Çekia: Zgjidhni problemet me CEZ

Kryeministri Berisha me homologun çek, Petr Necas
Kryeministri çek, Petr Necas, vizitë zyrtare në Tiranë: Berisha më siguroi të zgjidhë çështjen.
Berisha: Do gjejmë zgjidhjen më të mirë e të ndershme.
Vizita e Kryeministrit të Çekisë, Petr Necas, në Shqipëri shërbeu, ndër të tjera, edhe për të diskutuar me homologun e tij shqiptar lidhur me problemet e kompanisë së shpërndarjes CEZ.
Të pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp, krerët e dy qeverive u shprehën se janë të angazhuar për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje në mënyrë që pjesëmarrja e CEZ në Tiranë të shërbejë si shembull për kompanitë e tjera europiane. Kryeministri çek, Necas, tha: Dua të them se për ne është me interes që investimi i CEZ të jetë një model i suksesshëm. Gjithashtu, Kryeministri Berisha më siguroi sot që edhe pala shqiptare ka interes që ky proces të dalë i suksesshëm. Ne jemi të ndërgjegjshëm që në këtë proces ka pasur shumë mosmarrëveshje dhe mendojmë, shpresojmë dhe besojmë se do ti zgjidhim këto mosmarrëveshje që kanë ndodhur. Ai konfirmoi gatishmërinë e shprehur nga Kryeministri Sali Berisha për të diskutuar bashkërisht mbi gjetjen e zgjidhjes. Besoj se zgjidhja e kësaj situate dhe problemi me CEZ këtu, në Shqipëri do të jetë kyç dhe do të jetë një sinjal i mirë edhe për Europën Perëndimore, e cila dëshiron ta shohë këtë si sukses të madh, pasi CEZ është një nga pesë kompanitë më të mëdha energjetike të Europës, ndaj duhet që ky model të bëhet model i suksesshëm. Kryeministri Berisha më siguroi sot se pala shqiptare do të bëjë çmos që kjo gjë të zgjidhet dhe kemi diskutuar bashkërisht që kjo të zgjidhet, theksoi më tej Kryeministri i Çekisë. I pyetur nëse CEZ në Pragë do të ndryshojë menaxhimin e degës në Shqipëri, Necas u shpreh se disa kohë më parë ndodhi një ndryshim që do të ketë ndikim pozitiv.
Me të njëjtat tone gatishmërie foli edhe Kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se aty ku kanë dalë probleme, janë trajtuar me transparencë, teksa shtoi se edhe për rastin konkret po shkohet drejt zgjidhjes. Lidhur me pyetjen tuaj, mendoj se kompanitë çeke kanë shumë arsye që të investojnë në Shqipëri dhe fakti që aty ku krijohen probleme, ne i diskutojmë së bashku në mënyrën më transparente, për zgjidhjet më të drejta dhe më të ndershme, është në favor të kësaj që unë them dhe besoj. Problematika lidhur me CEZ, marrëdhëniet komplekse me faktorë të tjerë në Shqipëri, është trajtuar nga të dyja palët gjerësisht gjatë kësaj periudhe dhe besoj se po shkohet drejt dhënies së zgjidhjes më të mirë të problemeve të krijuara, u shpreh Berisha. Sipas tij, unë kam besim të plotë në kapacitetet e mëdha investuese dhe menaxhuese të CEZ, si një nga korporatat më të mëdha në Europë dhe në mbështetjen që qeveria çeke, institucionet financiare të këtij vendi, i japin korporatës për të investuar aty ku ajo është, ndër to, edhe në Shqipëri. Unë e garantova Kryeministrin se ne jemi të interesuar plotësisht për suksesin e CEZ dhe ramë dakord të bashkëpunojmë për të arritur një histori suksesi, në interesin më të mirë të konsumatorëve shqiptarë, në interesin më të mirë të korporatës CEZ në Shqipëri. Një tjetër pikë ku bashkohen Shqipëria dhe Çekia është marrja e statusit të vendit kandidat. Tre vjet më parë, Kryeministri Berisha udhëtoi për në Pragë për të dorëzuar kërkesën e aplikimit. Sot qeveria çeke vazhdon të mbështesë marrjen e statusit nga vendi ynë. Shikoj si pozitiv lajmin që është zhbllokuar procesi i funksionimit të Parlamentit. Çështja kyçe do të jetë plotësimi dhe vlerësimi i 12 rekomandimeve që i janë dhënë Shqipërisë nga Komisioni Europian, në vitin 2012. Rruga për në Bashkimin Europian kërkon shumë punë, shumë durim dhe vullnet të madh. Vetë Republikës së Çekisë iu deshën 7 vjet pasi mori statusin e vendit kandidat që të anëtarësohej në BE, u shpreh Kryeministri çek.
Naço: CEZ do shlyejë 40 milionë euro
Nasip Naço
Kompania CEZ Shpërndarje do të shlyejë për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare një borxh prej 40 milionë eurosh. Detajet i bëri të ditura ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, ditën e djeshme, pas Forumit Ekonomik të biznesit shqiptar dhe çek. Sipas Naços, ky borxh do të shlyhet ditët në vijim. Bordi i CEZ-it në Pragë e ka marrë vendimin për të likuiduar shumën prej gati 40 milionë eurosh ndaj kompanisë shtetërore KESH. Është marrë vendimi dhe është vetëm çështje ditësh, negociatash, për të bërë akordimet përfundimtare dhe do të jepet, tha Naço. Ministri mori pjesë në Forumin e Biznesit Shqipëri- Çeki, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Industrisë dhe Tregtisë të Republikës së Çekisë, Martin Kuba. Në këtë forum, Naço i bëri thirrje biznesit çek që të investojë në vendin tonë në një sërë sektorësh potencialë, mes të tjerave, sektori minerar, ku së shpejti do të çelet gara për dhënien e 100 lejeve minerare. Po kështu, edhe koncesionet që do të jepen për disa HEC-e të rëndësishme në kaskadat e lumenjve, si Osum dhe Vjosë, janë cilësuar nga kreu i Ministrisë së Ekonomisë si një mundësi e mirë investimi.
Çekia, ndihmë për hekurudhat
Çekia mund të ofrojë ndihmën e saj të vyer kur vjen fjala tek eksperienca që ky shtet ka në fushën e transportit hekurudhor. Takimi i djeshëm mes ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi dhe homologut të tij çek, Pavel Dobe, përfshiu edhe këtë pikë. Kjo konsulencë e shtetit çek mund të jetë e rëndësishme në një moment të tillë kur Shqipëria po përgatitet të planifikojë investimet në këtë sektor. Po kështu, pikë tjetër e bisedimeve ishte dhe fillimi i operimeve ajrore direkte Tiranë-Pragë, si dhe lehtësimi i procedurave të dyanshme për këtë qëllim.
ADI SHKEMBI
