E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çeki, ish-ministrat formojnë parti konservatore

Pragë - Çekia do t’i “gëzohet” një partie të re konservatore, e cila është krijuar nga dy ish-ministra të qeverisë së Topolanekut. Qëllimi i partisë konservatore do të jetë mbledhja e të gjithë votuesve të pavendosur dhe forcimi i pozitave të së djathtës në zgjedhjet e përgjithshme të muajit tetor.

Nëse partia e re do të arrijë të marrë pesë për qindëshin e nevojshëm për të hyrë në parlament, e djathta do të favorizohej për të siguruar shumicën në parlamentin e ardhshëm.

Kohët e fundit situata në Republikën Çeke ka qenë mjaft e nxehtë për shkak të luftës politike ndërmjet të djathtëve dhe të majtëve, sidomos pas rrëzimit të qeverisë së qendrës së djathtë në muajin mars.

Partia e re e quajtur "TOP 09", do të drejtohet nga ish-ministri i Jashtëm 71-vjeçar Karel Schwarzenberg, një aristokrat i cili me mënyrën e tij të drejtpërdrejtë të të shprehurit, ka fituar mjaft popullaritet gjatë viteve 2007-2009.

Por forca drejtuese e partisë është Moroslav Kalousek, ministri i Financave në kabinetin e mëparshëm, një politikan i vjetër i cili ka fituar besueshmëri për mënyrën se si e ka menaxhuar arkën e shtetit, por popullariteti i tij ka pësuar rënie për shkak se Kalousek ka lidhje të afërta me shumë biznesmenë.

Manifesti i partisë fokusohet në politikat fiskale dhe premtimin se nuk do ta rrisin borxhin publik dhe nuk do ta ngarkojnë të ardhmen me një kosto të papërballueshme interesi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›