E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelen 300 vende të reja pune për psikologë

Nga ky vit shkollor shërbimi psikologjik do të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit. Nga 114 psikologë që janë tani do të punësohen edhe rreth 300 të tjerë. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur dhe se "raporti do të jetë një psikolog për 1500 nxënës". Në të gjithë vendin numërohen 600 mijë nxënës. Deri tani shërbimi psikologjik ka shërbyer në formën e një projekti pilot, ku janë futur edhe mësues për të kryer këtë rol, në mungesë të personave të specializuar të fushës, kryesisht në rrethe. MASH bëri të ditur dje se në bazë të urdhrit të ministrit Genc Pollo, ky shërbim do të shtrihet në të gjithë vendin. Qëllimi kryesor i tij është promovimi i mirëqenies mendore dhe fizike të nxënësve, si dhe lehtësimi i procesit të të nxënit. Shtrirja e këtij shërbimi do të bëhet gradualisht me plotësimin e kushteve, si çelja e kabinetit të psikologut në shkollë dhe sigurimi i specialistit me arsim përkatës. Pra, ata që do të punësohen do të jenë me diplomë universitare në degën e Psikologjisë, ose me master në psikologji dhe pedagogji. Gradualisht do të zëvendësohen të gjithë psikologët e punësuar me diplomë mësuesie dhe më vonë psikologët me diplomë në shkenca sociale. Aktualisht, në shkollat tona punojnë 144 punonjës të shërbimit psikologjik shkollor, sipas të dhënave të muajit mars 2008. Urdhri i ri i Pollos për shërbimin psikologjik shkollor përcakton funksionimin e këtij shërbimi në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar, duke futur këtu edhe kopshtet, gjë që nuk ka qenë më parë. Paga e psikologëve do të jetë e njëjtë me rrogat e mësuesve të sistemit të detyruar apo të mesëm. Është parashikuar që shkollat e mëdha të kenë një psikolog, ndërsa në shkollat e vogla psikologu do të plotësojë normën duke marrë nën mbulim dy të tilla. Në bazë të urdhrit të ministrit, raporti i psikologut me numrin e nxënësve do të jetë 1 në 1500-1800 nxënës. Në ndihmë të punës së psikologut shkollor do të ngrihet grupi mbështetës i nxënësit, që përbëhet nga mësues me përvojë, psikologu dhe drejtori i shkollës. Psikologu shkollor duhet të ketë një diplomë universitare. Një manual i shërbimit psikologjik do të përcaktojë konkretisht detyrat e përgjegjësitë e psikologut shkollor dhe personelit tjetër të shkollës si drejtues, mësues etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›