E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtari britanik: Forconi shtetin e së drejtës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje ministrin e Shtetit për Drejtësinë të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin Tom Mekneli. Topi shprehu mirënjohjen për kontributin dhe ndihmesën e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar, në drejtim të përsosjes së mëtejshme të sistemit gjyqësor në Shqipëri, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë dhe projekteve të ndryshme në këtë fushë dhe më konkretisht, projektit më të fundit për Gjykatën e Lartë. “Arritja e këtij objektivi madhor, e shoqëruar me transparencë të plotë, do të rikthente besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe do të mundësonte edhe plotësimin e kritereve të kërkuara, në funksion të përmbushjes së aspiratës së vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Europian”, vuri në dukje Presidenti Topi. Ministri britanik i Shtetit për Drejtësinë, Lordi Tom Mekneli vlerësoi arritjet e bëra në Shqipëri në fushën e drejtësisë, duke theksuar nevojën e kalimit nga zotimet në vepra konkrete, përsa i përket reformës në gjyqësor, si dhe vuri në dukje rolin pozitiv dhe moderator të luajtur nga Presidenti i Republikës në këtë drejtim. Lordi Mekneli theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike të të gjithë krahëve, për konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›