Lëvizja për Bashkim me grup n’veti

Lëvizja për Bashkim e Avni Klinakut ka hedhur poshtë spekulimet se deputetët e saj Agim Kuleta dhe Aurora Bakalli do t’i bashkohen AAK’së ose do të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar.
Pas daljes nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, LB është përcaktuar qartë se cila do të jetë e ardhmja e saj në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta shpreh habinë për spekulimet në mediet kosovare që, duke u thirrur në burime të ndryshme, lansojnë të pavërteta për bashkimin deputetëve të LB’së me grupin parlamentar të AAK’së ose me koalicionin qeveritar.
“Më duhet t’i zhgënjej ata që manipulojnë me opinionin. Pritja që dy deputetët e Lëvizjes për Bashkim t’i bashkohen ndonjë grupi tjetër parlamentar, e aq më tepër koalicionit qeveritar, është jorealiste. Arsyet e tërheqjes sonë nga Grupi Parlamentar i VV-së kanë qenë parimore dhe të tilla do të duhej të ishin edhe arsyet e bashkimit një grupi tjetër. Arsye të tilla nuk ka”, ka thënë ai.
Por, çfarë pritet të bëjnë dy përfaqësuesit e Lëvizjes për Bashkim në Parlament?
“Ne, tash për tash, definitivisht, do të vazhdojmë të veprojmë në Kuvendin e Kosovës si deputetë të Lëvizjes për Bashkim”, ka thënë Kuleta.
Mirëpo, me këtë nuk përfundon gjithçka. Lëvizja për Bashkim ka ambicie tjera që synon t’i realizojë gjatë këtij mandati në Kuvendin e Kosovës. Ata do të donin që deputetë tjerë të bashkohen me ta për të formuar një grup të ri parlamentar.
“Me qëllim të rritjes së fuqisë sonë parlamentare, në një plan më afatgjatë, ne do të angazhohemi në formimin e një grupi të veçantë parlamentar. Për këtë, në bazë të Rregullores së Kuvendit, nevojiten 6 deputetë. Synimi ynë gjithashtu do të jetë krijimi i një grupi shumë cilësor, gjë që nuk është aspak e pamundur. Në këtë mënyrë do të arrinim ta ruajmë dhe fuqizojmë subjektivitetin tonë si Lëvizje për Bashkim dhe do të arrijmë që në mënyrë shumë më të qartë t’i shprehim qëndrimet tona rreth çështjeve të ndryshme”, ka thënë deputeti Kuleta.