Ai ka thënë se bisedimet për vendkalimet kufitare do të jenë të vështira, prandaj “nuk duhet pritur që zgjidhja të gjendet menjëherë”.
Por, as në këtë takim konsultativ nuk është e sigurt se mund të bisedohet për doganat kosovare në kufijtë veriorë.
Mediet serbe kanë cituar të hënën diplomatë të BE’së se ata nuk e dinë se në çfarë forme do të mund të hapej kjo temë me negociatorin serb.
Edhe Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka folur për opsionin e ri të homologut të saj.
“Ai nuk mund të flasë me ndërmjetësin Cooper dhe përfaqësuesit e SHBA’së për temat e brendshme të Kosovës sepse BE dhe SHBA i kanë dhënë mbështetje të plotë Kosovës për implementimin e planit për veriun”, ka thënë ajo të hënën për Express përmes telefonit.
Ajo shtoi se çështja e rivendosjes së kontrollit kufitar nga ana e Qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka përfunduar.
“Ky është një kapitull i mbyllur. Ndërsa këto deklarata që vijnë nga Beogradi, për mendimin tim, janë një marketing politik se që kanë ndonjë bazë. Që nga 16 shtatori, Qeveria e Kosovës, KFOR’i dhe EULEX’i janë duke kryer operacione të kontrollit. Dhe, edhe SHBA’të edhe BE janë mbështetëse të shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në veri. Unë do të doja edhe njëherë t’ua përkujtoj porositë e Kancelares Angela Merkel në Beograd për Serbinë, e cila duhet t’i shpërbëjë strukturat paralele. Pastaj kemi garancitë e fuqishme që liderët kosovarë kanë marrë javën e kaluar në OKB prej Sekretares Hillary Clinton dhe nga të gjitha nivelet tjera”, ka thënë Tahiri.
“Pra, kemi marrë mbështetjen e të gjithëve për shtrirjen e sovranitetit të plotë, për sundimin e rendit dhe të ligjit dhe për luftimin e pakompromis të strukturave ilegale që funksionojnë në veri që nga paslufta”, ka shtuar ajo.
Katër tema
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se, sipas agjendës së konfirmuar nga ndërmjetësi Robert Cooper, takimi i palëve do të fillojë të sot pasdite, ndërsa do të vazhdojë edhe të mërkurën gjatë tërë ditës.
“Deri në këto momente që po flasim, mund t’ju them se është e konfirmuar pjesëmarrja e gjitha palëve”, ka thënë Tahiri të hënën në mbrëmje.
Ajo thotë se ndërmjetësi i BE’së ka marrë konfirmimin e palës serbe se do të marrin pjesë në takim.
“Cooper na ka njoftuar zyrtarisht për datat e mbajtjes së takimit, por nga deklaratat e palës serbe është parë se është shfaqur një dilemë. Sa na takon neve, ne e kemi konfirmuar qysh në javën e kaluar se do të marrim pjesë. Kështu që kjo është çështje e palës tjetër, e cila nuk e ka bërë të qartë pjesëmarrjen. Nga takimi i sotëm që kam pas me zotin Cooper, ai më ka thënë se edhe pala serbe e ka konfirmuar pjesëmarrjen”, ka thënë Shefja e delegacionit të Kosovës.
Në raundin që zgjat dy ditë, palët do të diskutojnë për energjinë elektrike, telekomin, pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale por edhe për zbatimin e deritashëm të marrëveshjeve të arritura më herët në dialog.
Zyrtarë të BE’së në Prishtinë kanë thënë për Express se në Bruksel pritet marrëveshje për pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizma të ndryshëm rajonalë. Në këto forume ndërkombëtare, Serbia ka bojkotuar takimet sa herë që është ftuar Kosova ose ka penguar pjesëmarrjen e kosovarëve.
“Për telekomin dhe energjinë elektrike, Qeveria e Kosovës është e pajtuar në parim për marrëveshje, por pala serbe, më 2 shtator ishte refuzuese ndaj këtyre marrëveshjeve. Mbetet të shihet nëse qëndrimet e Serbisë për këto dy çështje kanë ndryshuar”, ka thënë diplomati ndërkombëtar me kusht anonimiteti.
Sipas njoftimit të Zyrës për komunikim me publik të Kryeministrit, përveç Edita Tahirit për në Bruksel kanë udhëtuar edhe: Lirim Greiçevci - këshilltar politik i Kryeministrit, Dren Zeka - këshilltar kryesor politik i Zëvendëskryeministres Tahiri, Arjeta Rexhaj – Këshilltare Politike, Gazmir Raci – Këshilltar Politik, Ibrahim Gashi - zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Florent Bakija - përfaqësues i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ali Hamiti - kryesues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Fadil Ismajli - drejtor i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, Arben Gjukaj - drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, si dhe Qemajl Marmullakaj- Zyrtar i lartë për planifikim të politikave.