E Diel, 1 Nëntor 2026

Çekia mirëpret aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim në BE

Në fillim të presidencës së BE-së, konfirmimi nga zëvendësambasadori çek në Shqipëri

TIRANE - Çekia si drejtuese e radhës e Presidencës së Bashkimit Evropian duke filluar nga janari i vitit 2009, mirëpret aplikimin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Kjo është konfirmuar dje nga zëvendësambasadori çek në Shqipëri, Adam Pinos, gjatë një tryeze diskutimesh në lidhje më këtë çështje, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Hotel “Tirana International” më qëllim për t’ju paraprirë hapave të pritshëm dhe për të nxitur një debat publik në lidhje me aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në unionin europian.
Pjesëmarrës në këtë tryezë veç zëvendësambadorit çek ishin edhe përfaqësues të forcave politike si dhe ekspertë të fushës “Procesi i integrimit është shumë i gjatë, por më marrjen e presidencës së radhës nga ana jonë, ne do ta mirëpresim aplikimin e vendit tuaj”, deklaroi zoti Pinos.
Ndërsa Kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit Evropian, Ilir Meta, pohoi se “kërkesa për  aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian para zgjedhjeve do të jetë e nxituar”. 
Diskutantët theksuan nevojën e një axhende të qartë nga ana e faktorit politik dhe vendimmarrës shqiptar në lidhje me aplikimin si proces dhe sfidat e vendit në secilën
prej fazave të këtij procesi.
Procesi i integrimit evropian të Shqipërisë po i afrohet sfidave të një stadi më të avancuar në marrëdhëniet me bllokun e 27 vendeve. Thuajse dy vjet e gjysmë nga nënshkrimi i MSA-së aktorët e politikës shqiptare po shqyrtojnë mundësinë e aplikimit të vendit për anëtarësim në BE në fillim të vitit të ardhshëm, nën Presidencën çeke.
Në 18 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha deklaroi se në janar të vitit 2009 do të aplikohet për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
“Në këtë ditë solemne, zotohem se në muajt e parë të vitit të ardhshëm Shqipëria do paraqesë kërkesën e statusit të kandidatit. Qeveria do bëjë çdo përpjekje për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në Evropë”, deklaroi Berisha më se dy javë më parë.
Më parë Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka konfirmuar se aplikimi për statusin e vendit kandidat është pjesë normale e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sipas saj, vendi duhet të përmbushë detyrat kryesore dhe reformat politike, ekonomike etj, pasi për sa i përket legjislacionit ai është përafruar me atë të vendeve të unionit në masën 80 për qind.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›